Maqedoni, rriten tensionet ndëretnike pas vrasjes së dy shqiptarëve, përplasje mes grupesh të rinjsh

Duket se vrasja e dy shqiptarëve në Gostivar, s’do kalojë aq lehtë, pavarësisht thirrjeve të liderëve të politikës shqiptare atje, për qetësimin e situatës. Autobusët e qytetit në Shkup gjithmonë e më tepër po shfrytëzohen si vende incidentesh ndëretnike mes të rinjve shqiptarë dhe maqedonas. Këto incidente kanë vazhduar edhe gjatë kësaj fundjave. Kësaj radhe të rinjtë shqiptarë sulmuan maqedonasit. Të shtunën një grup prej 15 shqiptarësh të moshës 15 deri 17 vjeç kanë sulmuar dy maqedonas në autobusin e linjës numër 57, teksa lëvizte në pjesën shqiptare të Shkupit. Dy të rinj janë lënduar në trup dhe më pas janë dërguar në spital. Pas pak kohësh ata janë dërguar në shtëpitë e tyre. Në të njëjtën kohë 4 të rinj të tjerë shqiptarë kanë sulmuar një maqedonas në një tjetër linjë autobusi. Të shtunën në mbrëmje në qendër të Shkupit katër shqiptarë kanë sulmuar me thikë një 19 vjeçar maqedonas, i cili është lënduar në gjoks. Shkaqet e incidentit ishin banale. Teksa kanë kaluar në një rrugicë, i plagosuri maqedonas e ka prekur rastësisht me bërryl sulmuesin. Sipas policisë sulmuesi shqiptar me tre shokët e tij ka filluar të flasë në gjuhën shqipe. Incidentet e fundit vijnë në kohën kur në Maqedoni mbretëron situatë e tensionuar mes shqiptarëve dhe maqedonasve, veçanërisht pas vrasjes së dy shqiptarëve të martën e kaluar nga një polic maqedonas.
...