Mijëra qytetarë nderojne katër policët e vrarëNga Bledar LumaniTë mbuluar me flamurin kombëtar, të shoqëruar nga familjarët, mijëra qytetarë dhe personalitetet më të larta të shtetit, të gjithë të ngarkuar me pikëllim, trupat e katër policëve të vrar
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Mijëra qytetarë nderojne katër policët e vrarëNga Bledar LumaniTë mbuluar me flamurin kombëtar, të shoqëruar nga familjarët, mijëra qytetarë dhe personalitetet më të larta të shtetit, të gjithë të ngarkuar me pikëllim, trupat e katër policëve të vrarë dy ditë më parë u përcollën dje në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Në orën 11.30 arkivolet me trupat e katër Dëshmorëve të Atdheut mbërritën në Pallatin e Kongreseve, ku qytetarët për gati dy orë bënë homazhe.
Radha e qytetarëve që deshën të respektonin katër punonjësit e policisë që u vranë pabesisht gjatë përpjekjeve për arrestimin e një krimineli, ishte e gjatë. Nga krerët e shtetit nuk mungoi asnjë. Presidenti i Republikës, kryeministri, kryetarja e Kuvendit, ministra dhe përfaqësues të partive politike ishin të gjithë të pranishëm.
Me sytë e ënjtur nga lotët dhe pagjumësia, familjarët e Fatos Xhanit, Altin Dizdarit, Saimir Duçkallarit dhe Kastriot Feskës qëndronin ulur dhe përshëndesnin njerëzit që vinin për të nderuar të afërmit e tyre që dhanë jetën në krye të detyrës.
“Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe shpreh solidaritetin tim të plotë për forcat e rendit, për të gjithë ata që punojnë për vendosjen e rendit në çdo qelizë”, - u shpreh presidenti, Bamir Topi.
“Ata ranë në një operacion ndaj njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm. Humbja e jetës së tyre është e rëndë dhe e dhimbshme, por heroizmi i tyre, sakrifica është dëshmi e një vullneti të hekurt të policisë”, - tha kryeministri.
Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkallari dhe Kastriot Feska u vranë të premten nga i shumëkërkuari Dritan Dajti, të cilin ata po ndiqnin për ta arrestuar.
Në orën dymbëdhjetë u mbajt një minutë heshtje në të gjithë vendin.
Mënyra e vdekjes së tyre shkaktoi dhimbje, dëshpërim, revoltë dhe diskutime dhe kjo reflektohej dukshëm mes njerëzve përpara Pallatit të Kongreseve.
Aliu, i afërm me njërin prej punonjësve të policisë, Saimir Duçkallarin, ishte i zemëruar me shtetin. Sipas tij, oficeri i policisë që mbeti i vrarë nuk duhej të gjendej në Durrës, në përpjekje për të arrestuar Dritan Dajtin, por me familjen dhe dy fëmijët e vet.
“Saimiri kishte marrë leje dhe ishte me pushime. Ai nuk duhej të ndodhej në vendin ku ndodhi masakra. E morën në telefon dhe i thanë se duhej t’i linte në mes pushimet për një operacion të rëndësishëm. Po vetëm Saimiri punoka në polici? Nuk kishte policë të tjerë në shërbim, po duhej thirrur Saimiri nga pushimet?!”- tha Aliu, të cilit i rrëshqet një pikë loti në faqe.
Qytetarët shprehen se ka ardhur koha që shteti dhe policia duhet të reflektojë seriozisht mbi seriozitetin e punës së tyre dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë ngjarje. Sipas tyre, ngjarje të tilla do të ndodhin prapë, përderisa shteti nuk ka dëshirën dhe vullnetin për të luftuar krimin dhe për të dënuar kriminelët.
“Për sa kohë shteti nuk i vret kriminelët, viktimat do jenë policët e thjeshtë, të pafuqishëm dhe të frikësuar të prekin sadopak kriminelët që kanë lidhje të ngushta me pushtetarët. Polici në vendet perëndimore nuk bën paralajmërime, siç në fakt ndodh këtu, duke shtënë në ajër ose këmbëve të kriminelëve, por i vret në vend ata”, - thotë Doriani, student në Itali, që ka ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri. Ai është tronditur nga vrasjet e shumta dhe numri i madh i vdekjeve nga aksidentet rrugore në Shqipëri.
Ka nga ata që janë të revoltuar, pse policia i ka dhënë ndihmën e parë autorit të vrasjes së policëve. Dritan Dajti, i cili ekzekutoi me gjakftohtësi katër oficerë policie, u plagos dhe, pasi u arrestua, u dërgua spital për mjekim. “Policia duhet ta kishte vrarë në vend”, - thotë një qytetare.
“Dritan Dajti e ka vendin në litar. Në burg ka njerëz që kanë vjedhur veçse një portofol, ndërsa Dritan Dajti bridhte lirshëm rrugëve të Tiranës dhe Durrësit. Ky është një turp për shtetin”, - shprehet Drita, pensioniste.
Edhe pse e dënojnë si një akt të rëndë, qytetarët ndalen te paaftësia e strukturave të shtetit dhe policisë, që në një operacion humbasin katër njerëz dhe rrezikojnë edhe jetën e shumë personave të tjerë, të cilët kanë qenë duke bërë plazh.
“Ai që prek një polic, ka prekur shtetin dhe njëkohësisht të gjithëve ne, por ky moment të shërbejë dhe si moment reflektimi për Policinë e Shtetit, pasi me operacione të tilla të shëmtuara, që për nga taktika dhe organizimi ngjasojnë si amatore, vënë në rrezik jetën e punonjësve të tyre”, - thotë Klodi.
Sipas tij, “përditë po dëgjojmë për ngjarje të ngjashme, për aksidente fatale, që në shumë raste, edhe pse të evitueshme, përsëri ato ndodhin para syve tanë. Askush prej nesh nuk mund të jetë i mbrojtur, pasi strukturat e shtetit nuk mbrojnë dot veten e tyre, e jo më qytetarët, pasi edhe ligjet kanë një veprim shumë të dobët veprues. Është e trishtueshme që shteti i paguar prej taksave të qytetarëve të mos i mbrojë dot ata nga krimi”.
Sipas qytetarëve, profesionalizmi i policisë shqiptare lë shumë për të dëshiruar, madje shpeshherë, si në të gjithë sektorët e shtetit, sipas tyre, oficerët dhe drejtuesit e policisë zgjidhen dhe vendosen sipas teserës së partisë.