Standardi ynë evropian, një burim që mbikalon karakterin e pabanuar të tokës ballkanike

Ndërsa po lexoja një intervistë të Maks Velos mbi krijimin e tij gjatë qëndrimit në Paris, më bëri përshtypje një përgjigje e tij, i cili tha: “Kam bërë një art personal, një art ballkanik, shqiptar. Parisi më ka treguar vetëm se si duhet bërë, si është rruga më e mirë, si nuk duhet të kopjosh”. Triniteti i asaj përgjigjeje është lartësimi më i qartë i një vizioni shumëplanësh që nuk është i mbizotëruar nga dhuna e hekurave komuniste. Dinjiteti i përfaqësimit si një art ballkanik është lartësia e një njeriu që lexon hijen e vet. Që nuk ka frikë. Retrospektiva është një art që vetëm artistët arrijnë të parët, d.m.th përpara të tjerëve. Jo shumë vetë e bëjnë këtë gjë. Sidomos të parët jemi ne shqiptarët që kemi humbur hijen. Jemi zëvendësuar me hijen. Shih ligjin e përfolur të lustracionit. Shpeshherë ne nuk përballemi me paragjykimet tona. Kemi frikë nga e kaluara. Kemi frikë nga gjykimet e sotme. Se ndoshta nesër e vërteta do të dalë në shesh e libra dhe do të gjykojmë përsëri. Por ne jemi një shoqëri carpe diem, jeto të sotmen, ku e kaluara dhe e pritshmja nuk na shqetësojnë. Kemi frikë nga frika. Madje na mjafton një flamur i çfarëdoshëm për të na mbuluar reflektimin. Dje komunizmi. Sot indiferenca. Arkitektura e Ballkanit të jep pamjen e një shtëpie të pabanuar asnjë herë. Ballkani është vrullur aq shumë nga luftërat, nga gjakrat e nxehta, nga shtypjet ideologjike. Duket i pabanuar. Sepse brenda mureve të një shtëpie njerëzit janë të afërt me njëri-tjetrin d.m.th njohin shijet e tyre, këndvështrimet, dëshirat, dashuritë dhe zhgënjimet. Sot ne e dimë shumë pak për njëri tjetrin. Dimë vetëm paragjykimet që kemi për fqinjët. Pothuajse 2000 vjet s’e kemi parë njëri tjetrin në sy. Jemi shtirur t’i përshkruajmë si barbarë, shkja, shovinistë, të pafe e ku e di unë se çfarë tjetër kemi pjellë në deformimet tona mbi njerëzit e Ballkanit. Ky gadishull i cilësuar si fuçi baruti për Evropën. Një rrezik konstant për ekuilibrat natyrorë të Oksidentit. Arena e eksperimenteve luftarake, ku urrejtja patologjike fetare apo ideologjike ma së fundmi mbisundonte arsyen e çiltër. Mbisundonte mbi hetimin e pastër filozofik të tjetrit. Komshiun matanë lumit. Matanë malit. Matanë kufirit. Kufiri ka qenë një barrierë e pathyeshme për çdo shqiptar që kishte kureshtjen të shikonte më tej. Prapa perdes së hekurt të totalitarizmit si dje bruto, si sot sot. Ndërkohë realitetet politike kanë ndryshuar e kështu kanë ndryshuar edhe kufijtë fizikë të Evropës juglindore, të cilat janë zvogëluara tashmë. Greqia, e cila ka qenë gjithmonë pjese e Evropës së bashkuar. Më pas Sllovenia dhe Hungaria, pak kohë më parë edhe Bullgaria e Rumania hynë në gjirin e Evropës. Kjo do të thotë se edhe harta politike e zemrës së Ballkanit është zvogëluar. Kush ka hyrë më të drejta të plota në BE ka të drejtën të jetë i gëzuar. Kanë arritur objektivin e tyre, janë përsëri “Evropianë”. Madje nganjëherë gëzimi për hyrjen në familjen evropiane ka bërë që t’u duket vetja edhe pak superiorë ndaj atyre që presin të hyjnë aty. Kurse ata që janë Evropë faktikisht e fizikisht, por nuk janë në BE, presin të frustruar bashkë me një mbresë inferioriteti. Ky është rasti i Shqipërisë. Slogani “e duam Shqipërinë si Evropa” ishte dhe është akoma një koncept passe-partout, që fshihte - si atëherë, edhe sot - një paaftësi për të interpretuar një moment supersonik ndryshimesh, duke u nisur nga kjo nuk arrijmë do të imagjinojmë të ardhmen. Nuk kalohet tranzicioni pa kaluar hijet e Ballkanit. Shpresoj që përpara se të hyjnë në Evropë të hyjmë përpara në Ballkan, të shohim hijen tonë, shijet që kemi lenë tek fqinjtë apo diku tjetër. Pra, te tjetri. Ballkani është shtëpia jonë dhe duhet rindërtuar për t’u banuar, për të rritur brenda fëmijët tanë. Është trupi jonë që duhet shëruar. Plagët shërohen me kura njerëzore. Evropa nuk duhet të jetë objektivi jonë, shqiptarët duhet të bëjnë diçka të nderueshme që të jetë objektivi i Evropës. Nuk duhet t’i lypim askujt dije, punë, art, shkencë, besim, nder e dashuri, por duhet të japim. Sepse ai që jep, ka diçka për të dhënë.
...