E Diel, 1 Nëntor 2026

Standardet e Ramës dhe standardet e zgjedhjeve

Dr. Luçiano Boçi * 

Edi Rama vazhdon bojkotin e Parlamentit, ndërsa ata shqiptarë që dhanë votën për deputetët e PS-së mbeten të papërfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ai bërtet se standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk u plotësuan, ndërsa përkundër kësaj të gjitha raportet theksojnë e bardha mbi të zezë se ato ishin më të mira se të gjitha të kaluarat dhe tepër të pranueshme. Në asnjë rresht të raporteve (certifikuesve të zgjedhjeve) nuk shkruhet se zgjedhjet nuk patën suksesin e pritshëm.
Edi Rama vazhdon të ketë jo vetëm dy standarde, por njëkohësisht manipulon dhe spekulon duke shkëputur pjesë të veçanta nga teksti dhe konteksti. Vazhdimisht para kamerave lexon dhe rilexon një fjali të raportit të OSBE-ODIHR-it, sipas të cilës në 22 KZAZ numërimi u bë keq ose shumë keq, duke shmangur qartazi fjalitë pasardhëse, të cilat shpjegojnë saktësisht përmbajtjen e të parës dhe argumentojnë se ky lloj konkludimi ka ardhur jo për shkak të keqnumërimit me dashje të përkatësisë së votave nga anëtarët e GNV-ve, por sepse, siç shprehet mot-a-mot raporti, “u vunë re mangësi procedurale, të cilat dukej se ishin pjesërisht pasojë e trajnimit dhe udhëzimeve të pamjaftueshme” (Raporti në shqip i  botuar në faqen zyrtare të OSCE http://www.osce.org/odihr-elections/documents.html?lsi=true&limit=10&grp=207, f.4, fjalia pas), pra si rezultat i mangësive tekniko-procedurale.
Ndërkohë, përpos kësaj, zoti Rama bën sikur harron se në paragrafin pasardhës nxirret përfundimi se, “Nuk pati asnjë provë të numërimit të parregullt ose të manipulimit të rezultateve, dhe, përveç bllokimit të numërimit në disa prej VNV-ve, nuk pati as ndonjë parregullsi të madhe në VNV” (Raporti në shqip i  botuar në faqen zyrtare të OSCE http://www.osce.org/odihr-elections/documents.html?lsi=true&limit=10&grp=207, f.4, paragrafi i dytë).
Madje ai injoron një tjetër konkluzion fshikullues, për pozicionin viktimizues që kërkon të marrë, sipas të cilit: “Nga KZAZ-të në këto VNV, 12 kishin shumicën e anëtarëve të caktuar nga opozita dhe 10 kishin shumicën e anëtarëve të caktuar nga partitë qeverisëse” (Raporti në shqip i botuar në faqen zyrtare të OSCE http://www.osce.org/odihr-elections/documents.html?lsi=true&limit=10&grp=207, f.25, paragrafi i parë). Shkurt dhe po të nisemi nga logjika e vetë Edi Ramës, që flet për vjedhje e shtrembërim, kjo i përngjet fabulës ku hajduti thërret me të madhe “kapeni hajdutin”.
Përkundër gjithë kësaj tautologjie zgjedhore, sa herë që Edi Ramës i kërkohet llogari pse ai nuk zbatoi nenin e statutit të cilin e shkroi vetë në partinë e tij, ai sugjeron me megalomani: “të mos merremi me një nen, sepse thelbi është tjetërkund”. Këtu ai nuk heziton të ndryshojë standard, sepse në fund të fundit kjo i shërben qëllimit të tij të zgjatjes së dominimit partiak.
Gjatë të gjitha ligjëratave dhe monologëve të tij, lidershipi i PS nuk pushon së përmenduri klishenë që ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe nuk kemi bërë zgjedhje me standarde të tilla. Nën efektin e kësaj deklarate, aspak të papranueshme për pjesën e dytë të saj, unë në mënyrë retorike e pyes zotin Rama nëse, ai me këtë formë të vepruari (si revolucionar “nën rrethim”) është i denjë si kryetar i një partie politike, vendi i së cilës është anëtar i NATO-s?
Unë dua të ritheksoj se Shqipëria është anëtare e denjë e NATO-s (dhe në aspektin zgjedhor) dhe PS një parti politike që ka dhënë kontributin e saj në këtë proces, ndërsa fatkeqësisht, kryetari i saj ka mbetur nostalgjik i një kohe jo shumë të largët për shqiptarët. Këtu nuk duhet harruar dhe një fakt “i vogël” që qëllimisht ngatërrohet: PS ka dhënë kontribut për anëtarësimin e vendit në NATO, gjatë kohës që Rama nuk drejtonte këtë parti. Nëse në këtë vazhdë analizojmë sjelljen e tij para, ditën e zgjedhjeve dhe pas daljes së rezultatit, do të shohim një njeri, ngjyrat dhe format e të cilit ndryshojnë shpesh. Ditën e votimit ai përgëzoi Policinë e Shtetit për detyrën e ushtruar konform ligjit dhe njëkohësisht vlerësoi dhe procesin si normal dhe të rregullt brenda të gjitha normave të paracaktuara, pra nuk kishte pasur kërcënime, kanosje, manipulime dhe blerje të komisionerëve të tij. Sapo nisi të qartësohej rezultati dhe të shfaqej në horizont maxhoranca parlamentare, zoti Rama ndërroi qëndrim, sipas parimit “kur unë nuk fitoj, vidhen votat”. Madje ky qëndrim patologjik, shkoi deri në thirrje për veprime paramilitare, si “të rrethojmë KQZ-në” apo “të mblidhet i madh dhe i vogël që nga Vermoshi deri në Konispol në Fier” se unë nuk po fitoj. Pas