E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI flet në Afrikë për ndaljen e shtypjes ekonomike dhe politike

Papa Benedikti XVI mbërriti dje në Afrikë e pikërisht në Kamerun, etapa e parë e udhëtimit të tij të parë apostolik në kontinentin e zi. Etapa e dytë është Angola. Pasnesër, Ati i Shenjtë do t’i dorëzojë Kishës, Instrumentum Laboris, dokumentin me të cilin ipeshkvijtë e kontinentit do të punojnë në Sinodin e dytë për Afrikën, që do të mbahet në Vatikan në tetor të këtij viti. Një entuziazëm i jashtëzakonshëm e pret Papën jo vetëm në të dyja vendet e vizitës, por në të gjithë kontinentin, i cili e ndjek me vëmendje e shpreson që prania e Atit të Shenjtë t’i japë një shtysë të re shpirtërore bashkësisë katolike e jo katolike. Në aeroportin e Jaundesë, kryeqytetit të Kamerunit, Papa u prit nga presidenti i Republikës, Pol Bijà, nga kryetari i Konferencës ipeshkvnore të Kamerunit, imzot Toniè Bakot e kardinal Tumi. Ishin të pranishme edhe autoritete politike e civile, Trupi Diplomatik, ipeshkvijtë e vendit dhe një grup besimtarësh e një kor. Benedikti XVI shprehu kënaqësinë e tij për këtë udhëtim të parë në tokën afrikane e falenderoi për praninë e tyre edhe krerët e besimeve të tjera të krishtera e ndjekësit e feve të tjera. Që në fjalët e para, Ati i Shenjtë sqaroi qëllimin e vizitës: “Vij ndër ju si bari. Vij për të përforcuar në fe vëllezërit e motrat e mia. Kjo është detyra që Krishti i besoi shën Pjetrit në Darkën e Mbrame, e ky është roli i pasardhësve të Shën Pjetrit”. E pasi përmendi traditën shumëshekullore të krishtërimit në Afrikë, martirët e shenjtorët e kësaj toke, si shën Çipriani, shën Monika, shën Agustini, shën Athanasi, pasi foli për udhëtimin e Papës Gjon Pali II në Jaundè në vitin 1995, Papa vuri në dukje elementin më të rëndësishëm të vizitës: “Erdha këtu për të paraqitur Instrumentum Laboris të Asamblesë së dytë të Veçantë, që do të mbahet në Romë në tetorin e ardhshëm. Etërit e Sinodit do të reflektojnë sëbashku mbi temën: “Kisha në Afrikë në shërbim të pajtimit, të drejtësisë e të paqes: ‘Ju jeni kripa e tokës … Ju jeni drita e botës (Mt 5,13-14)”. Pas gati dhjetë vjetësh të mijëvjeçarit të ri, ky moment hiri është thirrje për të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e besimtarët laikë të kontinentit t’i kushtohen sërish misionit të Kishës për të sjellë shpresë në zemrat e popullit të Afrikës, e me të edhe në ato të popujve të krejt botës”. Edhe në mes të vuajtjeve më të mëdha, vazhdoi Papa Racinger, mesazhi i krishterë sjell gjithnjë shpresë. Benedikti XVI kujtoi shembullin e shenjtes afrikane Jozefina Bakita, e cila tregon se si shndërrohet nga takimi me Zotin, një jetë vuajtjesh e padrejtësish, e pastaj shtoi: “Para dhimbjes apo dhunës, para varfërisë e urisë, para korrupsionit e abuzimit të pushtetit, një i krishterë nuk mund të qëndrojë kurrë në heshtje. Mesazhi shpëtimtar i Ungjillit duhet shpallur me forcë e qartësi, që drita e Krishtit të ndriçojë errësirën e jetës së personave”. Ati i Shenjtë nuk harroi të flasë për problemet e Afrikës, për nevojën e njerëzve për një fjalë ngushëlluese e shprese. Me forcë, Papa denoncoi: “Në një kohë mungese globale të ushqimit, në kohën e pështjellimit financiar, të modeleve shqetësuese të ndryshimeve të klimës, Afrika vuan më shumë se ç’duhet: një numër në rritje i banorëve të saj bëhet pre e urisë, varfërisë, sëmundjes. Ata kërkojnë me zë të lartë pajtim, drejtësi e paqe, e pikërisht këtë u ofron Kisha. Jo forma të reja shtypjeje ekonomike e politike, por lirinë e lavdishme të bijve të Zotit. Jo imponimin e modeleve kulturore, që injorojnë të drejtën për jetë të të palindurve, por ujin e pastërt, shpëtimtar të