E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i gruas, autori: E vrava për nderin e mbesës

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

“E vrava për nder. Edhe sikur të ngjallej, sërish të njëjtën gjë do të bëja”. Kështu është shprehur dje në Gjykatën e Vlorës, Shezai Zhabaj, gjatë seancës së masës së sigurisë. Gjykata e konsideroi arrestimin e tij të ligjshëm dhe vendosi ta lërë në burg 45-vjeçarin nga fshati Velçë. Ai rrëfeu para togave të zeza shkakun e vrasjes së 50-vjeçares, Stoli Sheraj. “Stolia kishte më se dy vjet që keqtrajtonte mbesën dhe e përdorte atë për përfitime. I jam drejtuar policisë dhe prokurorisë, si dhe shumë institucioneve të tjera, por askush nuk mori asnjë masë. Ajo shfrytëzonte jo vetëm mbesën time, por edhe shumë vajza të tjera. Në këto kushte vendosa të merrja hak dhe të vendosja nderin në vend, ndaj e vrava”, u shpreh dje Zhabaj. Sipas tij, ai e kishte paralajmëruar shumë herë viktimën, por ajo bënte të njëjtën gjë. “E shkëputa njëherë mbesën duke e punësuar në Durrës, por Sheraj arriti ta gjente e të komunikonte me të”, vijoi më tej në deklaratën e tij 45- vjeçari. Ai u kërkoi ndjesë prindërve të tij për gjithçka kishte ndodhur, por duke u shprehur më pas se ishte krenar që kishte vënë nderin në vend. “Shkaktar është shteti në këtë krim, sepse nuk mori asnjë masë për parandalimin e saj duke më detyruar mua të kryeja vrasjen në kushte të rënda psikike”, vijoi i arrestuari. Në këtë linjë ka vijuar edhe mbrojtja e tij, duke theksuar se klienti i tij e kishte kryer krimin në kushte të rënda psikologjike. Mbrojtja i kërkoi gjykatës një masë më të lehtë sigurie, pasi momentalisht ende nuk është provuar vrasja dhe se i arrestuari cilësohet vetëm si i dyshuar. Por gjykata në fund vendosi ta lërë në burg Zhabajn. Ai rrëfeu më pas edhe episodet pas krimit të kryer. “Mbas vrasjes dola në rrugë. Pashë që po vinte një fuoristradë, e ndalova dhe i thashë të më çonte diku larg se kisha kryer një vrasje. I frikësuar nga arma më mori dhe e detyrova të shkonte drejt Karbunarës. I mora 30 mijë lekë si dhe celularin dhe më pas e lashë të lirë”, u shpreh autori i krimit. Sipas akuzës, pasi ka fshehur armën (të cilën e gjetën pas arrestimit), ai ka hipur në një furgon duke përfunduar në Kalivaç të Tepelenës. Aty ai i telefonoi një të afërmi të tij, por ky i fundit i alarmuar nga krimi që kishte kryer vuri në dijeni policinë, e cila sinjalizoi menjëherë kolegët e Tepelenës dhe në bashkëpunim kryen edhe arrestimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›