E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD ngecin, Kodi i ri do të miratohet në vjeshtë

Kodi i ri Zgjedhor mund të hartohet vetëm në fillim të muajit shtator. 

BLEDAR HOTI

Komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili ka afat deri në fund të muajit korrik, nuk mund të realizojë të gjithë punën për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Sipas burimeve pranë PD-së, mësohet se ligji i ri i zgjedhor mund të votohet gjatë sesionit tjetër parlamentar, pra në muajin shtator. Ky vendim është marrë nga partia qeverisëse nisur dhe nga fakti që kërkohet të ketë një ligj sa më të mirë zgjedhor dhe jo të hartohet nën presionin e kohës. Faktin për mundësinë e shtyrjes e ka dhënë edhe vetë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, gjatë një prononcimi për mediat. "Prirja jonë është që mundësisht, Kodin Elektoral ta mbyllim përpara përfundimit të sesionit, që do të thotë deri në fund të këtij muaji. Normalisht ne si maxhorancë apo si PD, synojmë ta arrijmë këtë qëllim, por edhe në rast se ky synim nuk do të arrihet për arsye që nuk varen nga ne, por ndoshta për arsye teknike, atëherë nuk do të ishte ndonjë problem i madh, pasi besoj që kemi të gjithë kohën e mjaftueshme që edhe me rifillimin e sesionit të ardhshëm, mund ta mbyllim këtë reformë", ka deklaruar Patozi.
Listat e zgjedhësve
Komisioni i posaçëm për Kodin Zgjedhor vendosi dje të thërrasë në një mbledhje të veçantë drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, për t'u njohur me procesin e hartimit të listave të zgjedhësve. Komisioni nuk ka shqyrtuar nenet që kanë të bëjnë me hartimin e listave të zgjedhësve, pa u njohur më parë me procesin e hartimit të listave. Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm, demokrati Ilir Rusmali bëri të ditur pas mbledhjes thërritjen në një seancë dëgjimore të drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes civile, Armand Teliti. Regjistri kombëtar i zgjedhësve, i cili pritet të përfundojë brenda 2 muajve, duket se po mban peng Komisionin e Reformës Zgjedhore, mandati i të cilit është vetëm 1-mujor. Ndërsa është rënë dakord paraprakisht që zgjedhjet parlamentare të mbahen në stinën e pranverës dhe ato për pushtetin vendor në sezonin e vjeshtës. Kapitulli i ri i Kodit Zgjedhor për listat e zgjedhësve ka stepur anëtarët e komisionit duke u shprehur se, kërkohet më tepër informacion për procesin që po realizohet. "Duhet të organizojmë konsulta me drejtorin e Gjendjes Civile, pasi lista e zgjedhësve është një dokument i pashkëputur nga sistemi i regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile, që është përfshirë në një projekt modernizimi", deklaroi Rusmali.

Braho: Presim përgjigjen e PS dhe PD për emigrantët

Lëvizja Socialiste për Integrim paraqet në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore platformën për mënyrën e votimit të emigrantëve shqiptarë. Anëtari i komisionit të posaçëm, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, bëri të ditur se, "Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzoi platformën për pjesëmarrjen e emigrantëve në votime, të cilët do ta hedhin votën e tyre në vendet ku punojnë. Kjo platformë u pranua nga komisioni dhe pritet vendimi përfundimtar i dy bashkëkryetarëve, Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafa". Sipas platformës, regjistrimin dhe identifikimin e emigrantëve në listat e zgjedhësve për zgjedhjet e pritshme parlamentare, bazuar në ndryshimet e fundit kushtetuese që miratuan sistemin zgjedhor, si njësi zgjedhore, mendohet të shërbejë qarku. Gjatë përpilimit të listave, për çdo njësi të qeverisjes vendore duhet të bëhet identifikimi i personave, të cilët kanë emigruar jashtë vendit, duke vënë në krah të emrit të tyre në lista germën "E", e cila nënkupton se personi është emigrant. Një procedurë e tillë është realizuar dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Por që nuk u lejuan të votohen emigrantët. LSI-ja propozon që votimi i emigrantëve të realizohet me anë të postës dhe duke angazhuar ambasadat shqiptare, që ndodhen në vendet ku ata jetojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›