E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Sistemi bankar nis kreditimin për sektorin imobiliar



Ervin KOÇI

Sektori bankar duket se e ka “thyer akullin” duke nisur rikreditimin për sektorin imobiliar në vend. Ky i fundit mbetet një prej sektorëve i cili ka thithur dhe numrin më të lartë të portofolit të kredive nga sistemi bankar në vend gjatë viteve të fundit. Sipas një raporti të fundit të publikuar nga Shoqata e Bankave, kreditimi për blerje pronash të patundshme gjatë dy muajve të parë të këtij viti ishte 7.7 miliardë lekë, me rritje 85 për qind kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë muajit janar, bankat dhanë 5.2 miliardë lekë kredi të re të destinuar për blerje pronash të patundshme, nga vetëm 2 miliardë që patën dhënë në janar ‘09, kur kriza qe në kulmin e saj. Në shkurt kreditimi në këtë sektor ishte ende i dobët, por gjithsesi tendenca e përgjithshme është pozitive. Kredia e re për prona ishte vetëm 230 milionë euro, nga 600 milionë që ajo ishte në vitin 2008. Rritja e shpejtë e depozitave në banka gjatë muajve të fundit i shtyu këto të fundit t’i rikthehen kredive të parapëlqyera të shqiptarëve, ato të blerjes së pronave të patundshme. Aktualisht, disa banka i janë rikthyer fushatave publicitare për produktet e kredive për shtëpi, diçka që nuk e kishin bërë për më shumë se një vit. Nga ana tjetër, gjatë muajit shkurt, pjesa dërrmuese e kredisë së re për prona të patundshme u tërhoq nga disa kompani. Bankat duket se janë veçanërisht të prira për hapjen e kreditimit në këtë kohë, për shkak se shumë prej kredive të dhëna vitet e shkuara po maturohen, gjë që ka krijuar para të lira, të cilat bankat do të duhet t’i përdorin përsëri. Stoku i kredive për shtëpi të tërhequr nga individët mbeti i pandryshuar gjatë muajit shkurt.

Interesat e kredive
Rigjallërimi i sektorit të kredive për shtëpi duket se ka ardhur me kosto për konsumatorët. Interesi mesatar i kredive të reja për këto produkte është rritur ndjeshëm, si për kreditë e dhëna në euro ashtu edhe për ato të dhëna në lekë. Kreditë për shtëpi në euro për klientët individë në shkurt të këtij viti u rritën në 8.01 për qind nga vetëm 6.51 për qind që ishin vitin e kaluar. Interesat e kredive për prona të patundshme të tërhequra nga kompanitë u rritën në 8.81 për qind nga 7.58 për qind që ishin në shkurt 2009. Në rritje janë edhe interesat për kredi në lekë, për blerje pronash të patundshme.

Kërkesa për kredi
E ndërsa bankat duket se kanë likuiditetin e nevojshëm për të kredituar ekonominë, është kjo e fundit që e ka ulur kërkesën për kredi. Sipas një sondazhi që kryhet çdo tre muaj nga INSTAT për llogari të Bankës së Shqipërisë, kërkesa për kredi është në nivele shumë të ulëta. Kredimarrësit ndjehen të pasigurt për gjendjen e tyre financiare dhe kanë shtyrë për më vonë marrjen e vendimeve të rëndësishme. Nga ana tjetër, edhe kërkesa për apartamente është shumë e ulët. Disa ankande të zhvilluara në zyrat e Përmbarimit për shitje apartamentesh të sekuestruara në formë kolaterali me kërkesë të bankave, kanë dështuar, edhe pse ankandi ka nisur me çmim relativisht të ulët.

Kreditimi i qeverisë, shpresa e bankave vendase

Kreditimi i qeverisë me kredi tregtare është shpresa e madhe e bankave të nivelit të dytë. Ekspertët shpjegojnë se bankat e nivelit të dytë po mbajnë një nivel të lartë likuiditeti aktualisht dhe nuk po nxitojnë të kreditojnë, në pritje për të parë nëse qeveria do të ketë sukses në emetimin e eurobondit. Qeveria shpreson të sigurojë borxhe me vlerë 350 milionë euro në tregun ndërkombëtar përmes emetimit të eurobondeve. Vitin e kaluar, qeveria nuk arriti të emetojë eurobonde dhe iu drejtua bankave në negociata direkte. Bankat në Shqipëri i dhanë qeverisë një të katërtën e kredisë prej 200 milionë eurosh të kërkuara nga Ministria e Financave, ose rreth 50 milionë me interes prej rreth 11.5 përqindësh në vit, ndërkohë që në tregun e brendshëm, vështirë se mund të jepnin kredi me interes më të lartë se 8 për qind. Kjo sjell fitime shumëfish për bankat, për shkak se kreditimi i qeverisë ka kosto administrimi të papërfillshme, si dhe nuk mbart rrezik moskthimi, ndryshe nga kreditimi i klientëve në treg të hapur, proces që mbart njëkohësisht kosto dhe rrezik. Në rast se qeveria arrin të gjejë blerës për eurobondin e vet, për të cilin ka disa javë që nuk flet dhe nuk ka dhënë as një datë të saktë se kur do të emetohet, atëherë bankat do të detyrohen të kërkojnë kredimarrës në treg të hapur.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›