E Diel, 1 Nëntor 2026

Do të më helmojë, qëllon me pushkë fqinjin në verandë

DURRES – Plagos fqinjin me pushkë, ndërsa po pinte kafe në verandë. Si pasojë e të shtënave, 33-vjeçari A. Destani ka mbetur i plagosur në shpatull, por pas ndihmës së parë mjekësore që ka marrë në spitalin rajonal të Durrësit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në zonën e Sukthit, ndërsa Policia sqaron se 33-vjeçari ka mbetur i plagosur me armë zjarri në shpatull nga komshiu i tij. Policia ka mundur të prangosë autorin e ngjarjes dhe sipas bluve rezulton të jetë shtetasi Adrian Bregu, 42 vjeç, komshi i të dëmtuarit, ndërsa ka mundur të sekuestrojë dhe armën e krimit. Menjëherë pas marrjes në dijeni të ngjarjes, Policia lokale ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj. Paraprakisht nga hetimet e para u dyshua se plagosja ishte aksidentale dhe se 33-vjeçari ishte plagosur nga një plumb rikoshet.
Por, pjesa e dytë e hetimeve, që janë dëshmia e autorit dhe e banorëve të zonës, tregoi se autori ka qëlluar me vetëdije në drejtim të banesës së komshiut, duke e plagosur këtë të fundit në shpatull. Sipas Policisë, nga dëshmitë rezulton se autori, Adrian Bregu, e urrente fqinjin e tij 33-vjeçar, pasi i ishte fiksuar se do ta helmonte. Adriani dhe 33-vjeçari jetojnë në të njëjtën lagje, madje shtëpitë e tyre janë vetëm disa metra larg njëra-tjetrës. Nga hetimet e para mësohet se palët e përfshira në konflikt nuk kanë pasur më parë probleme. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, por ende nuk është bërë e mundur gjetja e shkakut që detyroi 42-vjeçarin që të qëllonte në drejtim të komshiut të tij, duke e lënë këtë të fundit të plagosur në vend. Duke iu referuar dëshmive të mbledhura nga banorët e zonës, por edhe nga dëshmia që ka dhënë vetë protagonisti i plagosjes, 42-vjeçari Adrian Bregu, policia ka ngritur disa pista. Oficerët që janë angazhuar për zbardhjen e kësaj çështjeje tashmë po hetojnë në drejtime të ndryshme për të gjetur informacione që do t’i ndihmonte për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Paraprakisht, policia dyshon se 42-vjeçari ka probleme, pasi ai u është përgjigjur pyetjeve duke thënë se “komshiu më ka inat dhe se do të më vrasë prandaj e qëllova”. Teksa është pyetur se nëse ka pasur ngacmime apo kërcënime nga 33-vjeçari, është përgjigjur se marrëdhëniet mes tyre kanë qenë normale.  Të njëjtën dëshmi ka dhënë dhe i plagosuri Destani, i cili mësohet nga mjekët e Durrësit se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka deklaruar se nuk kishte asnjë konflikt me autorin e ngjarjes dhe dje ka qenë i qetë, në banesën e tij, kur ka marrë plumbin në shpatull. Nga hetimet që po vazhdojnë të kryhen për këtë ngjarje, fatmirësisht pa viktimë, do të mësohet dhe mbi arsyet e sakta që e shtynë 42-vjeçarin drejt këtij akti.                     l.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›