Staravecka: Përse braktisa luftën e partizanëve

Xhelal Staravecka (ne rreth), Enver Hoxha dhe ushtarake te misionit Anglez
Botimet Naimi sjellin kujtimet e njërit prej krerëve të LANÇ.
Një libër, që përfshin 55 vjet histori dhe rreth 100 figura të njohura të politikës.
Aty ku duhet të ishte emri i tij, lihej vendi bosh. Pjesëmarrja e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare fshihej nga librat e historisë, ndërsa ai vetë kujtohej vetëm si kryexhandar, tradhtar e gjithfarësoj epitetesh. Xhelal Staravecka, një nga figurat kryesore gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka vendosur ta mbrojë vetë veten përballë akuzave. Në vijim të kolanës Në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, shtëpia botuese Naimi publikon librin e tij kujtime Përpara gjyqit të historisë, kujtime historike (1912-1966), shkruar në Paris në vitin 1966.
Në kujtimet e tij, të cilat na vijnë në 540 faqe libër, përfshihen histori që shtrihen që nga koha e pavarësisë, deri në largimin e tij drejt Parisit, ku hyjnë e dalin rreth 100 personazhe. Libri është strukturuar në tre kapituj të mëdhenj, që përkojnë me momente thelbësore në jetën e tij, por edhe në historinë shqiptare. Në të parin, përmes dëshmive dhe fakteve, ai na kthen në hapat e parë të një shteti të pavarur, në kohën e Ismail Qemalit, për të na sjellë në periudhën e Mbretit Zog, ku burgoset dhe dënohet fillimisht me vdekje, por del pas tri vitesh. Na përball me politikanët dhe politikën e kohës, deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Kapitulli i dytë përkon me atë të Luftës së Dytë Botërore, ku ai merr përsipër të hedhë dritë mbi ngjarje të rëndësishme të kohës. Ata që e kanë njohur deri më sot si një tradhtar, çuditen kur në të vërtetë përballen me një njeri që besonte thellësisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në rolin e saj për çlirimin e Shqipërisë dhe një komunist i bindur. Si një nga njerëzit e rëndësishëm të kohës, ai tregon marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe shumë të tjerë, që i ka njohur personalisht, por edhe për krerët e Ballit Kombëtar e figura të tjera. Enver Hoxhën e quan një Ali Pasha modern, ndërsa për Mehmet Shehun shpreh një dashuri të veçantë. Ata që presin të gjejnë urrejtje për këto dy figura, nuk do ta gjejnë, në një kohë që Koçi Xoxen e quan me bindje të shitur tek jugosllavët. Ai sqaron arsyen pse u largua nga LANÇ, kur kuptoi se po luhej loja e Jugosllavisë dhe pse pranoi të bëhej komandant i Xhandarmërisë së Tiranës, pas ngjarjes së 4 shkurtit. Kapitulli i tretë përfshin periudhën 1945-1966, kur autori, pasi largohet nga Shqipëria për shkak të ndarjes me komunistët, përfundon i arrestuar në Itali, pikërisht si një nga antifashistët më të mëdhenj dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Gjyqi kundër Xhelal Staraveckës në Romë pati jehonë ndërkombëtare, sidomos qëndrimi i tij në mbrojtje të interesave të Shqipërisë, çka u pasqyrua edhe në shtypin e kohës. Sipas botuesit dhe redaktorit të librit Përpara gjyqit të historisë, është vetëm një pjesë e kujtimeve të Staraveckës, të cilat ndodhen ende në dorëshkrim.
Marrë nga libri me kujtime i Xhelal Staraveckës Përballë gjyqit të historisë

