E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetime për njeriun e Dajtit në polici Nga Bledar Lumani Operacioni për arrestimin e Dritan Dajtit u dekonspirua apo veprimet dhe organizimi i oficerëve të policisë për prangosjen e tij janë kryer gabim? Është kjo pyetja e ngritur nga ana e

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Hetime për njeriun e Dajtit në polici Nga Bledar Lumani

Operacioni për arrestimin e Dritan Dajtit u dekonspirua apo veprimet dhe organizimi i oficerëve të policisë për prangosjen e tij janë kryer gabim? Është kjo pyetja e ngritur nga ana e prokurorëve dhe hetuesve që po merren me këtë çështje, të cilët, përveç Dajtit dhe miqve të tij, janë duke hetuar shkaqet e dështimit të operacionit. Sakaq, gjatë ditës së djeshme është kryer arrestimi i një prej miqve të Dritan Dajtit, Elvis Karoli, i cili mendohet se ka bashkëpunuar me këtë të fundit, duke e ndihmuar të fshihet gjatë këtyre viteve. Ndërkohë, gjendja e Dajtit, i cili ka tri plagë, sipas burimeve pranë spitalit të Burgut në Tiranë, është jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet

Dy ditë pas vrasjes së katër oficerëve të policisë nga Dritan Dajti, hetuesit dhe prokurorët janë ende të paqartë në lidhje me atë që ka ndodhur në sektorin “Iliria” të plazhit të Durrësit. Hetuesit dhe ekspertët shprehen të habitur me faktin se ajo që duhej të ishte pritë për Dritan Dajtin, në fakt është kthyer në një pritë për oficerët e policisë.

“Ajo që në fakt duhet të ishte një pritë nga policia për Dritan Dajtin, duket se është kthyer në të kundërtën e planit. Kjo bën që të ngrihen dyshimet për dekonspirim, pasi Dajti, jo vetëm që nuk është kapur në befasi, siç pretendonin oficerët e operacionit, por vetë ata janë kapur në befasi nga Dajti”, - thanë burime pranë grupit hetimor që është ngritur për këtë ngjarje.

Nisur nga kjo, hetuesit dyshojnë që operacioni për arrestimin e të shumëkërkuarit është dekonspiruar. Kjo, duke u nisur edhe nga fakti që Dajti, edhe pse oficerët e policisë kanë qenë të veshur civilë, ka qëlluar në drejtim të këtyre të fundit, sapo ka zbritur nga automjeti. Për më tepër, Dritan Dajti ka qëlluar në drejtim të policisë, edhe pse këta të fundit nuk kanë hapur zjarr ndaj tij. Sakaq, sekuestrimi i dy radiove të policisë, sipas burimeve pranë prokurorisë, përforcon idenë se Dajti ishte në dijeni të operacionit për arrestimin e tij. Ajo që nuk shpjegohet dot nga ana e hetuesve është fakti se përse Dajti nuk u largua në momentin që mori vesh për operacionin që do të çonte në prangosjen e tij, por vajti drejt policisë, ku e dinte që i ishte ngritur një pritë. Hetuesit thonë se kjo për ta mbetet një mister.

Por grupi hetimor pritet që të marrë në shqyrtim edhe mënyrën e organizimit të operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Kjo, duke qenë se janë disa veprime që për hetuesit dhe prokurorët janë të dyshimta për nivelin e profesionalizmit të oficerëve të policisë. Burime pranë prokurorisë thanë se është i çuditshëm fakti se përse operacioni për arrestimin e Dajtit u vendos që të kryhej në mes të ditës, dhe për më tepër në një zonë të populluar nga plazhistët. Përveç kësaj, ata shprehin habi edhe për faktin se, pavarësisht se oficerët e policisë ishin në dijeni për rrezikshmërinë e Dritan Dajtit, kanë shkuar në operacion pa veshur jelekët antiplumb, gjë që në fakt mund t’u kishte shpëtuar jetën dy prej punonjësve të policisë që humbën jetën, pasi ata u goditën pikërisht në trup. Duke parë këto veprime, që sipas grupit hetimor nuk kanë qenë shumë të matura dhe profesionale, pritet që të hetohet edhe për personat që kanë firmosur urdhrin për këtë operacion.

