E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me ndihmën ekononimke, përjashtohen mbi 30 mijë

Personat përgjegjës duhet të kthejnë shumën e përfituar padrejtësisht

Jonida Tashi
Abuzimet me përfitimin e ndihmës ekonomike kanë bërë që të nxirren nga skema rreth 3167 famije. Këto familje, të cilësuara si në nevojë, e kanë përfituar në mënyrë abuzive këtë pagesë. Shërbimi Social Shtetëror, bën publik të dhënat e analizës së gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, në procesin e zbatimit të politikave sociale të Ministrisë së Punës për zbutjen e varfërisë dhe përkujdesin shoqëror për familjet dhe individët në nevojë. Kështu, në këtë gjashtëmujor, Drejtoria e Inspektimit dhe Zyrat Rajonale, kanë realizuar inspektimin e 209 Njësive të Qeverisjes Vendore. Gjatë inspektimeve të ushtruara për tremujorin e parë të vitit 2008, janë konstatuar raste të: Moszbatimit të legjislacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike për 3167 familje me një efekt financiar 8 102 000 lekë; Moszbatim të legjislacionit të përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për 740 raste me një efekt financiar 6 410 000 lekë. Për të gjitha këto shkelje të konstatuara, janë propzuar gjithsej 69 masa administrative, nga këto 5 largime nga puna, 53 vërejtje me shkrim, 11 gjoba për personat përgjegjës si dhe është lënë detyrë për tu kthyer shuma 5 765 000 lekë e përfituar padrejtësisht. Në zbatim të politikave sociale të qeverisë për zbutjen e varfërisë, SHSSH gjatë periudhës gjashtëmujore të vitit 2008, realizoi menaxhimin dhe shpërndarjen e një fondi prej 1.7 miliardë lekë nëpërmjet të cilit u trajtuan, mesatarisht si gjashtëmujor, rreth 101.000 familje të varfra nga të cilat: 41 mijë familje me ndihmë të plotë dhe 60 mijë familje me ndihmë të pjesshme. Ecuria dhe dinamika e programit të NE, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, tregon se është përforcuar tendenca e uljes së numrit të familjeve përfituese nga ky program. Aktualisht, janë rreth rreth 93 500 familje të varfëra që përfitojnë NE ose rreth 7500 familje më pak krahasuar me dhjetorin e vitit 2007.
Pagesa për PAK
Numri i përfituesve të pagesës së PAK (Persona me Aftësi të Kufizuar), gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, ka ardhur në rritje. Në krahasim me vitin e kaluar, kjo skemë është rritur me 7091 persona ose 7 për qind më shumë. Rritja ka qenë më e lartë në invalidët e punës dhe në kategorinë e përfituesve të shërbimit të kujdestarisë. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, me fondet buxhetore janë trajtuar 122.091 Persona me Aftësi të Kufizuar (PAK) nga të cilët: 54686 persona me diagnoza të ndryshme nga të cilët 8155 përfitojnë kujdestari; 14 738 persona të verbër nga të cilët 3 595 përfitojnë kujdestari; 2 237 persona para e teraplegjik nga të cilët 2095 përfitojnë kujdestari dhe 1991 persona përfitojnë paketën higjeno-sanitare; 48 335 persona që përfitojnë nga statusi i invalidit të punës. Ndërsa për procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale, janë marrë masa për të siguruar transfermimin e institucioneve të përkujdesit në varësi të pushtetit vendor mbi bazën e respektimit të standardeve dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve të ofruara. Aktualisht, ka përfunduar transferimi aseteve, fondeve dhe inventarit për 19 institucione të cilat tashmë administrohen nga qeverisja vendore.

