E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stabilizohet leku, fiton pikë ndaj euros

Monedha kombëtare vazhdon të rifitoj pikët e humbura kundrejt euros. Në tregun e këmbimit valutor një euro është blerë sot me 131 ,132 lekë dhe është shitur me 134 lekë. Vetëm para disa ditësh një euro arriti vlerën më të lartë në këmbimin valutor dhe u shkëmbye me 141 lekë. Euro fitoi mjaft pikë kundrejt monedhës kombëtare por tashmë duket se çdo gjë po shkon drejt stabilizimit. Rritja e euros shkaktoi shumë debate midis specialistëve të ekonomisë për efektet dhe ndikimet që ajo do të kishte në ekonomi. Megjithatë shumë prej specialistëve e përcaktuan këtë si një lëvizje normale të tregut të këmbimit valutor. Të njëjtin prononcim ka përsëritur vetëm para pak ditësh edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani. Ulje të konsiderueshme kundrejt lekut ka pësuar edhe dollari amerikan i cili është blerë sot me 89 lekë dhe është shitur me 93 lekë.
Ndërkohë që vetëm disa ditë më parë një dollar është blerë 93 lekë pra me dy pikë më tepër. Euro ka humbur pikë edhe në kursin nderkombëtar të këmbimit valutor. Ndërkohë që dollari javën e fundit ka fituar disa pikë. Sipas specialistëve ulja e euros në tregun ndërkombëtar ka filluar të japë efektet e saj edhe në tregun shqiptar të këmbimit valutor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›