Ungjillit të jetës. Jo rivalitetet e hidhura ndëretnike e ndërfetare, por drejtësinë, paqen e gëzimin e Mbretërisë së Zotit, përshkruar kaq mirë nga Papa Pali VI si “qytetërim i dashurisë”. E pas këtyre fjalëve, ku vihen në dukje problemet kryesore të Afrikës, Papa u ndal në sukseset e arritura në Kamerun, pasi kontinenti i zi nuk ka vetëm varfëri e çështje të pazgjidhura. Benedikti XVI lavdëroi faktin se në këtë vend, të sëmurët nga Sida kurohen falas, përmendi për këtë impenjimin e Kishës përmes qendrës “Kardinal Léger”. Pastaj, aspekti tjetër i punës së katolikëve, ai edukativ, me impenjimin e mësuesve dhe edukatorëve të Universitetit Katolik të Afrikës Qendrore, një shenjë e madhe shprese për të ardhmen e rajonit. Është për këtë arësye, që Kameruni është tokë shprese për shumë persona në Afrikën Qendrore, të cilët emigrojnë në këtë vend: “Është tokë jete, me një qeveri që flet qartë në mbrojtje të të drejtave të të palindurve. Është tokë paqeje: duke zgjidhur përmes dialogut problemin e gadishullit Bakasi, Kameruni dhe Nigeria i treguan botës se diplomacia e durueshme sjell fryte. Është tokë të rinjsh, e bekuar nga një popullsi e re plot gjallëri dhe me padurim për të ndërtuar një botë më të drejtë e më paqësore. Me të drejtë përshkruhet si “Afrika në miniaturë”, atdhe i mëse 200 grupeve të ndryshme etnike, që jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Janë këto, arësye për t’i thurur lavde e për ta falenderuar Hyjin”. “Zoti bekoftë Kamerunin e Afrikën” qenë fjalët e fundit të fjalimit të mirëseardhjes, që Papa u drejtoi të pranishmëve në aeroportin e Jaundesë, për të shkuar më pas në Nunciaturën Apostolike. Nesër, aktivitete të rëndësishme e presin Benediktin XVI: takimet me presidentin e republikës e me ipeshkvijtë e Kamerunit, si edhe kremtimi i Lutjeve Mbrëmësore në praninë e përfaqësuesve të besimeve të tjera të krishtera. Kameruni - shtet model i Afrikës bashkëkohore/Por si paraqitet Kameruni përpara Benediktit XVI në krahasim me vitet 1985 dhe 1995 kur e pati vizituar Gjon Pali II? Ja si shprehet në mikrofonin e Radio Vatikanit Imzot Jozef Akonga Esomba, sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Kamerunit: “Kameruni është një vend që është pjekur, në shumë pikëpamje. Qysh herën e parë të vizitës së Gjon Palit II në Kamerun, u pat kërkuar që të ngrihej një universitet katolik, gjë që u bë realitet. Ekziston universiteti katolik i Afrikës Qendrore, që tashmë është pikë referimi për të gjithë kontinentin. Përveç kësaj në të gjithë Afrikën shënohet një proces demokratizimit, gjë që asokohe nuk përjetohej si duhej. Nëntë dioqeza të reja janë themeluar nga Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, gjë që e bën Kishën shumë të gjallë. Mund të them se Kameruni ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë”. Duke komentuar marrëdhëniet me bashkësinë myslimane të Kamerunit, imzot Esomba tha: “Marrëdhëniet me myslimanët në Kamerun janë shumë të mira, mund të them. Në këtë vend ka kryesisht synitë, të cilët përbëjnë pakicën ndërsa të krishterët shumicën. Kjo ka bërë që myslimanët të bashkëpunojnë gjithmonë me të krishterët. Kohët e fundit vihet re ndërtimi i disa xhamive në jug të vendit nga Arabia Saudite. Marrëdhëniet janë shumë të mira dhe respekti i ndërsjellë. Nuk ka shenja ekstremizmi nëpër zona të tjera. Ka ndihmë vëllazërore, edhe pse Kisha është impenjuar në grupe reflektimi: njëri prej tyre quhet “Forum Kamerun”, një tjetër vepron në planin shoqëror. Pastaj ka edhe një grup që vepron në planin teologjik, që zhvillon reflektim teologjik mbi dialogun ndërfetar ndërmjet bashkësisë së krishterë dhe myslimanëve. Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›