Behar Shtylla
Kur arritëm në Shtyllë Mehmeti dhe unë, pas pak ditësh na erdhën partizanë nga të gjitha anët e Shqipërisë, të caktuar për formimin e Brigadës së Parë, që u bë më 25 gusht 1943. Brigada e Parë ishte i pari njësit ushtarak partizan i ushtrisë partizane në formim e sipër, për tu përleshur në luftë frontale me armikun.
Kur u prisha me ata, dikush më ka akuzuar se unë u rashë shokëve nga dëshpërimi që nuk më dhanë komandën e brigadës.
U betohem në nderin e së vërtetës se ajo akuzë apo ai supozim është krejt pa themel, mbasi asnjë ambicie imja nuk u lëndua nga caktimi i Mehmetit si komandant i Brigadës së Parë. Mbi të gjitha dua të theksoj me gjithë forcën e shpirtit tim, se kurrë, në asnjë rast e në çdo lloj natyre të çështjeve, nuk më ka brejtur krimbi i ambicionit për vend, gradë a pozitë, mbasi kam qenë gjithmonë i shtytur nga motori i veprimit dhe jo i shpërblimit. Veç kësaj, Mehmeti, meqenëse ishte komunist i orës së parë, e meritonte atë ngarkim, ndërsa unë nuk e ndieja veten të atillë njëqind për qind, pse një dozë e fortë e nacionalizmit kufizonte pasionet e mia politike brenda gardhit të shtetit dhe kombit tim. Tek e fundit, Mehmeti ishte i aftë, aftësi që unë vetë ia njihja, dhe kjo njohje ishte reale jo për shpirt modestie.
Dhe veç kësaj, një njeri që e do, nuk mund as ta urresh, as të jesh xheloz ndaj tij. Unë mbi Mehmetin u bëj këtë deklaratë: në jetën time dy persona kam dashur me krejt forcën e shpirtit tim, vëllain, Saminë, dhe Mehmetin, pa e ditur dhe konstatuar ky i fundit ndjenjën time kundrejt tij. E, megjithëse u bëmë armiq, nuk kam mundur ende deri më sot ta ndërroja dashurinë që kam pasur dhe kam për Mehmetin në ndjenja urrejtjeje. Këtë deklaratë nuk e bëj me qëllim prapanik, pse as pres dhe as që dua kurrgjë as prej Mehmetit, si dhe as prej shokëve të tij në atë regjim sot në Shqipëri.
Kush dëshiron të jetë i sinqertë me mua, duhet të më besojë. Po të ma propozonin komandën e Brigadës së Parë, nuk do ta kisha pranuar, pse e ndieja veten më të lirë dhe isha me të vërtetë më i lirë si komandant batalioni, sesa ndonjë njësiti më të madh. Pse me një batalion në fushë të luftës movimentale që bënim ne partizanët, isha më i aftë ti jepja Luftës Nacionalçlirimtare një sukses të mirë sesa me krejt Brigadën. Kjo do të konsiderohet si dhuratë, mirëpo janë provat që flasin. Madje në asnjë rast nuk ka qenë përdorur krejt Brigada në përpjekje kundër fuqisë së okupatorit, por një pjesë e saj. Në luftën e Vithkuqit mu dha gjysma e brigadës që luftova tri ditë e tri net kundër një fuqie italianësh gati dhjetë herë më shumë nga fuqia ime.
Një nga provat që dëshmon se nuk jam përqendruar nëpër grada dhe pozita, është dhe puna ime në Tiranë. Unë isha oficer i karrierës, me shkollë ushtarake dhe me kulturë të mjaftueshme, nga një anë, dhe në tjetrën, në Tiranë kisha një pozitë sa është e tepërt ta përshkruaj këtu, pse të gjithë e dinë. Por, megjithkëtë, dua të shtoj se isha zot i Tiranës, pa marrë urdhër nga kurrkush e pa pasur epror mbi mua. Dhe kur them Tiranës, them 1/10 e Shqipërisë, pse në atë kohë

Skeda e librit: Titulli: Përpara gjyqit të historisë Autor: Xhelal Staravecka Kolona: Në 100-vjetorin e shtetit shqiptar Shtëpia botuese: Naimi Gjinia: Kujtime historike: 1912-1966 Nr. i faqeve: 544 faqe, B5 Çmimi: 1000 lekë/ 10 euro
kishte 150 mijë banorë, dhe nuk pranova tjetër gradë veç asaj si kapiten, pse atë gradë kishin shokët e mi të kursit të akademisë. Për çështjen e gradës sime jo vetëm Hysni Dema që pati përgatitur propozimin për nënkolonel e nuk e lashë ta çonte në regjencë, por edhe vetë Mehdi Frashëri, kryetar i regjencës, më tha të vija cilën gradë të dëshiroja. Dhe unë i thashë se nuk pranoja asnjë