E Diel, 1 Nëntor 2026

Eleminimi i punës së fëmijëve, nis zbatimi i projektit në praktikë



Fenomeni i punësimit të fëmijëve në vendin tonë pritet të eleminohet. Organizata Ndërkombëtare e Punës, ka vendosur të ndihmojë qeverinë shqiptare edhe për pesë vjet të tjera për parandalimin dhe eleminimin e këtij fenomei shqetësues për shoqërinë. Qeveria ka vendosur dje, miratimin, në parim, të Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të vendit tonë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës, përfaqësuar nga Zyra Ndërkombëtare e Punës, për eleminimin e punës së fëmijëve. Qeveria shqiptare, nënshkroi për herë të parë në vitin 2003, Memorandumin e Mirëkuptimit për Eleminim e Punës së Fëmijëve me ILO/IPEC, për një periudhë pesë vjeçare. Ky Memorandum është në fuqi deri në muajin gusht të këtij viti. Duke parë situatën e punës së fëmijëve në vendin tonë, ILO/IPEC ka programuar që mbështetja e vendit tonë për parandalimin dhe eleminimin e punës së fëmijëve, të vazhdojë edhe për pesë vitet në vijim, duke kërkuar rinovimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me qeverinë shqiptare. Sipas këtij Memorandumi, qeveria shqiptare, do të jetë përgjegjëse për sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha institucioneve qeveritare, puna e të cilave lidhet me eleminimin e punës së fëmijëve. Gjithashtu, shteti ynë, do të vazhdojë të pranojë zyrën e IPEC dhe zyrtarët e saj në Shqipëri, dhe do të mbështesë aktivitetin e Komitetit Drejtues të krijuar më parë, në përbërje të të cilit janë përfaqësues të organizatave të Punëdhënësve dhe të Punëmarrësve, të Organizatave jo Qeveritare të cilat kanë aktivitet në fushën e punës së fëmijëve. Zyra Ndërkombëtare e Punës (ILO), do të sigurojë mbështetje financiare për aktivitetet e IPEC, shërbime këshillimore dhe mbështetje teknike për institucionet qeveritare dhe organizatat e shoqërisë civile.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›