Standardet e dyfishta të së drejtës
Ndërhyrja e forcave të xhandarmërisë serbe në Preshevë hyn në radhën e shumë të tillave të ushtruara nga shteti i Serbisë me synimin e përshpejtimit të procesit të heshtur të spastrimit etnik në Luginën e Preshevës. Para syve tanë tashmë ka ndodhur spastrimi në komunën e Medvegjës pikërisht në këto dy dekadat e fundit dhe po vazhdon edhe në Bujanoc e Preshevë. Është ky rast që Kryesia e ASHAK-ut e ndien të nevojshme ta përsërisë shqetësimin e saj për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të vënë nën trysni të shumëfishta të drejtpërdrejta nga regjimi serb në vijën e Milosheviqit. E mbërthyer midis tre kufijve shtetërorë dhe kufirit të egërsisë e të armiqësisë së regjimit serb, popullsia shqiptare e Luginës nuk po ia del dot të gjejë zgjidhje. Po ashtu, procesi i dialogut midis shteteve të Kosovës dhe të Serbisë të drejtuar nga BE-ja po e nxjerr edhe më përfushë tërë absurditetin e trajtimit të problemeve të rajonit me standarde dhe parime të dyfishta: një për serbët dhe tjetri për shqiptarët, kudo që janë ata. Ndërkaq, të drejtat e njeriut janë të njëjta gjith¬andej dhe nuk mund të shihen të shkëputura nga kontekstet politike e të sigurisë. Para syve tanë po rrjedh procesi i spastrimit të heshtur etnik përmes ikjeve të vazhdueshme nën trysninë e horizontit të mbyllur...Në të njëjtën kohë, bie në sy edhe mungesa e angazhimeve substanciale, sistemore institucionale të Shqipërisë dhe të Kosovës në drejtim të krijimit të çfarëdo kuadri për lëvizje që do të krijonin hapësirë për evitimin apo zbutjen e pasojave të këtij procesi. Kryesia e ASHAKut nuk mund të mos e shprehë zhgënjimin për neglizhencën e dukshme të mekaniz¬mave evropianë dhe ndërkombëtarë, të cilët, me standardet dukshëm të dyfishta dhe me mbështetjen që po i japin këtij regjimi në integrimet evropiane pa i përmbushur standardet e respektimit të të drejtave njerëzore e kolektive të shqiptarëve, po i fryjnë agonisë dhe po bëhen pjesëmarrës në këtë proces të dhimbshëm e të heshtur të Luginës së Preshevës. Gjithë duke mbështetur përpjekjet që po bën Kosova për stabilizimin e raporteve me minoritetet dhe serbët, Kryesia e ASHAK-ut kërkon nga mekanizmat qeveritarë të Kosovës që të kërkojnë rrugë dhe mjete për zgjidhjen e problemeve reale dhe të hapjes së horizontit të shpresës për zhvillime më po¬zi¬tive për shqiptarët e Luginës
Hivzi ISLAMI / kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës