Zjarr në pallat, 130 banorë shpëtohen pas dy orësh nën ankth

Shkalla e emergjencës dje te pallati
Ngjarja në pallatin e madh te Zogu i zi, foshnja mbeti një orë bllokuar në katin e dhjetë me nënën.
Tiranë, flakët në katin e parë, tymi bllokoi daljen e banorëve.
Flakët dhe tymi rrezikuan dje për rreth dy orë 130 banorë të një pallati 13-katësh pranë Zogut të Zi në Tiranë. Rrjedha e ngjarjes ndryshoi pas ndërhyrjes së gjashtë makinave zjarrfikëse, punonjësve të Repartit të Inspektim-Shpëtim të Minierave, forcave RENEA dhe policëve të Komisariatit Nr.3. Në një kohë prej një orë e gjysmë ata arritën të evakuojnë banorët pasi më parë kishin shuar vatrën e zjarrit, duke ndaluar kështu përhapjen e mëtejshme të flakëve e tymit në pallatin 13-katësh. Asnjë prej banorëve të pallatit nuk pësoi plagë apo asfiksi nga tymi falë ndërhyrjes së shpejtë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në pallatin 13-katësh që ndodhet në anë të rrugës te rrethrrotullimi i Zogut të Zi, në Tiranë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, zjarri ka ardhur nga një shkëndijë elektrike në kabinën e pallatit në katin e parë. Më pas flakët janë përhapur brenda pak sekondash në të gjithë rrjetin elektrik, e telefonik që ndodheshin në kolonën e mesit të godinës. Vatra e zjarrit që ndodhej në katin e parë, tek hyrja e pallatit, ka përçuar me shpejtësi tymin deri në katin e 13-të dhe nëpërmjet kanaleve të aspirimit, por edhe poshtë dyerve të apartamentit, të gjitha shtëpitë e asaj hyrjeje janë mbushur me tym. Si pasojë e këtij tymit dhe nga frika e asfiksimit, banorët e pallatit e kishin të pamundur të dilnin nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që nga paniku të gjithë kishin dalë në ballkon, duke kërkuar ndihmë. Një foshnje mbeti një orë në katin e dhjetë me nënën, derisa një efektiv i kërkim-shpëtimit arriti ta nxjerrë fëmijën prej andej.
OPERACIONI I SHPETIMIT
Në vendin e ngjarjes, menjëherë pas lajmërimit nga banorët, mbërritën njëra pas tjetrës katër makina zjarrfikëse dhe më pas edhe dy të tjera, si dhe një autoshkallë e zjarrfikësve, në mënyrë që të bëhej evakuimi i banorëve më të rrezikuar. Pasi u bë i mundur shuarja e zjarrit në vatër, banorët u këshilluan që të hapnin të gjitha dritaret e apartamenteve, në mënyrë që ajri të qarkullonte. Gjithashtu të dilnin në dritare e ballkon e të mbanin peshqirë të lagur në fytyrë për të eliminuar tymin. Paniku ka zgjatur rreth një orë e 30 minuta, ndërsa shërbimi i zjarrfikësve, forcat RENEA, gjithashtu edhe grupi i Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave mundën të evakuojnë rreth 130 persona, duke shmangur çdo rrezik të jetës së tyre. Ndërsa efektivat e Komisariatit Nr.3 rrethuan zonën, bllokuan qarkullimin e mjeteve, në mënyrë që operacioni për shuarjen e zjarrit dhe evakuimin e banorëve të përfundonte sa më shpejt. Në vendin e ngjarjes u kërkua edhe prezenca e dy autoambulancave, që qëndruan në gatishmëri deri në përfundim të operacionit.
EVAKUIMI
Pasi u shua zjarri dhe u përgatit terreni i nevojshëm për ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, u qetësuan edhe banorët në distancë, duke iu transmetuar mesazhi që situata ishte nën kontroll, nisi operacioni për evakuimin e tyre nga apartamentet. Rreth 130 personat që ishin bllokuar nga tymi në shtëpitë e tyre u nxorën pa asnjë problem shëndetësor nga forcat zjarrfikëse dhe inspektorët e Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave. Të miturit e të moshuarit u zbritën nga ballkonet nëpërmjet shkallës së lëvizshme dhe personat e tjerë nga hyrja kryesore e pallatit. Mes personave të evakuuar ishte edhe një foshnje disamuajshe, që zjarrfikësit e zbritën me shkallë nga ballkoni i katit të dhjetë. Forcat e specializuara të shpëtimit ishin të pajisura me bombola oksigjeni e kaska, për t’i ardhur në ndihmë banorëve të bllokuar në shtëpi. Gjatë gjithë operacionit ishte kërkuar ndërprerja e energjisë elektrike, në mënyrë që të shmangej ndonjë shpërthim në rrjetin elektrik.