Box
Për gjashtë muaj, vetëm 21 birësime
Vetëm 21 fëmijë të braktisur kanë arritur të birësohen për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Nga këto, 14 birësime janë bërë jashtë vendit dhe shtatë brenda tij. Gjatë periudhës janar–qershor 2008, në rrjetin e Institucioneve publike dhe jo–publike të përkujdesit shoqëror janë trajtuar 583 fëmijë. Në institucionet publike janë trajtuar 294 fëmijë, ndërsa 344 në OJF. Janë trajtuar në 24 qendra ditore dhe 17 rezidenciale jo– publike gjithsej 6354 fëmijë (270 rezidenciale). Pra rreth 90 për qind e fëmijëve në vendin tonë trajtohen në format alternative jorezidenciale të shërbimit. Gjithashtu, janë pranuar gjithsej në institucione publike dhe jopublike me Vendim Komisioni janar–qershor 2008, 93 fëmijë (54 fëmijë në institucionet jopublike dhe 39 fëmijë në institucionet publike.

72 OJF të palicensuara në të gjithë vendin
Ofrimi i shërbimeve të palicensuara është një nga problemet me të cilat hasen shtresat në nevojë. Aktualisht, në vendin tonë numërohen 72 OJF të palicensuara në të gjithë vendin. Shërbimi Social Shtetëror, institucioni që vlerëson zbatueshmërinë e standardeve në veprimtaritë e subjekteve, të cilat ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta sociale për shtresat në nevojë, ka mbledhur dhe po shqyrton dokumentacionin për licensimin e 18 Organizatave të tjera Jo-Fitimprurëse(OJF). Sipas SHSSH-së, procesi i licensimit të OJF-ve, po kryhet me synimin që këto subjekte të garantojnë cilësinë e shërbimeve sociale të specializuar për kategoritë e shtresave në nevojë. Dhënia e licensës synon motivimin e OJF-ve për të qenë organizata partnere në mbështetjen sociale të grupeve në nevojë. Ndërkohë të gjithë ofruesit e shërbimeve shoqërore publike dhe jopublike janë të detyruar të pajisen me licensë të veçantë nga Ministria e Punës, si autoriteti përgjegjës i licensimit.

Sot, rreth 7400 maturantë të Tiranës do ti nënshtrohen provimeve me zgjedhje
Rreth 7400 maturantë në Tiranw, nga të cilët 1100 maturanët të viteve të kaluara, do të testojnë sot dijet e tyre në provimet me zgjedhje (Z1 dhe Z2) të Maturës Shtetërore. Specialistët e Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve (AVA) të izoluar në ambientet e kësaj agjencie, janë në fazat e fundit përgatitore të testeve. Dje ata kanë përfunduar procesin e hartimit, printimit dhe në fund të shpërndarjes së tyre. Këto provime do të përmbajnë rreth 20 pyetje të përzgjedhura nga fondi i përgjithshëm i pyetjeve për provimet e Maturës Shtetërore. Që një maturant të marrë pikë maksimale në provimet e Maturës Shtetërore duhet shkojë në kuotën e 180 pikëve. Nga këto, 100 duhet t’i marrin në provimet me detyrim dhe 80 të tjera në dy provimet me zgjedhje. Testet kanë nisur të shpërndahen në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme nga Tirana deri në rrethin më të largët, duke nisur me Tropojën për të mbërritur në kryeqytet.

Zvicra ofron 3 milionë euro Arsimin Profesional shqiptar
Zvicra i ka ofruar 3 milionë euro vendit tonë për zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional. Këshilli i Ministrave, vendosi dje, për miratimin e kësaj marrëveshjeje që do të nënshkruhet nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës. Sipas marrëveshjes, do të krijohet një “qendër e lëvizshme” e Formimit Profesional për zonën verilindore të vendit, e cila është menduar të ushtrojë aktivitetin e saj në qytetet: Pukë, Kukës, Tropojë, Peshkopi dhe Burrel. Nëpërmjet ngritjes së qendrës të lëvizshme të formimit profesional të sipërpërmendur synohet që në këto qytete të ofrohet Formim Profesional nëpërmjet kurseve, në fusha të kërkuara nga tregu i punës, duke u ardhur në ndihmë kryesisht të papunëve, që në këto qendra janë të shumtë. Por projekti do të mbështesë reformën e nisur në fushën e AFP edhe me përmirësimin e ambienteve të shkollave profesionale dhe qendrat publike të Formimit Profesional, si dhe me mbështetje për bazën materiale të kushtueshme të këtyre shkollave.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›