Berisha: Procesi për kartat dhe pasaportat biometrike, ndër më të suksesshmit dhe më të rëndësishmit në historinë e vendit
Atyre që u bien borive se procesi po dështon, u përgjigjemi me statistika. Procesi ka arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë. Janë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara, të shpërndara në minibashkitë e Tiranës. Nga kontigjenti prej 700 mijë qytetarë që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë.
Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave se procesi për pajisjen me karta identiteti dhe pasaporta biometrike ka një ecuri të shkëlqyer dhe po kompletohet para afatit. Ky proces është ndër më të rëndësishmit dhe më të suksesshmit në historinë e vendit. Ky proces, tha Kryeministri, po ecën me ritme të cilat kanë arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë. Deri tani janë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara për Tiranën, të shpërndara në qendrat e minibashkive.
“Me gjithë zhurmën e pa bazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët europianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta identiteti. Nga kontigjenti prej 700 mijë qytetarë që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë”, tha Kryeministri.Në këtë mënyrë, theksoi Kryeministri, ata të cilët u ranë borive se procesi po dështon dhe nuk po ecën, ata e marrin përgjigjen me statistika. “Ky është një lajm pozitiv që merr mbarë vendi, për ecurinë e shkëlqyer të procesit të shpërndarjes së Kartave të Identitetit”.
Duke u ndalur në cilësinë e prodhimit të këtyre Kartave të Identitetit, Kryeministri vlerësoi se ato janë të standardeve më të mira, nuk janë thjesht karta votimi, por janë karta identiteti, me të cilat, në një të ardhme jo të largët, do të mundet të udhëtohet.Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë të tërheqin kartat e prodhuara, duke falënderuar dhe përgëzuar 277 mijë qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar deri tani. Më tej, Kryeministri siguroi se këto zgjedhje do të kenë infrastrukturën më të mirë teknike se çdo proces zgjedhor tjetër në historinë e këtij vendi. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se i ka parashtruar një ditë më parë Misionit të ODIHR-it, i cili vizitoi Shqipërinë, që të kërkojë një numër sa më të madh vëzhguesish nga e gjithë bota. Të njëjtën gjë i ka shprehur edhe zëvendësministrit të jashtëm të Çekisë, i cili në takimin e djeshëm me Kryeministrin Berisha erdhi me një mesazh shumë miqësor nga Kryeministri çek Topolanek.
Fjala e plotë e Kryeministrit
Në këtë mbledhje janë një seri vendimesh shumë të rëndësishme. Por unë do të ndalem në një çështje që ka të bëjë me zgjedhjet; kartat dhe pasaportat biometrike. Ky proces po ecën me ritme të cilat kanë arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë. Deri tani, janë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara për Tiranën, të shpërndara në qendrat e minibashkive.
Me gjithë zhurmën e pa bazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët europianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta. Nga kontigjenti prej 700 mijë qytetarë që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë.
Ata të cilët u ranë borive se procesi po dështon dhe nuk po ecën, ata e marrin përgjigjen me statistika. Masat që mori qeveria për uljen nën kosto të çmimit të Kartave, për buxhetorët me 20 për qind, për pensionistët me 35 për qind, për studentët dhe ndihmën ekonomike me 46 për qind, kanë pasur efektin e vet shumë pozitiv.
Shfrytëzoj edhe njëherë këtë moment, për të bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten në zyrat përkatëse për të tërhequr kartat e prodhuara. Ata kanë harxhuar një kohë të caktuar dhe një kosto për pajisjen me to. Mbi 125 mijë janë gati për t’u shpërndarë vetëm në Tiranë, pra këto vetëm për Tiranë, sepse në rrethe të tjera nuk janë shpërndarë ende, por ky proces do të fillojë.
Ky është një lajm pozitiv që merr mbarë vendi, për ecurinë e shkëlqyer të procesit të shpërndarjes së Kartave të Identitetit. Natyrisht, përpjekjet për t’i shndërruar këto në karta votimi, ashtu siç ndodhi në vitin 1997 që u shpërndanë falas dhe shumica e tyre përfunduan në lumin Lanë, janë përpjekje për të bllokuar procesin, janë përpjekje dhe kërkesa se si të zhvlerësosh totalisht procesin dhe t’i shndërrosh këto karta në ato lloj kartash votimi. Por ato nuk janë thjesht Karta votimi, por janë letra identiteti, me të cilat, në një të ardhme jo të largët, do të mundet të udhëtohet, sepse janë të pajisura me dy çipe, pra janë të standardeve më të mira.
Edhe një herë dua të përgëzoj 277 mijë qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar dhe dua të shpreh bindjen time të thellë se procesi po kompletohet para afatit. Opozita le të jetë e qetë, por edhe shqiptarët duhet ta dinë, se këto zgjedhje do të kenë infrastrukturën më të mirë teknike se çdo proces zgjedhor tjetër në historinë e këtij vendi. Listat paraprake të votuesve janë publikuar, ndërkohë, ashtu siç ju e keni parë, bashkitë, komunat i kanë gjetur ato të përshtatshme. Natyrisht, çdo lloj vërejtje dhe objeksioni i tyre është i mundshëm elektronikisht për t’u zgjidhur me shpejtësi.
Një ditë më parë erdhi në Shqipëri Misioni i ODIHR dhe unë i theksova kryetarit të këtij Misioni që ka autorizimin e qeverisë shqiptare që të kërkojë një numër sa më të madh vëzhguesish nga e gjithë bota. Gjithashtu, një ditë më parë, unë prita në takim zëvendësministrin e jashtëm të Çekisë, i cili erdhi me një mesazh shumë miqësor për mua nga Kryeministri Topolanek. Unë shfrytëzova rastin që t’i kërkoj atij, si përfaqësues i vendit që ka kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, që t’u kërkojë ministrive të jashtme të vendeve anëtare, të angazhojnë një numër sa më të madh vëzhguesish për këto zgjedhje. Këtu, me zgjedhjet e mbyllim diskutimin dhe mbetet vetëm që ju të votoni për kë të dëshironi”.
...