Vermosh, vritet me armë 35-vjeçari, një i plagosur

Fshati Kelmend në zonën e Vermoshit
Policia, 4 orë për të arritur. Dyshime për hakmarrje ose grindje të çastit.
Ngjarja në fshatin e thellë. Autori i qëlloi brenda në lokal.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur rrethin e Malësisë së Madhe. Një 35-vjeçar ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur në një lokal në qendër të fshatit Vukël. Krimi ka ndodhur rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme, në fshatin e largët Vukël të komunës Kelmend. Viktima mësohet se është shtetasi Gjovalin Vuçinaj, 33 vjeç, i cili ndërroi jetë në vend si pasojë e plumbave të armës së zjarrit, ndërsa i plagosur ka mbetur 45-vjeçari Bardhok Grishi. Ende nuk ka të dhëna në lidhje me autorin e mundshëm të kësaj ngjarjeje, si dhe për shkaqet apo motivet që e kanë shtyrë në një veprim ekstrem. Kjo sepse fshati Vukël ku u shënua ngjarja, ndodhet rreth 20 km larg qendrës së komunës Kelmend të Malësisë së Madhe dhe rreth 4 orë larg nga qyteti i Koplikut. Për të shkuar aty, duhet të udhëtosh në një terren tepër të vështirë dhe të dhënat e para që vijnë nga Drejtoria e Policisë Shkodër kanë qenë të kufizuara deri afër mesnatës. Forcave të rendit u janë dashur disa orë për të mbërritur në vendngjarje. Ata janë lajmëruar nga një banor i zonës për krimin, çka ka bërë që drejt vendngjarjes të niset grupi hetimor. Për momentin është mësuar se autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, viktima si dhe i plagosuri kanë qenë në të njëjtin lokal. Nuk dihet se si kanë rrjedhur bisedat që e kanë detyruar autorin të qëllojë në drejtim të tavolinës ku ndodheshin Vuçinaj si dhe Grishi, duke e lënë të vrarë të parin dhe të dytin të plagosur. Pasi ka qëlluar disa herë në drejtim të dy burrave, autori, duke përfituar nga errësira dhe largësia me qendrat e tjera të banuara, si dhe nga Komisariati i Policisë së rrethit Malësi e Madhe, është larguar për në drejtim të paditur, për t’u shpallur në kërkim nga policia. Burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se nga kontaktet me personat në vendngjarje është identifikuar autori i kësaj ngjarjeje dhe po punohet për kapjen e tij, por për arsye hetimi emri i tij nuk bëhet publik. Dyshimet e para janë hedhur mbi dy pista: atë të një vrasjeje në sherr e sipër, si dhe ajo e një hakmarrjeje të mundshme nga ana e autorit me viktimën. Mësohet se Vuçinaj dhe Grishi ishin të njohur mes tyre dhe banorë të të njëjtit fshat. Vuçinaj ishte i pamartuar. Kjo është ngjarja e dytë e rëndë për këtë vit në qarkun e Shkodrës. Më 10 shkurt të këtij viti, krimi brenda familjes tronditi një tjetër zonë të thellë të rrethit Shkodër, fshatin Prekal, ku pas një grindjeje të çastit djali adoleshent ka qëlluar duke e lënë të vrarë babanë e tij. Ndërsa ngjarja e dytë e rëndë u shënua në një zonë tjetër të thellë malore të rrethit Malësi e Madhe, siç është fshati Vukël, 70 km larg qytetit të Shkodrës. Pavarësisht distancës në kilometra, për të arritur deri aty duhen të paktën 4 orë. Ndërkohë që vlen të përmendet fakti që, si rezultat i reshjeve të dëborës, ka vetëm 10 ditë që aksi rrugor Vukël-Tamarë është zhbllokuar, duke bërë që lëvizja në të të jetë e lirë, megjithëse e vështirë për shkak të terrenit natyral të vështirë të këtij aksi rrugor. Pritet që vetëm sot, Policia e Shkodrës të mund të japë variantin e saj zyrtar mbi rrethanat, autorin dhe motivet e ngjarjes së rëndë, pasi grupi hetimor të ketë mbaruar ekspertizën mbi krimin. Një tjetër element i rëndësishëm është dhe dëshmia e të plagosurit mbi momentet kur plumbat u derdhën mbi të dhe bashkëfshatarin.
Bora zbehu krimet në Veri
Dy qarqet më të prekura nga reshjet e dëborës kanë qenë ata të Shkodrës dhe Kukësit. Për mbi 1 muaj qëllimi i vetëm i banorëve të zonave të thella dhe i autoriteteve shtetërore ishte mbrojtja nga fatkeqësia natyrore dhe sigurimi i ushqimit e ndërhyrjes në raste emergjence shëndetësore. Përgjatë kësaj kohe, asnjë ngjarje e rëndë nuk u shënua në këto qarqe. Me përmirësimin e situatës së motit u rikthyen dhe veprat e rëndë penale. Krimi i parë që nga fillimi i vitit u shënua mëngjesin e së shtunës në një fshat të Tropojës, ku bashkëshorti qëlloi për vdekje gruan e tij. Mbrëmë u regjistrua krimi në fshatin e thellë të Shkodrës, ku një person që ende nuk i është publikuar identiteti, qëlloi me armë zjarri ndaj dy personave, duke i marrë jetën njërit prej tyre dhe duke lënë të plagosur tjetrin. Ndërsa rruga është zhbllokuar nga bora, mësohet se vështirësitë vazhdojnë në këto zona për shkak të terrenit.
SHKODER/ RITVAN DIBRA