Gjermanët nuk përmbahen, Dortmundi turpëron 4-1 Realin
I njëjti skenar edhe në natën e dytë në Ligën e Kampioneve. Gjermanët sërish shënojnë katër gola, duke turpëruar spanjollët. Nëse një natë më parë ishte Bajerni që poshtëroi Barcelonën, të njëjtën gjë ka bërë Dortmundi ndaj Realit të Madridit. Të paktën madrilenët kanë shënuar një gol, që është një shpresë e vogël në ndeshjen e kthimit. Një ndeshje historike për Dortmundin, teksa është drejt daljes në finale, që do të ishte e dyta në historinë e kësaj skuadre, pas asaj të vitit 1997, kur mundte në finale Juventusin dhe fitonte të vetmin trofe në Champions. Në ndeshjen ndaj Realit, djemtë e Jurgen Klopit e kanë nisur shumë mirë, teksa shënojnë që në minutat e para me anë të Levandovskit. Krijojnë raste të tjera, por pikërisht në një 11-metërsh të padhënë për Borusian, miqtë spanjollë kundërzbresin dhe duke përfituar edhe nga një gabim i Humelsit, barazojnë. Por ky gol i karikuar më shumë vendësit. Në pjesën e dytë shpërthen Levandovski, që shënon njëri pas tjetrit 3 gola, duke e çuar në 4-1, rezultat që do të ishte edhe finali, sepse Reali është i pafuqishëm për të shënuar një gol të dytë, çka do ta hapte më shumë ndeshjen e kthimit. Nga sa shihet, madrilenët do të eliminohen për të tretin vit rresht në gjysmëfinale, por nëse një vit më parë i “hoqi qafe” Bajerni me penallti, këtë sezon duket se që në ndeshjen e parë janë të ikur. Gjermanët po dominojnë si asnjëherë tjetër dhe duket se për herë të parë në historinë e Ligës së Kampioneve do të kemi një finale të gjithën spanjolle. Gjithsesi, pas një jave luhen ndeshjet e kthimit dhe duhet të presim se çfarë mund të ndodhë, edhe pse spanjollët do ta kenë tepër të vështirë. Në futboll kurrë mos thuaj kurrë...
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)