Kriza e parë madhore financiare në historinë botërore dhe fenomeni John Law
25 tetori i vitit 1929, i njohur ndryshe edhe si “e premtja e zezë”, vlerësohet si fillimi i krizës më të madhe të bursave në historinë e ekonomisë botërore. Edhe humbja e kurseve të këmbimit pas 11 shtatorit 2001, si dhe hijet e krizës aktuale financiare botërore, mund të regjistrohen si stacione shumë kritike e të lenë në memorie një shije të hidhur. Por këto ngjarje, janë të vogla, krahasuar me përmasat e pasojave që shkaktoi kriza financiare në bursat franceze, në vitin 1720. Për një moment, populli dhe shteti më i përparuar i kohës u gjend përballë një falimentimi spektakolar kolektiv Prej disa muajsh po dëgjojmë të flitet për praninë e një krize globale financiare në ekonominë botërore, e cila zanafillën e tek dobësimi, apo le të themi, të çarat që dëshmoi fillimisht tregu imobiliar e më pas ai bankar në SHBA e Europë. Si pasojë, po pason një lloj çoroditje e druajtje për ta pranuar me zë të lartë këtë krizë, ku vihen re edhe mendime kontradiktore (siç ishte së fundmi edhe ai i liderit karizmatik të së djathtës italiane, Silvio Berluskoni, i cili e mohoi praninë e saj). Përtej këtyre debateve, duhet pranuar se sidoqoftë, masat e ndërmarra nga shumë qeveri nacionale dhe grupime e institucione politiko-ekonomike ndërkombëtare janë një indeks shpresëdhënës, se kjo krizë po vlerësohet me vemendjen e duhur, gjë e cila - pa dyshim - se do sjellë me vete rezultatet e veta. Duke rikthyer në vëmendje një artikull të botuar rreth dy vjet më parë, gjeta me vend të sjell për lexuesin e “Gazetës 55”, historinë e një krize të ngjashme, që për nga përmasat dhe dëmet që shkaktoi, ishte e pakrahasueshme me ato që bota ka përjetuar deri më sot dhe nga ana tjetër, besoj se na bën të gjithëve me dije zanafillën e vërtetë të këtyre krizave (për shumicën e atyre që operojnë jashtë sferës së ekonomisë e më gjerë). Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Francë shumë vite e madje tashmë shekuj më parë: vitin 1720. Ajo shënon edhe krizën e parë madhore financiare në historinë botërore, pavarësisht se referenca ndaj saj, ka qenë për shumë kohë e panjohur apo edhe e papërfillshme. Për një moment, populli dhe shteti më i përparuar i kohës u gjend përballë një falimentimi spektakolar kolektiv. Por si ndodhi dhe kush ishte strumbullari i saj. Pse ndodhi dhe kush u përfshi?. Si përfundoi dhe çfarë pasojash solli? * * John Law nuk ishte ndonjë mashtrues në kuptimin klasik që mbart kjo fjalë. Ai thjesht donte të arrinte një objektiv të tijin, në thelb idealist: të bënte njerëzit të pasur e të lumtur në një kohë rekord, nëse i jepej mundësia. Këtij synimi, ekonomisti me origjinë nga Edinburgu i Skocisë, i shpiku si levë shtytëse për ta vënë në zbatim, një sistem financiar që do të ishte kësisoj i aftë të shumonte e gjeneronte vazhdimisht para, e që do të bazohej në mbështetjen shtetërore, e cila do t’i siguronte shtypjen e banknotave të mjaftueshme. Ajo çfarë në teori ngjan të jetë plotësisht në rregull, duhej të provohej në praktikë. Kështu, skocezi Law nisi turin e tij nëpër oborret e mbretërve europianë për të gjetur mbështetje për planet e tij, por përveç Francës, askush nuk ishte i prirur t’ia vinte veshin ideve të tij. Ngaqë Mbreti Luigji XV asokohe ishte akoma një fëmijë në moshë, regjencën e ushtronte Duka Filip i Orleansit – një burrë me trup e mendje të lehtë, i papërgjegjshëm e aspak punëtor, por siç ndodh zakonisht në të tilla raste, më shumë i dhënë pas normave të fitimit të shpejtë e të papeshuar mirë.
