Masakër mbi policinë, shteti humbet betejën me kriminelëtNga Bledar Lumani Policia shqiptare ka shënuar dje bilancin më të rëndë në përplasje me kriminelët që nga vitit i trazuar 1997. Katër punonjës policie humbën jetën në përpjekje për a
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Masakër mbi policinë, shteti humbet betejën me kriminelëtNga Bledar LumaniPolicia shqiptare ka shënuar dje bilancin më të rëndë në përplasje me kriminelët që nga vitit i trazuar 1997.
Katër punonjës policie humbën jetën në përpjekje për arrestimin e një prej personave më të kërkuar në Shqipëri, gjatë një operacioni që pati pesë të vdekur dhe disa të plagosur. Viktima e pestë ishte bashkëpunëtor i Dritan Dajtit, i shumëkërkuari nga policia, të plagosurit, pushues në plazhin e Durrësit.
Dritan Dajti, 38 vjeç, i shpallur në kërkim që prej vitit 2003, kur u arratis nga salla e gjyqit, strehohej në Durrës dhe ishte lokalizuar nga policia.
Policia, pasi kishte marrë informacione se tiranasi i shumëkërkuar ndodhej në Durrës me pushime, organizuan një operacion për arrestimin e tij. Policët, sipas burimeve të policisë, kanë qenë të maskuar si pushues dhe me veshje verore..
“Pas informacioneve të marra për lëvizjet e personit shumë të kërkuar, Dritan Dajti, i cili strehohej në një banesë në afërsi të pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit, Sektori i Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në moment organizoi shërbime në këtë territor për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tij”, - bëri të ditur Policia e Shtetit.
Ora ishte rreth 13:45. Dritan Dajti, i shoqëruar nga kunati i tij, Ledion Mara, i cili u vra në përpjekje, u shfaq me një makinë të tipit “Tuareg”; makina me ngjyrë të errët drejtohej nga Erges Xhaxhi.
Në momentin që makina “Tuareg” me targa të huaja, CR 535 FR, është bërë gati për të ndaluar, oficerët e policisë e kanë rrethuar atë, në pritje për të kryer arrestimin e Dritan Dajtit, kur ky të dilte nga makina.
Ata që kishin një plan dhe ishin në pritje, u zunë në befasi nga personi që në vitin 2003 u arratis nga salla e gjyqit me plan të përgatitur me kujdes.
Sipas mënyrës si është zhvilluar ngjarja në sekondat fatale, mendohet se Dritan Dajti ka qenë në dijeni të pritës. Sa hapi derën e makinës, ai qëlloi në drejtim të inspektorëve të trupave speciale, katër prej tyre u vranë.
Punonjësit e vrarë të policisë, të cilët pak orë më vonë u shpallën Dëshmorë të Atdheut nga kryeministri Berisha, ishin:
Fatos Xhani, 31 vjeç, me dy fëmijë, me detyrën Shef i Sektorit të Operacioneve Speciale, në Drejtorinë Kundër krimit të Organizuar, në Departamentin për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kastriot Çlirim Feskaj, 42 vjeç, me një fëmijë, polic i nivelit zbatues në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në strukturat e hetimit të krimit.
Saimir Islam Duçkallari, 32 vjeç, me dy fëmijë, punonjës policie i nivelit zbatues në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në strukturat e hetimit të krimit.
Altin Idriz Dizdari, 32 vjeç, punonjës policie i nivelit zbatues në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në strukturat e hetimit të krimit.
Viktima e pestë ishte Ledion Mara, 33 vjeç, i lindur në Lushnjë, person me precedentë kriminalë.
Dritan Dajti u plagos rëndë dhe u arrestua. Drejtuesit i mjetit, Erges Xhaxhi, i datëlindjes 1987, banues në Tiranë, po ashtu u arrestua.
Hetimet
Sipas burimeve pranë Policisë së Shtetit, mendohet se operacioni për arrestimin e Dritan Dajtit të jetë sabotuar, pasi ky i fundit ka qenë i përgatitur në momentin që do të arrestohej. Madje, në vendin e ngjarjes, atij i janë sekuestruar edhe dy radio dore policie, me të cilat mendohet se është vënë në dijeni të operacionit për arrestimin e tij. Ndërkohë, Policia e Shtetit bëri të ditur se ka nisur hetimet mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi në qytetin e Durrësit. Mësohet se në vendngjarje kanë shkuar tre prokurorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët në bashkëpunim me prokurorët e prokurorisë së Durrësit, forcat speciale RENEA kanë rrethuar zonën, pasi dyshohet se të paktën një person tjetër i armatosur ka qenë në vendngjarje me Dajtin dhe është larguar me shpejtësi. Forcat e policisë kanë bllokuar zonën e plazhit, nga “Iliria”, deri tek hotel “Florida”, ku mendohet të fshihet bashkëpunëtori i Dritan Dajtit.
Sipas burimeve të policisë, në zonën në të cilën ndodhi ngjarja e rëndë, kishte marrë me qira një hyrje për të pushuar. Madje, këto burime thanë se Dajti çdo verë i kalonte pushimet në Durrës, qytet në të cilin mendohet se edhe fshihej.
Ndërkohë, pas mjekimeve të para në spitalin e Durrësit, Dritan Dajti është dërguar nën masa të rrepta sigurie për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Një makinë policie e blinduar, brenda së cilës ndodheshin forca të repartit RENEA, ka udhëhequr eskortën e Dritan Dajtit, i cili ndodhej i shtrirë me barelë në një autoambulancë dhe pas tij shumë makina të tjera policie. Ndërkohë, në spitalin e Durrësit është parë edhe bashkëshortja e Dajtit, e cila është shtatzënë. Në Drejtorinë e Policisë së Durrësit ka qenë i pranishëm edhe vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.