E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rriten rreziqet për ekonominë

Shtohen rreziqet për sektorin financiar në vend. Në raportin më të fundit për stabilitetin financiar në vend të Bankës së Shqipërisë, tregohet për rritjen e nivelit të përgjithshëm të rrezikut. 

"Spektri i rreziqeve është zgjeruar gjatë vitit 2007 dhe kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Kjo ecuri diktohet nga zgjerimi i mëtejshëm i investimeve të sistemit financiar në aktive me kthim (dhe rrezik) më të lartë, nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë, nga hapja e saj dhe nga integrimi gradual në tregjet financiare rajonale dhe globale" thuhet në raport. Por pavarësisht rritjes së këtyre rreziqeve, situata mbetet nën kontroll. "Megjithatë, në bazë të analizës së autoriteteve rregullative, përgjithësisht sistemi financiar paraqitet i mbrojtur nga rreziqet, që vijnë si rezultat i zhvillimeve të brendshme dhe nga ato rajonale e globale. Në këtë kuadër, nuk identifikohet ndonjë rrezik, i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar" thuhet në raport. Por pavarësisht faktit se, niveli i rreziqeve është i administrueshëm, Banka e Shqipërisë ka rekomanduar rritjen e kujdesit mbikëqyrës nga ana e autoriteteve rregullative të tregut financiar, si dhe nga vetë institucionet financiare dhe nga publiku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›