Aksionet u ngritën dhjetëfish
Në maj të vitit 1716, regjenti në fjalë i dha zyrtarisht lejen e themelimit të një banke private Law-t. Fillimisht, nisi shtypja e parave në sasi të mëdha në versionin “kartmonedhë” me mbështetje nga shteti, gjë që e lehtësoi shumë qarkullimin e parave dhe kryerjen e veprimeve me to. Emri i John Law-t si një financier i majave të larta, ishte bërë tashmë një ikonë në mbarë Francën, e ishte pikërisht ky, momenti kur ishin pjekur kushtet që ai të niste kësisoj “betejën” për të vënë plotësisht në zbatim idetë e veta të kahershme. Në fillim të shekullit të 18-të, rajonet jugore dhe ato të “Perëndimit të mesëm” të SHBA-ve të sotme, i përkisnin asokohe Perandorisë koloniale franceze. Law rekrutoi në shërbimin e vet disa gazetarë që bënin propagandë për arritjen e pasurive të mëdha në një kohë rekord nga të gjithë njerëzit, pavarësisht se cilës origjinë apo klasë i përkisnin. Më pas, zërat e kësaj propagande joshëse mbërritën deri në Francë. Në vitin 1718, Law themeloi “Compagnie des Indes”, e quajtur ndryshe edhe si kompania “Mississippi” dhe shpërndau aksione me vlerë prej 50 lirash (Livre) franceze. Sipas përllogaritjeve të historianes ekonomike angleze, Janet Gleeson, kjo shumë i përgjigjet sot afërsisht vlerës së 175 eurove. Këto aksione u rritën në fakt brenda pak javëve në dhjetëfishin e vlerës së tyre fillestare. E nuk vonoi të turreshin edhe regjenti Filip i Orleansit e njerëzit e tij të afërt, për të blerë aksionet e “Mississippi”-t në shuma të mëdha. Pasojat e këtij veprimi më pas ishin të paparashikuara. Nëse personalitete kaq të mëdha ishin përfshirë në këtë lloj afari, merret me mend se për çdokënd pastaj, kjo përbënte një indeks të mirëfilltë të pastërtisë e pozitivitetit të tij. Populli e shihte John Law si Zot
Në Francë, që nga fillimi i 1719, po gëlonin ethet e spekulimeve. Në disa ditë të caktuara, numëroheshin rreth 15.000 vetë që dyndeshin para dyerve të selisë qendrore të bankës së Law-t, në rrugën “Quincampoix” të Parisit, për të shndërruar paratë e tyre në aksione. Kuotat e tyre shënonin papushim ngritje galopante. John Law ishte bërë ndërkohë njeriu më i dashur dhe mbulohej ngado me nderime të mëdha. Kur regjenti Filip e shpalli atë “Anëtar Nderi të Akademisë Franceze të Shkencave”, populli doli në rrugë e thërriste: “Zoti e bekoftë Mbretin dhe zotin Law!“. Në disa nga ato ditë, po të kishe aksione te kompania “Mississippi” në vlerën e 50 lirave, ato mund të shumoheshin për një kohë të shkurtër në 2000. Por askush nuk mendonte për më tej. Uria për të fituar sa më shumë, mendjelehtësia dhe dyndja
pa kufi e klientëve, bënë që gjithkush të mendonte vetëm të hidhte sa më shumë nga paratë e kursimet e jetës së vet - duke mos kursyer asnjë grosh - në aksionet e shoqërisë së themeluar nga Law.
