E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Lubetenit: Kush i vrau të afërmit tanë?

Të frikuar se edhe ai mund të shpëtojë sikur ish-ministri i Punëve të Brendshme gjatë vitit 2001, Lube Boshkovski, ata kanë kërkuar që gjykata të veprojë drejt dhe kryerësit e masakrës të marrin dënimin e merituar.

"Nuk e kuptoj kush na vrau neve. Nëse pas Boshkovskit tani lirohet edhe Tarçullovski, atëherë kush i vrau familjarët tanë?! Kush u fut nëpër shtëpi më 12 gusht 2001 dhe na ekzekutoi më të afërmit tanë para syve të grave e fëmijëve?! Do ishte turpi dhe mëkati më i madh nëse një udhëheqës i policisë në aksionin kundër nesh në Lubeten do të lirohej", tha një banor i Lubetenit, që për arsye sigurie kërkoi të mbetet anonim.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i Tarçullovskit, Allan Dreshoviç ka pohuar se vrasja e dhjetë civilëve në Lubeten nuk është krim lufte. "Sulmi policor në fshatin Lubeten nuk paraqet krim lufte dhe nuk duhet të trajtohet sipas të drejtës ndërkombëtare. Ky është një rast pa dëshmi të drejtpërdrejta për krime lufte", tha Dershoviç.

Gjithashtu, pala mbrojtëse e Tarçullovskit është munduar ta bindë trupin gjykues në Tribunalin e Hagës, se rasti i Lubetenit nuk është krim lufte i llojit të tillë që do të duhej të procedohet sipas të drejtës ndërkombëtare.
Duke theksuar se Tarçullovski është njeriu i vetëm në burg, si rezultat i konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, Dershovic tha se bëhet fjalë për rast që duhet ta udhëheqë Maqedonia, gjegjësisht të procedohet në nivel nacional. Në Tribunalin e Hagës të enjten është mbajtur debat lidhur me ankimimin e parashtruar nga mbrojtja e Tarçullovskit për dënimin prej 12 viteve burg.

Shqetësimi më i madh te banorët e Lubetenit ka lindur nga fakti se Qeveria e Maqedonisë ka premtuar ndihmë për Tarçullovskin. "Fatkeqësia më e madhe është se Qeveria, e cila po mbledh edhe tatimet tona ka dal në mbrojtje të Tarçullovskit. Partitë shqiptare nuk duhet të heshtin", tha njw banor i Lubetenit.

Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në korrik të vitit të kaluar e shpalli Tarçullovskin fajtor dhe e dënoi me 12 vjet burg për rastin e Lubetenit, ndërsa avokatët e tij mbrojtës para një viti e ankimuan aktdënimin. Lubeteni është fshat në afërsi të Shkupit i banuar me popullata shqiptare, ku gjatë konfliktit të vitit 2001, nga 10-12 gusht ishin vrarë 10 banorë civilë nga forcat policore maqedonase të drejtuara nga Tarçullovski.

Gjykata e Hagës pas dëgjimit të argumenteve të mbrojtjes dhe Prokurorisë pritet të marrë vendim deri në fund të kësaj ose fillimit të javës së ardhshme. Johan Tarçulloski më shumë se 4 vjet vuan dënimin për krime lufte në burgun e Sheveningenit. Tribunali i Hagës për rastin e njëjtë liroi ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski. /lajm/

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›