E Diel, 1 Nëntor 2026

Standardet e nderimit të policëve dhe çnderimit të shtetitNga Mero Baze Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, u përpoq të tërhiqte vëmendjen me nderimet e larta zyrtare për katër oficerët e vrarë të policisë në krye të detyrës, në përpjekje për ta ko

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Standardet e nderimit të policëve dhe çnderimit të shtetitNga Mero Baze

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, u përpoq të tërhiqte vëmendjen me nderimet e larta zyrtare për katër oficerët e vrarë të policisë në krye të detyrës, në përpjekje për ta konsideruar si fatkeqësi dhe jo përgjegjësi masakrën e krimit mbi policinë shqiptare. Me një protokoll të pazakontë respekti ndaj policëve të vrarë, rekomandimin për t’u shpallur Dëshmorë të Atdheut dhe varrosjen në Varrezën e Dëshmorëve të Kombit, po përpiqet në të vërtetë të shmanget vëmendja nga problemi i madh politik dhe shtetëror që krijon humbja e katër policëve në krye të detyrës.

Problemi i parë që krijon masakra e krimit mbi policinë shqiptare, është demoralizimi i policisë dhe dyshimi i saj i përjetshëm se shefat i shesin te kriminelët si koka turku. Nuk di të them ç’ka ndodhur në rastin konkret, por fakti që është bërë qitje nga një person i vetëm mbi kokat e katër oficerëve të policisë dhe fakti që citoi media se në vendngjarje u gjetën radio policie, tregon qartazi linjën vertikale të krimit me shefat e mëdhenj të policisë në Shqipëri. Kjo është arsyeja kryesore madhore, përse policia jonë gjendet sot e demoralizuar dhe e vrarë fizikisht dhe shpirtërisht. Nëse kriminelët kanë peng shefat e mëdhenj, policët e thjeshtë kanë aq intuitë sa t’i rrinë larg përplasjes me rrezikun. Dhe kjo nuk është një histori e re e këtyre viteve. Besimin te policia nuk e kthen dot ceremonia e varrosjes së shokëve të tyre. Ky përkundrazi është një moment, kur ata meditojnë pikërisht për fatin që i pret, nga fakti se kanë shefa ata që organizojnë ceremoninë.

Problemi i dytë, i cili mbetet politik, është përpjekja për t’i ikur përgjegjësisë politike për këtë masakër dhe mjaftimi me ceremoninë e respektit ndaj oficerëve të vrarë. Nuk di ndonjë vend të botës, qoftë dhe afrikan, që të ndodhë një masakër e tillë mbi policinë dhe të mos ketë asnjë dorëheqje, asnjë ndjesë shtetërore, asnjë reperkusion politik. Kryeministri, në vend që të dëshmonte përgjegjësinë e tij ndaj kësaj masakre të krimit mbi shtetin që ka ndërtuar ai, flet për dënime maksimale ndaj kriminelit. Ai kriminel tashmë e kreu veprën e vet. Edhe sikur të mos kishte vrarë asnjë polic, ai do merrte dënim të përjetshëm, se ka vrarë njerëz të tjerë. Sali Berisha nuk është as Prokuror i Përgjithshëm i këtij vendi, edhe pse do të hiqet si i tillë, as kryegjykatësi i këtij vendi, edhe pse sillet si i tillë. Ai është kryeministër dhe në këtë ngjarje ai nuk është në anën e atyre që gjykojnë dhe dënojnë, por në anën e tyre që gjykohen dhe janë përgjegjës për mundjen e shtetit nga krimi. Minimumi ai duhet të heshtë dhe të gjejë mënyra se si të rrisë besimin e policisë te pushteti i tij i mbushur me batakçinj të punësuar nga gjithë kriminelët e këtij vendi. Pushteti i tij është pushteti që hapi dyert e burgjeve para 28 qershorit për t’i kthyer kriminelët në ruajtës të votave të tij. Ai është përgjegjës për këtë bilanc tragjik dhe nuk ka pse na jep leksione ligjore mbi sasinë dhe cilësinë e dënimit që duhet të marrë Dritan Dajti. Ai thjesht duhet të marrë përgjegjësinë e tij, pse katër oficerë policie nuk jetojnë më, duke lënë pas vetes fëmijë dhe familje të traumatizuara.

Dhe së fundmi, duke dashur të nderohen me sinqeritet oficerët e shtetit shqiptar dhe ata njerëz që vënë në rrezik jetën për ne, ka nevojë për një standard respekti për të gjithë. Ne kemi një ushtri policësh të vrarë nga kriminelët, disa madje në skena më profesionale sesa masakra e Durrësit. Është në seriozitetin e shtetit shqiptar të ketë një standard për nderimin e tyre, pasi nuk mund të prehen disa në Varrezat e Dëshmoreve dhe disa në varrezat e fshatrave, disa Dëshmorë të Atdheut dhe disa thjesht të rënë në krye të detyrës. Nuk është as dita dhe as koha të thuhet se ç’duhet bërë, por nxitimi për t’ua bërë një ceremoni madhështore, vetëm për të fashitur përgjegjësinë që ka shteti për jetën e tyre, është fyes për ata që sot po prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Mbaj mend se, pak a shumë dy vjet më parë, në Fier, 5 policë u çarmatosën nga një i kërkuar nga policia dhe më pas ata u zhveshën dhe i liruan nga detyra. Ata dhe mund të ishin vrarë dhe nuk jam i sigurt për standardin e ceremonisë dhe respektin me të cilin do të përcilleshin. Me këtë dua të them që katër oficerët që dhanë jetën në Durrës, meritojnë më shumë respekt të sinqertë nga shteti shqiptar, duke u respektuar si oficerë të rënë në krye të detyrës dhe jo si personazhe që rrezikojnë t’i prishin imazhin politik me vdekjen e tyre kryeministrit dhe për këtë shkak veçohen nga të tjerët. Jam dakord që çdo polic i vrarë të respektohet si ata që u përcollën dje, por ama ky të jetë standard i shtetit shqiptar, dhe jo voluntarizëm politik i Sali Berishës, i cili përpiqet ta japë si dhuratë nderimin për policët, dhe jo ta ndjejë si përgjegjësi çnderimin që i ka bërë shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›