Të pastrehët nga shtëpitë e pronarëve: "Nuk duam kredi, duam shtëpi"
/>Të mbetur të pa strehë edhe pse jetojnë në shtëpi, kështu janë 200 familje Shkodrane, të cilët banojnë në shtëpitë një katërshe që tashmë iu janë kthyer ish pronarëve. Ata ende nuk e dinë se si do të trajtohen si të pa strehë sepse aktualisht, pas kthimit të pronës te ish pronarët trajtohen si, Të pa strehë në shtëpitë e ish pronarëve. Nga pushtetarët, përfaqësues të këtij populli ata kërkojnë që të trajtohen si familjet të cilat kanë përfituar shtëpi falas ose thuajse falas në bazë të ligjit 7652.
Ata në një letër drejtuar: Z. Bamir Topi, president i Republikës së Shqipërisë, kryetares së Parlamentit znj. Jozefina Topalli, kryeministrit Sali Berisha, kryetarit të PS Edi Rama, Avokatit të popullit, Ermir Dobjani, drejtorit të zyrës për mbrojtjen e qytetarëve, Aldo Shala si dhe të gjithë deputetëve të Parlamentit Shqiptar, kërkojnë që të trajtohen si të barabartë me 230 000 familjet shqiptare, që përfituan banesa thuajse falas, ose falas në bazë të ligjit 7652 datë 23.12.1992. Në letër ata shprehen, Jemi mbi 200 familje nga Shkodra, që banojmë në ndërtesat e ish pronarëve, që ne vitin 1992, ishin banesa shtetërore, si të gjithë apartamentet e pallatet shumëkatëshe. Zotërinj që ju jemi drejtuar, kërkojmë të arsyetoni, në interes të popullit, siç e keni misionin, përfaqësues të popullit dhe me arsyetimin logjik të zgjidhni problemin tonë për strehim. Ne nuk jemi të pa strehë banojmë në shtëpitë, ish shtetërore, sot te kthyera ish pronarëve, duhet të barazohemi dhe të trajtohemi si 230 000 familjet shqiptare, të cilat me ligjin 7652 përfituan strehë, siç ka premtuar disa herë Zoti Sali Berisha, kur ka qenë President i Republikës së Shqipërisë. Neve na takon të bëhemi pronarë të banesave që do të ndërtohen, e jo të paguajmë qira gjithë jetën, pasi ka mjaft familje që paguajnë qira mbi 60 vjet. Qiraja thuhet se është e ulët, kështu u duket atyre specialistëve që e kanë përcaktuar. Por ne i themi se qiraja e një muaji që do të paguajmë ne është sa dy, ose tre fish i shumës që kanë paguar rreth 70% e familjeve të cilat kanë privatizuar banesat me ligjin 7652, që ato shtëpi sot janë shitur dhe shiten me miliona. Ashtu edhe e ashtuquajtura kredi e butë përmban në vetvete miliona që do të paguhen gjithë jetën e ndoshta edhe pas vdekjes nga trashëgimtarët e tyre. Kush ka qenë në pallat, ka pasur fat e ka përfituar banesë. Kush ka qenë në shtëpitë e ish pronarëve nuk kanë pasur fat dhe do të blejnë banesat, ose do të paguajnë qira gjithë jetën derisa të vdesin. Banorët gjithashtu në letrën e tyre kërkojnë që të trajtohen si të gjithë të tjerët, dhe të gjendet edhe për ata një strehë. Ky është një problem jetik për ta ndaj ata kërkojnë nga shteti që të merren masa dhe iu luten pushtetarëve që të gjejnë pak kohë e të merren me problemin e tyre.