legalizimit të rezultatit nga Kolegji Zgjedhor (gjykata), Edi Rama nisi vetëgjyqësinë, kundërshtimin në rrugë të vendimit të saj. Imagjinoni çfarë shteti do të ekzistonte sikur çdo qytetar, që emocionalisht nuk është dakord me vendimin e gjykatës, të dalë në rrugë dhe të zhveshë e dhunojë gjyqtarin, i cili zbaton atë që është shkruar në ligj. Ky “kalorës” i çartur duhet t’i thërrasë pak kujtesës dhe të hidhet jo shumë, por dy vite më pas, në marsin e 2007, në rastin e zgjedhjeve lokale, kur me kohortën e tij marshoi rrugëve të Elbasanit për të mbrojtur atë që ai e quajti vendim të një organi të shenjtë, dhe që sot e përsëndyt-vendimin e Kolegjit Zgjedhor, megjithëse hajnisht kishte rrëmbyer një mandat. Më e moralshme do të ishte që Rama të “ndëshkojë” ligjbërësit e tij (hartuesit e Kodit, të cilët i akuzoi si shkaktarë të humbjes) para se t’ia kërkojë kusuret kundërshtarit politik, i cili hyri në një garë me të dhe fitoi. Por Edi Rama nuk pati as kurajon t’ia kërkojë bojkotin kongresit të partisë së tij. Dhunshëm e vendosi atë me “besnikët” e tij, përvoja dhe kontributi i të cilëve nuk e tejkalon atë të Partisë së Punës. Madje në rizgjedhjen e tij për kryetar, Rama bëri sikur nuk kuptoi që mori një “Jo bojkotit” nga 43 për qind e anëtarësisë së PS-së, e cila nuk shkoi në votim, shto këtu dhe 7 për qind të votave që mori kandidati tjetër, Maqo Lakrorit, i cili edhe vetë ishte kundër bojkotit. Në deklaratat e fundit të zotit Rama, spekulimisht sjell si shembuj analogë, për të argumentuar kërkesën absurde të tij, numërimin e votave në Greqi dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Afganistan. Shqiptarët lexojnë dhe i ndjekin ngjarjet politike me kujdes dhe nuk mund të mashtrohen, pasi e dinë mirë se Greqia është në proces ankimimi për zgjedhjet e fundit parlamentare. Por, përsëri zoti Rama anashkalon dhe nuk guxon të përmendë një fakt domethënës, të denjë për një kryetar partie, vendi i të cilit është në NATO, faktin se, ende pa mbaruar i gjithë numërimi i votave, kryeministri Karamanlis uroi kundërshtarin e tij politik, Papandreu për fitoren dhe dha menjëherë burrërisht dhe sipas nenit të statutit të partisë së tij (sikurse neni në statutin e PS) dorëheqjen pas humbjes.
Ndërkohë heqja e paraleleve me Afganistanin është sa demagogjike aq dhe fyese për elektoratin e majtë në radhë të parë. I gjithë rruzulli përmes mediave televizive panë masakrime për veshë dhe hundë të prera ndaj të gjithë atyre që shkonin për të votuar, por dhe fakte për mbushje kutish. Një gjë të tillë e konfirmuan dhe raportet certifikuese ndërkombëtare. Pikat e takimit nuk ekzistojnë gjëkundi. Atëherë përse bëhen këto krahasime, kur faktet e “manipulimeve” ndodhen vetëm në kokën e Ramës, të cilat e dhanë efektin e tyre për rizgjedhjen e tij në krye të PS-së. 
Unë ripyes, a është zoti Rama i denjë për kryetar të një partie politike, vendi i së cilës është anëtar i NATO-s?
Politika e re e Edi Ramës ka busull orientuese qëndrime dhe veprime të modeleve që i kanë sjellë njerëzimit ditë të errëta. Bojkoti i Edi Ramës mban erë myk i dalë nga sirtarët e vjetër të selisë ku qëndron. Një shembull i javëve të fundit, tregon qartë se sa larg është Edi Rama nga politika perëndimore, me të cilën ai propagandon se do udhëheqë vendin, në rast të një fitoreje që për shkak të tij dhe mentalitetit të tij as konturet nuk ka në horizont. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, danezi Rasmussen në vizitën e tij të parë sapo mori detyrën, vizitoi Turqinë, vendin që kundërshtoi për një kohë të gjatë kandidaturën e tij për këtë post, për shkak të karikaturave të Profetit Muhamed, të botuara në vitin 2006 në një gazetë daneze. Duke mos ndenjur në të njëjtin pozicion refuzues, Rasmussen tregoi se i përket atyre parimeve dhe normave demokratike, ku çdo njeri luan rolin e tij konstruktiv. Gjatë qëndrimit në Ankara, ai mori pjesë bashkë me udhëheqësit turq në Iftarin e organizuar me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Ky është realisht dimension i asaj që kushdo do ta etiketonte politikë e re, ose mentalitet i ri. Largësia e Ramës ndaj këtyre vlerave, që rritet në mënyrë progresive, është ankthndjellëse dhe kobndjellëse për fatet e së majtës progresiste, sepse pikat e mbështetjes së saj nuk janë standardet evropiane të mënyrës së ndërtimit të demokracisë liberale, por standardet që Rama i vendos dhe i zhvendos sipas pikës së rëndesës së pushtetit të tij të dyshimtë personal. Dhe unë përsëri bëj pyetjen retorike, a është zoti Rama i denjë për kryetar të një partie politike, vendi i së cilës është anëtar i NATO-s?
* Deputet i PD

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›