Stafi i bashkisë së Tiranës i bashkohet nismës "Duke dhuruar gjak, dhuron jetë"
Stafi i bashkisë së Tiranës i është bashkuar sot nismës “Duke dhuruar gjak, dhuron një jetë”, e ndërmarrë nga Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut. “Prej 6 vitesh, bashkia e Tiranës është në linjën e parë të kësaj beteje jetike për të gjithë ata që janë në nevojë për gjak”, tha për përfaqësuesit e medias kryetari i bashkisë Edi Rama, pasi dhuroi gjak në mjediset e institucionit që drejton. Sipas tij, dhurimi i gjakut nuk është thjesht një akt simbolik, por një akt që sjell menjëherë të mira për të gjithë ata që kanë nevojë, gëzim për ato familje që kanë fëmijë, të reja, të rinj e të moshuar që kërkojnë gjak. Nëpërmjet dhurimit vullnetar në vite, stafi i bashkisë së Tiranës ka synuar jo vetëm sigurimin e një sasie të konsiderueshme të gjakut për njerëzit në nevojë, por është përpjekur të sensibilizojë opinionin për këtë akt human.
...