Të dyja këto pista, ajo e dekonspirimit të operacionit dhe paaftësia e oficerëve të policisë, tashmë janë duke u hetuar nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa nuk përjashtohet fakti që këto dy pista të qëndrojnë bashkë.

Sakaq, hetuesit dyshojnë që aksioni i dy ditëve më parë të ketë qenë një operacion vëzhgimi dhe jo ndërhyrjeje, por të pikasur nga ana e Dajtit, ata janë detyruar që të ndërhyjnë, edhe pse nuk kanë qenë të përgatitur për këtë gjë. Pavarësisht kësaj, në Policinë e Shtetit askush nuk thotë gjë për operacionin, duke shtuar kështu misteret rreth kësaj ngjarjeje.

Sipas hetimeve të prokurorisë, mendohet që Dajti të ketë qëndruar për një kohë të gjatë në Spanjë, teksa kthehej vazhdimisht në Shqipëri.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku gjetën vdekjen katër punonjësit e policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkallari dhe Kastriot Feska, zona e plazhit ku ndodhi masakra, njohur ndryshe si plazhi pranë pistës “Iliria”, ka qenë e qetë. Pushuesit, përfshirë edhe ata që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, kanë vazhduar plazhin, por shprehen të revoltuar për situatën e krijuar dje, e cila vuri në rrezik, jo vetëm ata, por edhe fëmijët që ndodheshin rrotull. Nga ana tjetër, banorët e pallatit ku Dajti kishte marrë me qira një hyrje, ende tepër të trembur nga ngjarja e rëndë, kanë refuzuar të flasin. Në mënyrë konfidenciale, ata shprehen se e ndjejnë veten ne rrezik, nëse flasin rreth asaj që kanë parë dhe përjetuar ato pak minuta tmerri.

Arrestimi i bashkëpunëtorit

Oficerët e policisë kanë mundur dje që të vënë në pranga një prej të dyshuarve si bashkëpunëtor të Dritan Dajtit. Policia e kryeqytetit bëri me dije arrestimin e 21-vjeçarit Elvis Karoli, duke qenë se dyshohet që ky i fundit ka pasur lidhje të afërta me Dajtin. Madje, sipas burimeve të policisë, ka qenë Karoli ai që bënte të mundur strehimin dhe fshehjen e Dajtit. “Arrestimi i tij u krye, sepse dje, pas shumë informacionesh të marra në rrugë operative, dyshohet se i sipërcituari ka lidhje shoqërore me të arrestuarin Dritan Dajti”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp policia e kryeqytetit. Sakaq, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, oficerët e policisë kanë mundur që të sekuestrojnë nën cilësinë e provës materiale 7 copë fishekë, detonatorë, eksplozivë luftarakë 1 copë, aparatura, të cilat dyshohen se shërbejnë për plasje eksplozivi, si dhe dy dylbi. Megjithatë, pavarësisht prangosjes së tij si bashkëpunëtori i një prej njerëzve më të rrezikshëm në vend, që dy ditë më parë ekzekutoi me gjakftohtësi katër oficerë policie, Karoli do të procedohet penalisht vetëm për veprën e “Armëmbajtjes dhe municioneve pa leje luftarake”.

Sakaq, pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Tiranë, Dritan Dajti u transportua në Spitalin e Burgut, ku dhe po kurohet. Burime pranë këtij spitali thonë se gjendja shëndetësore e Dajtit është e rëndë, duke qenë se ai ka humbur shumë gjak nga tri plagët e marra nga plumbat, gjithsesi ai është jashtë rrezikut për jetën. Duke qenë se në Spitalin e Burgut është çuar Dajti, masat e sigurisë në të kanë qenë në maksimum, teksa forca të shumta policie e kanë blinduar atë.

Nën masa të rrepta sigurie në Spitalin e Burgut ndodhet edhe Erges Xhaxhi miku i Dajtit, i cili ka marrë plagë të lehta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›