E Diel, 1 Nëntor 2026

Stacioni i Bajzës pastrohet nga kimikatet e rrezikshme

 

Që prej 10 shtatorit, stacioni hekurudhor i Bajzës, do të jetë plotësisht i pastër nga pesticidet dhe kimikatet e rrezikshme që gjendeshin aty prej 18 vjetësh. Kjo u bë e mundur përmes një projekti të PNUD-it, agjencisë së OKB-së në Shqipëri me financimin e qeverisë holandeze. Pastrimi i depove të këtij stacioni hekurudhor po bëhet që prej 17 muajve, nëpërmjet një kompanie të specializuar angleze e njohur në të gjithë botën në këtë fushë. Ajo është kompania "Arundelle", e cila me specialistët e saj ka vendosur në kuti të posaçme 12 tonë kimikate dhe 6 tonë përzierje lëkure e kimikatesh, që ndodheshin në këtë vend që prej fillimit të viteve '90. Këto kimikate do të transportohet drejt Anglisë ku do të asgjësohen në inceneratorë. Bajza ishte për institucionet mjedisore, por dhe ato shëndetësore, një nga pikat më të nxehta problematike në Shqipëri, e cila kishte mbetur pa zgjidhje për vite të tëra, por që ka shkaktuar dhe jo pak viktima në banorët e zonës përreth. Gjatë viteve 1991 dhe 1992, një tren me 480 tonë substanca kimike të rrezikshme i importuar nga Gjermania u ruajt në stacionin hekurudhor të Bajzës. Më të rëndësishme nga këto substanca kimike janë toxaphene dhe phenyl mercury acetate, që të dyja të ndaluara në Komunitetin Evropian që prej vitit 1983. Një litër toxaphene, për shembull, është në gjendje të ndotë 2 milionë metër kub ujë dhe zhdukjen e të gjithë peshqve në atë zonë. Pas zhurmës mediatike që iu bë këtij problemi të jashtëzakonshëm jetësor për banorët e zonës, treni me kimikate u kthye sërish në Gjermani, por ndërkohë banorët e zonës, kishin nisur në atë kohë zbrazjen e fuçive dhe bidonave plastike për t'i përdorur për mbajtjen e ujit të pijshëm. Kimikatet u derdhën në ambientet e stacionit të trenit, ndërsa ato nisën të përhapen mbi tokë dhe nëntokë. Alarmi mediatik por dhe institucional, bëri që e gjithë pjesa e mbetur e kimikateve të magazinohej në dy depot e mëdha, ndërsa kërkohej një ndërhyrje e madhe që ato të largoheshin përfundimisht prej aty. Kryetari i Komunës Bajzë, Gjovalin Veshtaj, tha dje se pesticidet dhe kimikatet e tjera në këto depo kanë ndikuar negativisht në jetën e banorëve. "Që prej kohës që këto kimikate ndodhen në stacionin tonë hekurudhor, numri i vdekjeve nga kanceri, por dhe sëmundje të tjera është dyfishuar edhe tek të rinjtë në lagjen pranë stacionit hekurudhor", u shpreh për "Panorama", Veshtaj. Sipas tij, ende banorët mbajnë dhe përdorin bidonët plastikë të marra në fillim të viteve '90 në depot e kimikateve. Ndërsa drejtori i stacionit hekurudhor Bajzë, Valentin Popaj, tha dje se pastrimi i këtyre depove pritet të rrisë shkëmbimin e mallrave në stacionin e vetëm ndërkombëtar, që lidh Shqipërinë me gjithë Evropën.  a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›