E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Stardust”, të dashurosh një yll” në Millenium II



Këtë verë do të bjerë një yll dhe aventurat do të fillojnë. Pas “Busullës së Artë”, është koha për të parë në ekranin e kinemasë Millennium II në kryeqytet një histori dashurie e aventurash që përzien të gjithë temat e mëdha dhe elementet fantastike, me një nuancë të fortë romantizmi. Nga imagjinata e autorit të bestsellerit Neil Gaiman dhe nga regjisori Mathew Vaughn mbërrin në ekranin e madh “Stardust”, historia e një ylli që bie dhe zbret në një mbretëri të magjepsur. Në pamje të parë duket një meteor i zakonshëm, por në fakt, është një grua e bukur që e ndjekin të gjithë për fuqitë e saj sekrete. Nga shtrigat e këqija te princeshat e fiksuara, nga dëshira e pushtetit, te piratët fluturues dhe monstrat luftarake, të gjithë ata që takojnë yllin kanë projektet e tyre personale dhe një dëshirë të vetme; të bëjnë për vete zemrën e saj. Rezultati është tronditës, një histori dashurie e aventurash që përzien të gjithë temat e mëdha dhe elementet fantastike, të cilat gjithmonë i kanë bërë njerëzit e të gjitha moshave që të adhurojnë përrallat. Kjo histori fillon të projektohet që nga e mërkura në kinema Millennium II në Tiranë.

Skeda e filmit

Titulli: “Stardust”
Regjia: Mathew Vaughn
Skenari: Jane Goldman dhe Mathew Vaughn
Përshtatur: Nga romani me të njëjtin titull i Neil Gaiman
Narrator: Ian McKellen
Aktorë: Charlie Cox, Claire Dance, Robert De Niro, Michelle Pfeiffer, Ricky Gervais, Mark Strong, Peter O’Toole, Sienna Miller, Rupert Everett, Nathaniel Parker
Kohëzgjatja: 128 minuta
Gjinia: Aventurë, fantazi, romancë
Muzika: Itan Eshkeri
Sinopsi: Ngjarjet zhvillohen në vitet 1800, kur Tristan Thorn kalon kufirin e botës së tij për të shkuar në një univers paralel magjik, sepse i kishte premtuar një yll që bie, të dashurës së tij, (Victoria) e cila nuk e dashuron aspak djaloshin. Aventurat dhe fantazia e shoqërojnë udhëtimin e çuditshëm të adoleshentit, i cili zbulon se pas një ylli fshihet një vajzë e brishtë, por me karakter të fortë.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›