Pacolli dorëzon postin te Krasniqi

Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli do t’ia dorëzojë detyrën e Shefit te Shtetit Jakup Krasniqit të shtunën në mëngjes. Kjo është bërë e ditur nga një njoftim tëPresidencës, ku thuhet se pranim-dorëzimi do të bëhet nga ish-presidenti te Kryetari i Kuvendit.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Dr.Jakup Krasniqi merr postin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Kosovës. Nesër në Kabinetin e Presidentit do të organizohet ceremonia e dorëzimit të detyrës nga presidenti i deritashëm, z.Behgjet Pacolli dhe pranimi i saj nga ana e z.Krasniqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Jakup Krasniqi, u.d i Presidentit
Që nga e enjtja, Jakup Krasniqi është ushtrues i detyrës së Presidentit të Kosovës. Kjo është përgjigjja e Gjykatës Kushtetuese që i ka dhënë letrës së kryeministrit Hashim Thaçi, në të cilën ai kërkonte përgjigjen nëse Kosova ka ushtrues detyre të presidentit pas 29 marsit.
“Kosova ka ushtrues detyre të presidentit që nga 31 marsi i vitit 2011. Pra, nuk ka vakuum institucional që nga dita e publikimit të këtij aktgjykimi”, thuhet në përgjigjëjen e Gjykatës.
Edhe pse nuk përmendet emri i Jakup Krasniqit si u.d i Presidentit, në Kushtetutë sqarohet se kur mungon presidenti i Shtetit, atëherë këtë post e ushtron Kryetari i Kuvendit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës, Behgjet Pacolli ka qenë President i Republikës deri në momentin e publikimit të vendimit se Shefi i Shtetit ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.
Sipas Kushtetutës u.d i Presidentit mund ta ushtrojë postin e Shefit të Shtetit në periudhë prej gjashtë muajsh.
Megjithëkëtë, Gjykata nuk i ka dhënë përgjigjeje Qeverisë në pyetjen se a është shkelje kushtetuese mungesa e deputetëve në seancën kur do të votohej për President.
“Gjykata rikujton që qëllimi i këtij sqarimi është ta sqarojë aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektivit të çështjes së kërkesës. Prandaj situata hipotetike, siç janë përmendur në letrën kryeministrit, janë ashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në përgjigjejen e Gjykatës.
Sipas këtij sqarimi, presidenti nuk mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë në dy rundet e parë kur kjo mund të bëhet vetëm me dy të tretat e deputetëve të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Gjykata ka sqaruar se vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, se nuk ka nevojë të zhbëhet Kuvendi dhe se vendi nuk është në vakuum institucional.