“Pashë shtëllunga tymi në korridor”
TIRANE – Me ndihmën e zjarrfikësve dhe inspektorëve të Repartit të Shpëtimit të Minierave, banorët e pallatit 13-katësh u evakuuan nga apartamentet shëndosh e mirë. Teksa dilnin nga hyrja e pallatit, të shoqëruar nga forcat zjarrfikëse, disa prej tyre treguan panikun që përjetuan gjatë një ore e gjysmë, që për ta ishte shumë më tepër se aq. Një prej banorëve tregon se ishte duke parë televizor dhe në një moment ekrani u zbardh, ndërsa ai dyshoi se kishte lëvizur antena. Në momentin kur ka dalë në korridor ka parë që poshtë derës po depërtonin shtëllunga tymi të zi. “Dyshova se kishte marrë flakë ndonjë apartament ngjitur me ne. Menjëherë nxitova të ulja automatin dhe u kërkova familjes që të dilnin të gjithë në ballkon e të kërkonim ndihmë. Tani që zbrita poshtë mësova se zjarri paska nisur në kabinën elektrike në katin e parë dhe habitem si ka mundësi që nuk ka rënë automati. Në të tilla raste duhej të binte automatikisht”, shprehet njëri nga banorët e evakuuar. Ndërsa një banore tjetër, e cila është inspektore në Repartin e Inspektim-Shpëtimit të Minierave, tregon se veprimi i parë që ka bërë sapo ka parë apartamentin e saj të mbushej me tym, ka qenë lajmërimi i kolegëve të saj. “Duke qenë se jam mësuar nga puna ime me raste emergjencash nga zjarri apo edhe në miniera, nxitova të hap dritaret dhe dola menjëherë në ballkon”.
Kërkesa për ndihmë
Ka qenë pikërisht banorja e pallatit, punonjëse te Kërkim-Shpëtimi i Minierave, ajo që ka kërkuar ndihmën e kolegëve. “Mora në telefon kolegët e mi dhe u tregova çfarë kishte ndodhur, u dhashë dhe adresën në mënyrë që një ekip shpëtimi të nisej menjëherë për te pallati, pasi njerëzit kishin nevojë për ndihmë të specializuar. Unë vetë banoj në kat të shtatë, por kur dola në ballkon, pashë që banorët e kateve më lart rrezikoheshin më shumë nga asfiksia, pasi tymi ishte ngjitur lart”, tregoi dje banorja Brunilda Vasku, njëkohësisht edhe inspektore e repartit të Shpëtimit të Minierave.
Laçi: Evakuam 130 persona
Shefi i zjarrfikësve, Dilaver Laçi, u shpreh se operacioni që zgjati rreth një orë e 30 minuta përfundoi me sukses pa asnjë person të lënduar. “Zjarri nisi në katin e parë në kabinën me kabull elektrik dhe tymi u përhap në të gjitha katet. Në operacion morën pjesë gjashtë makina zjarrfikëse dhe autoshkalla e fatmirësisht gjithçka përfundoi me sukses, duke evakuuar rreth 130 persona”, u shpreh Dilaver Laçi.
Shkëndija elektrike shkrumbon fabrikën e këpucëve në Allias
TIRANE – Një magazinë këpucësh është shkrumbuar pasditen e djeshme në Allias të Tiranës, si pasojë një shkëndije elektrike. Magazina është përfshirë nga flakët që përhapeshin me shpejtësi edhe për shkak të materialeve prej polisteroli që gjendeshin aty, duke e bërë edhe më të vështirë shuarjen e zjarrit. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:50 dhe banorët pranë magazinës lajmëruan menjëherë forcat zjarrfikëse dhe policinë. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë dy makina zjarrfikëse e më pas edhe një tjetër për shkak të zjarrit të madh, i cili ishte mjaft i vështirë për t’u shuar, për shkak të materialeve që ndodheshin në magazinë që marrin flakë shumë shpejt. Në vendin e ngjarjes shkuan edhe forcat e forcat e Komisariatit Nr.4 të Policisë së kryeqytetit, që rrethuan vendin e ngjarjes, për të shmangur edhe rrezikimin e banorëve dhe banesave përreth. Tymi është përhapur me shpejtësi edhe banesat që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes dhe banorëve u është kërkuar që të largohen për disa orë nga shtëpinë, në mënyrë që të shmangej asfiksimi i tyre. Zjarrfikësit kanë mundur që të mos lejojnë përhapjen e flakëve në ambiente të tjera dhe brenda 45 minutash është bërë e mundur shuarja e zjarrit. Burimet thanë se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike, ndërsa llogariten vetëm dëme materiale. Në magazinë kishte kryesisht këpucë të vjetra dhe mallra të ndryshme me përbërje bukëpeshku dhe materiale polisteroli. Kjo ka qenë edhe arsyeja që flakët janë përhapur me shpejtësi duke shkrumbuar të gjithë magazinën. Fatmirësisht, në momentin e rënies së zjarrit asnjë punëtor nuk ndodhej brenda, për shkak se ishte ditë pushimi.
ETLEVA DELIA