E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stabilizohet tregu i këmbimit, Euro në kuotën e 135 lekëve

Euro ka zbritur në nivelin e 135 lekëve, duke dëshmuar se tregu i këmbimit është stabilizuar. Kambistët shpjegojnë se fluksi i shkëmbimeve valutore është normal. Krahasuar me vitin e kaluar, Euro ka pësuar një rritje të ndjeshme. 

TIRANE- Euro është stabilizuar në tregun e lirë të këmbimit valutor pas rekordit të shënuar pak ditë më parë. Gjatë ditës së sotme monedha e eurozonës ka pësuar sërish rënie. Ajo është blerë me 134.5 lekë dhe është shitur me 135 lekë, ndërsa dollari është këmbyer me 92.6 lekë në blerje dhe me 93.1 lekë në shitje. Tregu i këmbimit i është rikthyer ritmeve normale, ashtu sic kishin parashikuar edhe kambistët. Këta të fundit bëjnë të ditur se fluksi i shkëmbimeve valutore është normal si në kahun e blerjeve ashtu edhe të shitjeve. Por pavarësisht rënieve që ka pësuar gjatë ditëve të fundit, euro mbetet në nivele më të larta kundrejt një viti më parë. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, 1 euro është blerë në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 123.7 lekë dhe është shitur me 124.2 lekë. Monedha e eurozonës është forcuar gjatë këtij viti me rreth 10 lekë. Kjo do të thotë që të gjithë qytetarët që kanë marrë kredi në valutë dhe të ardhurat i kanë në lekë, tani paguajnë më shumë për këstet mujore pasi interesave u shtohet edhe kosto e transaksionit.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›