E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohen të plota përgjigjet e sakta për testin e Matematikës



Jonida Tashi

Provimi i dytë i Maturës, Matematika, i ka vënë përballë një vështirësie më të madhe maturantët se provimi i parë. Të paktën kështu u shprehën dje për gazetën “Albania” maturantët e dy prej gjimnazeve të kryeqytetit “Çajupit” dhe “Ismail Qemalit”. Pas përfundimit të provimit, maturantët ngrinin supet për vlerësimin që do të kenë. Disa prej tyre pohuan, se tre ushtrimet për notën 10 nuk mund të bëheshin dot dhe për pasojë ata i kishin lënë pa zgjidhje. Por, akoma më i vështirë ka qenë ky provim për gjimnazet me profil natyror, maturantët e të cilëve kanë pasur përpara vetes një test pothuajse dy fish më të vështirë për të plotësuar. “Dola mirë në provim, jo shumë mirë, sepse provimi ishte i vështirë dhe u hutova përpara pyetjeve”. Kwshtu shprehet njw maturante e “Çajupit” në Tiranë, pas daljes nga provimi, i cili zgjati 150 minuta. Sipas saj, provimi është zhvilluar në kushte të rrepta sigurie dhe nën vëzhgimin e administratorit, i cili nuk i ka lejuar të komunikonin me njëri-tjetrin. Në pritje të rezultateve, maturantet e Çajupit nuk janë shumë entuziaste për notën me të cilën do të vlerësohen. Ndërkohë që të njëjtën gjë kanë pohuar edhe maturantët e gjimnazit “Isamil Qemali” në Tiranë për vështirësinë e testit të Matematikës. Sipas gjimnazistëve, pyetjet e testit kanë qenë nga programi i katër viteve dhe i përkisnin një niveli mesatar. Por megjithëse testi ishte mesatar dhe përmbante pyetje për të tre nivelet e nxënësve për ta të pretendosh për notë të lartë është e vështirë. Njëra prej maturanteve të gjimnazit “Ismail Qemali” u shpreh se provimi ishte i vështirë për nxënësit me nivel të lartë. Pyetjet me alternativa kanë qenë më të lehta për tu plotësuar nga maturantët. Sipas tyre, alternativat të ofronin më shumë mundësi për të vendosur se cila ishte përgjigja e saktë për pyetjen. Por ajo që i frikëson më shumë këta të rinj pas mbarimit të dy provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore është se sipas këtij testim i rezultatet për ta do të jenë pothuajse njëlloj për të gjithë nivelet e nxënësve. Këtë shqetësim ata e bazojnë në faktin se barkodi i tyre në test nuk mund ti identifikojë nivelin e maturantwve. Me provimin e dytë, kanë përfunduar provimet e Maturës, por për të hyrë në auditoret e universiteteve, për maturantët në muajin korrik nis një fazë tjetër ajo e provimeve me zgjedhje. Ndërkohë po vazhdon vlerësimi i provimeve të para, atë Letërsisë dhe rezultatet pritet të dalin javën e ardhshme.
Provimi
Dje, në orën 12.30, u mbyll provimi i dytë i Maturës Shtetërore 2008, ai i Matematikës. Rreth 33.400 maturantë dhanë këtë provim, të mbikëqyrur nga 2 mijë administratorë në të gjithë vendin. Sipas raportimeve të vazhdueshme të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, në to, provimi u zhvillua normalisht dhe sipas parashikimeve të bëra. Ashtu si u veprua edhe për provimin e Gjuhë-Letërsisë, testet e plotësuara me të njëjtat masa sigurie do të nisen në drejtim të shkollës “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, ku do të shpërndahen për t’u korrigjuar në katër qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier. Afro 155 korrigjues të testeve do të fillojnë nga puna ditën e premte, 20 qershor 2008, në këto 4 qendra. Pasditen e djeshme në faqen e internetit të MASH-it (ëëë.mash.gov.al ) u publikuan përgjigjet e kërkesave (pyetjeve) të testit të Matematikës. Për një mbarëvajtje korrekte të zhvillimit të provimit, administratorët (ashtu si në provimin e parë të detyruar) jo vetëm nuk ishin mësues të shkollës ku administruan dhe jo të lëndës përkatëse, por për herë të parë ata u shkëmbyen midis rretheve të ndryshme. Ndërsa 17 specialistët e AVA-s të izoluar prej shtatë ditësh nën masa të rrepta sigurie, pasi hartuan dhe printuan 33.400 testet e Matematikës, dolën dje në orën 10 të paradites nga KOEPS (Koha e Ekpozimit Potencial të Sekretit), në momentin që në gjithë Shqipërinë u hapën dosjet me testet dhe filloi provimi i Matematikës. Provimi kishte gjithsej 25 kërkesa (13 me alternativa dhe 12 me zhvillim) dhe nxënësit, për të marrë pikët maksimale, duhet të grumbullojnë 50 pikë.

Durrës: 1850 maturantë i’u nënshtruan provimit të Matematikës
Rreth 1850 maturantë të 20 shkollave të mesme të rrethit të Durrësit i’u nënshtruan dje paradite provimit të dytë të Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës.
Elbasan: 2500 maturantë të shkollave të mesme përfunduan provimin e Matematikës
Rreth 2500 maturantë të 26 shkollave të mesme në të katër rrethet e qarkut të Elbasanit, Peqin, Gramsh, Librazhd, zhvilluan dje, provimin e Matematikës, një provim i detyruar i Maturës Shtetërore.
Kukës: 562 maturantë i’u nënshtruan provimit të Matematikës
Rreth 562 maturantë nga nëntë shkollat e mesme të rrethit të Kukësit i janë nënshtruar dje provimit të Matematikës të Maturës Shtetërore.
Tropojë: 420 maturantë përfunduan provimin e Matematikës
Rreth 420 nxënës nga gjashtë shkolla të arsimit të mesëm në rrethin e Tropojës përfunduan provimin e dytë të detyruar të Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës.
Lezhë: 1484 maturantë kryen provimin e Matematikës
Rreth 1484 maturantë të qarkut të Lezhës përfunduan dje, provimin e Matematikës. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria arsimore, numri i maturantëve pjesëmarrës në provim është: Lezha me 746 maturantë, Laçi dhe Mamurrasi 436, ndërsa Mirdita 302 maturantë.
Korçë: 1380 maturantë zhvilluan provimin e Matematikës
Rreth 1380 maturantë të shkollave të mesme të Korçës zhvilluan dje, provimin e Matematikës. Në asnjë prej objekteve ku u zhvilluan provimet e Matematikës për maturat e shkollave të mesme të Korçës, nuk pati probleme për zhvillimin e këtij provimi.
Vlorë: 2000 nxënës japin provimin e Matematikës
Rreth 2000 maturantë të shkollave të mesme publike të rrethit të Vlorës, dhanë dje provimin e Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës, që u zhvillua në kushte të larta sigurie.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›