E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stadiumet e Euro 2012 Ukraina inaguron stadiumin e ri

Ukraina ka nisur kundërsulmin ndaj gjithë kritikave të skeptikëve, duke inaguruar stadiumin e ri të Kievit, i cili do të presë ndeshjet e Euro 2012. Ukrainasit kanë qenë gjithmonë në shënjestër të akuzave për shkak të vonesave dhe dyshimeve për korrupsion në lidhje me projektin e ndërtimit, rikonstruksionit e stadiumeve dhe infrastrukturës së nevojshme që kërkon një kompeticion gjigand si kampioonati europian i futbollit.

Nuk kanë munguar edhe zërat që flisnin për heqjen e të drejtës së organizimit, por me inagurimin e stadiumit të ri organizatorët i kanë dhënë një goditje të gjithë skeptikëve. “Olimpisky Stadion” ka një kapacitet përj 70 mijë vendesh, ndërsa sipas mediave lokale ai ka kushtuar 600 milionë euro. Kësaj shumë i shtohen edhe shpenzimet për ceremoninë madhështore që organizatorët i kanë rezervuar inagurimit të impiantit të ri.

E konceptuar si një festë me nota folklorike, në ceremoni ka marrë pjesë dhe presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, i cili ka bërë të ditur se vendi i tij do të zhvillojë një turne të denjë dhe spektakolar për vetë madhështinë që ka Euro 2012. Mes 2 mijë artistëve vendas, e ftuara speciale ka qenë këngëtarja kolumbiane Shakira, e cila një vit më parë hapi finalet e Botërorit 2010. Gjithsesi, festa për inagurimin e stadiumit të ri është prishur nga protesta e një shoqate feministe, e cila pretendon se Euro 2012 do të lulëzojë turizmin e seksit në Ukrainë. “Olympisky Stadion” i Kievit do të presë ndeshjen e parë më 11 nëntor, ditë kjo kur Ukraina do të luajë një ndeshje miqësore kundër Gjermanisë.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›