Lala rikthen shpresë te Hanoveri, por Volfsburgu i mund në shtëpi
Në ndeshjen e tretë pas rikthimit nga ai dëmtim i rëndë, Altin Lala rikthen besimin dhe shpresën te mesfusha e skuadrës së tij, Hanoverit. Në takimin e javës së 22-të kundër Verderit, shqiptari luajti si zëvendësues. Në atë të javës së 23-të ndaj Dortmundit e nisi si titullar, por u zëvendësua në minutën 68-të. Ndërkohë që në takimin e djeshëm, Lala u aktivizua që nga minuta e parë dhe deri në atë të fundit ishte një nga më të mirët e skuadrës së tij në fushë. Falë paraqitjes së tij, Hanoveri luajti një pjesë të parë të shkëlqyer, por i mungoi goli. Edhe pjesën e dytë Hanoveri ishte i vendosur mirë në fushë, por Volfsburgut i buzëqeshi fati, duke shënuar një gol, i cili fiksoi një humbje të pamerituar për skuadrën e Lalës. Te barazimi është ndalur dje edhe Sanderlendi i Lorik Canës kundër Fulhemit në Premier League. Ndërsa një humbje të hidhur ka pësuar Rapidi i Vjenës i Handi Salihit në Austri, pasi u mund 0-1 në shtëpi nga rivali për titull, RB Salzburg.
#