E Diel, 1 Nëntor 2026

Stafi mjekësor i urgjencës së Kirurgjisë: Meritojmë edhe ne, pagesë vështirësie

>Sëmundjet infektive të pacientëve rrezikojnë edhe mjekët e infermierët e urgjencës

Vendimi i Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të stafit mjekësor të spitalit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza ka ngjallur reagimin e kolegëve të tyre në urgjencën e kirurgjisë. Sipas këtyre të fundit, pagesa për vështirësi në punë u takon me ligj njësoj si mjekëve dhe infermiereve të infektivit, pasi rreziku ndaj infeksioneve që mund të mbartin pacientët është i njëjtë. E vlerësojmë vendimin e qeverisë për rritjen e pagës së stafit të spitalit infektiv por mendojmë se një vendim i tillë duhet të ishte parë edhe për ne, sepse edhe ne punojmë me pacientë që mund të jenë të rrezikuar. Madje, mund të themi që ndoshta jemi edhe më shumë të rrezikuar se kolegë tanë të infektivit. E themi këtë sepse, nëse ata e dinë mirë sëmundjen e pacientit që kanë në kurim, ne merremi me rastet urgjente dhe shpeshherë mjekojmë pacientë me sëmundje nga më të ndryshmet, të cilat ne nuk ua njohim ndaj edhe jeta jonë vihet në rrezik, shprehen mjekë dhe infermiere të urgjencës së kirurgjisë në QSUT. Si shembull konkret ata kujtojnë historinë e një çifti të thyer në moshë, të cilët ishin shtruar tek spitali infektiv sepse ishin mbartës të virusit HIV/AIDS. Infermieret tregojnë se gruas 65- vjeçare i doli një gjëndër në qafë ndaj spitali infektiv e përcilli për në urgjencë për operim. Na paralajmëroi fshehurazi infermierja e infektivit për sëmundjen e gruas, se ne nuk do e kishim mësuar një gjë të tillë dhe për shkak të një pakujdesie të vogël mund të kishim rrezikuar edhe veten gjatë mjekimit të saj. Po sa raste na vijnë ne në ditë që kërkojnë mjekim dhe ne e kemi as idenë më të vogël të sëmundjeve që ata mund të kenë?! Prandaj themi që ne shpeshherë jemi edhe më të rrezikuar se stafi i infektivit, i cili i ka bërë një diagnozë pacientit para se ai të mjekohet, shprehen infermieret e urgjencës.
Kërkesa për vështirësi, vite më parë
Infermieret e urgjencës së kirurgjisë tregojnë se ashtu si spitali infektiv edhe stafi i tyre ka bërë një kërkesë për pagesë vështirësie në punë. Ato tregojnë se një kërkesë të tillë e kanë bërë që prej 5 vitesh, por edhe pse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, ende nuk kanë marrë një përgjigje pozitive. Na mbajnë kot me gënjeshtra herë pas here, por asnjë vendim konkret nuk ka dalë për ne. Ne kemi kërkuar në ministri edhe rikthimin e statusit të urgjencës, në bazë të të cilit neve duhet të na paguhet vështirësia në punë, ditët e festave, e shtuna dhe e diela etj., por as që ka dashur njeri tia dijë për ne, tregojnë infermierët. Statusi i urgjencës u hoq rreth 10 vite më parë dhe që prej asaj dite, ndërrimi i herëpashershëm i krerëve drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë por dhe Qendrës Spitalore ka bërë që kjo e drejtë e këtyre punonjësve të shëndetësisë të harrohet sikur të mos kishte ekzistuar ndonjëherë. Infermieret shprehen të indinjuara mbi të gjitha sepse nuk mund të krahasohen as me kolegët e tyre në rrethe. Sipas tyre, aktualisht ky status funksionon në urgjencat e rretheve, ndërsa në urgjencën e QSUT-së, as që bëhet fjale se do të vendoset sërish ndonjë herë në të ardhmen. Urgjenca e Kirurgjisë në QSUT është ndoshta një nga repartet më të vështira të kësaj qendre spitalore. Një staf mjekësh dhe infermierësh të kualifikuar, të cilët punojnë çdo ditë të rrezikuar për jetën, si nga sëmundjet e pacientëve të ndryshëm, ashtu edhe nga situata në të cilën vijnë për tu mjekuar pacientët. Pak kohë më parë, na erdhi një pacient i cili në përleshje me një tjetër, e kishte vrarë këtë të fundit por ishte plagosur edhe vetë. U rrethuam me policë që nga oborri i urgjencës e deri brenda në sallë tek pacienti, pasi policia ekzistonte frika se pala e vrarë mund të vinte të merrte hak edhe brenda në urgjencë, ku ndodhej autori. Por kjo nuk është e vetmja histori ku ne jemi ndier të frikësuar, pse jo edhe të kërcënuar me jetën, përfundojnë infermierët, të indinjuara nga vendimi i njëanshëm i qeverisë për pagesën e vështirësisë së punës në QSUT.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›