Kur nisi të rrëzohet piramida
Nisi një fenomen që edhe sot e kësaj dite mund të shkaktojë rrëqethje te specialistët e bursave, duke reaguar me shkallën më të lartë të alarmit: gjithnjë e më shumë njerëz nisën të blinin aksione në pritje të fitimeve disafishe, drejt një të ardhmeje të ëndërruar. Shumë klientë nisën të merrnin kësisoj borxhe në shuma të mëdha që parashikohej të laheshin ndër dekada. I pari që njohu rrezikun e kësaj pune, ishte bankieri irlandez, Richard Cantillon. Ai kishte blerë aksione në kompaninë “Mississippi”, kur ato ishin në nivelin e 150 lirave. Në gusht të vitit 1719, ato kishin arritur kuotën 2000 dhe Cantillon nisi t’i shiste aksionet e grumbulluara, duke i kryer veprimet e tij në fshehtësi të plotë e pa bujë. Disi më pak i kujdesshëm në këtë aspekt, u tregua ndërkohë Princi Louis de Conti. Në tetor të vitit 1719, ai u përfshi si aksioner në kompaninë e skocezit Law, duke blerë aksione që kapnin shifrën e 4,5 milionë lirave në kartmonedha dhe kërkoi si shkëmbim (kur do merrte këstin e tij të fundit me përfitim disafish financiar), vetëm monedha dhe jo kartmonedha të shtypura në letër nga shteti. Conti u desh të priste të vinin tri karroca për të marrë paratë që kishte kërkuar. Ndërkohë, nisi të ndjehej paniku, por Law ia doli që nëpërmjet një propagande me tone të larta, t’i mbante nën frè përkohësisht aksionerët e vet. Më 5 janar 1720, ai madje u shpall nga regjenti “Kontrollor i përgjithshëm i Financave”, pak a shumë posti i ministrit të Financave sot, në kohët moderne.
Fajdet që sollën rrëzimin e një sistemi
Por ndërkohë, toka po digjej nën këmbë. Më 28 janar 1720, Law lëshoi një urdhër ndalimi për qarkullimin e monedhave në ar e argjend dhe ato të metaleve të çmuara në përgjithësi. Një javë më pas u ndalua madje dhe shitblerja e bizhuterive e perlave, ndërsa pak më vonë, u ndalua gjithashtu edhe posedimi i arit e floririt që kalonte vlerën e më shumë se 500 lirave. Me ç’dukej, Law, nëpërmjet këtij veprimi, donte sigurisht, të pengonte rrënimin e sistemit të tij, të ngritur me aq mund e që deri më atëherë ishte dëshmuar si një “shpikje gjeniale”. Por në muajin maj, kurset në kompaninë “Mississippi”, u rritën në mënyrë shumë të shpejtë. Sërish njerëzit vërshuan në “Rue Quincampoix” të Parisit, por këtë radhë për të marrë dhe jo për të hedhur paratë në aksione. Më 17 korrik 1720, kompania apo shoqëria e Law-t u dëshmua e paaftë të kryente pagesat ndaj klientëve të saj. Banka e tij u desh të mbyllte dyert. John Law vetë u arratis jashtë vendit dhe vdiq në vitin 1729 i varfër, në Venedik. Por i varfëruar pas kësaj, sigurisht se nuk mbeti vetëm ai, por thuajse të gjithë francezët. Nga kjo mënxyrë pati vetëm dy fitues apo përfitues të mëdhenj: një grusht aristokratësh e spekulantësh financiarë, që u treguan më se të zgjuar, duke i shitur aksionet e tyre në kohë, e natyrisht edhe bankat, të cilat u dhanë kredi me përqindje spektakolare klientëve të tyre të rrënuar tashmë nga përfshirja në biznesin e Low-t. Pjesa tjetër e popullsisë që mbeti – që nga shërbëtorët e deri tek princesha – u gjendën para rrënimit financiar me pasoja të pariparueshme. Ajo që ndodhi ishte aksioni më i madh i zhdukjes së pasurisë individuale e kolektive në historinë njerëzore në kohë paqeje. Përmasat e humbjeve në vlera materiale ishin kaq të mëdha, saqë pas vitit 1720, shtresa qytetare e borgjeze franceze dhe madje edhe pjesë të konsiderueshme të fisnikërisë, e humbën besimin e tyre te monarkia si një sistem institucional rregullator. Ata i kthyen asaj shpinën me urrejtje e duke e trajtuar plot cinizëm, u distancuan prej saj dita-ditës. Ngjarjet rrodhën ashtu si rrodhën e më pas në vitin 1789 shpërtheu dhe Revolucioni francez. Arsyet e tij janë të shumanshme e objekt studimi i shumë fushave, por sipas studiuesve e historianëve të ekonomisë e politikës, edhe “Fenomeni Low”, ushtroi padyshim një ndikim të madh në shkatërrimin e monarkisë, edhe pse kjo ndodhi pas një kohe relativisht të gjatë.
...