30 milionë dollarë, për 60 sekonda më shpejt
Portali kinez në internet Sohu.com nënshkroi një marrëveshje me departamentin e internetit pranë netuorkut televiziv shtetëror kinez, CCTV, për transmetimin në internet të Lojërave Olimpike “Pekin 2008”. 700 persona plus stafit të portalit do të angazhohen për postimin e lajmeve, videove e fotove nga evenimenti i madh, duke synuar transmetimin 60 sekonda më shpejt të lajmeve sesa uebsajtet e tjera. Portali kinez me qendër në Pekin pagoi 30 milionë dollarë për të drejtat për të hostuar faqen e Lojërave Olimpike dhe të drejtën e përdorimit të logos zyrtare. Në Kinë ka më shumë se 160 milionë përdorues interneti, vendi i dytë në botë pas Shtetet e Bashkuara, dhe të ardhurat arrijnë në 1.1 miliardë dollarë. Rreth 30 mijë gazetarë të akredituar dhe jo të akredituar do të mbulojnë Lojërat Olimpike. Shqipëria merr pjesë në “Pekin 2008” me 11 sportistë.
Vdes një tifoze 20-vjeçare
Një austriake 20-vjeçare u gjet të hënën në mbrëmje në Zonën e Fansave të Vjenës, për shkak të problemeve me zemrën. Vajza u rrëzua papritur në tokë, dhe me gjithë ndihmën e shpejtë të dhënë nuk arriti të jetojë. Burime austriake pohuan se vdekja mund të ishte shkaktuar nga mbidoza e alkoolit apo drogës.
Tifozët, të uritur pas ndeshjeve
Nëse ndeshjet e Euro 2008 po kalojnë për bukuri në fushë, tifozët, dekori i përhershëm i stadiumeve, nuk janë gjithmonë të kënaqur. Fjala nuk është për performancën e lojtarëve në fushë, por për kuzhinën jo fleksible austriake. “Ne jemi të uritur pas ndeshjeve, por në mesnatë në lokalet e Salzburgut thuajse nuk ka asgjë për të ngrënë”, - citohet një ambasador i tifozëve, i cili bën publike ankesat e tifozëve spanjollë e grekë. Tifozët ankohen edhe për biletat. “Ne njohim tifozë, të cilët kanë paguar për një biletë 80 euro, për ta rishitur më pas 250 euro”.
Moxhi: “Jam viktimë e makinacioneve”
“Kam marrë shumë grushta në fytyrë, është hidhërimi i dikujt që ka punuar dhe është i detyruar të lërë fushën e futbollit për të frekuentuar sallat e gjyqeve me familjen time e të djalit tim”. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi paraqitet në versionin e njeriut fatkeq pas daljes nga Gjykata e Romës, dhe hidhet në sulm duke akuzuar ata që kanë dëshmuar kundër tij, përfshirë edhe ish-drejtorin e përgjithshëm të Romës, Franko Baldinin. “Çështja paraqitet si një gjë e montuar. Jam shumë i shqetësuar. Nuk ka prova, por vetëm thashetheme kundër meje”.
Briatore-Gregoraci, martesa 1,5 milionë euro
Një milionë e gjysmë euro. Kjo është kostoja e dasmës midis Elisabeta Gregoraçit dhe Flavio Briatores. Revista italiane “Chi” i kushtoi 40 faqe speciale dasmës me të gjitha fotot ekskluzive.
Martesa e bosit të skuderisë franceze Reno, Briatores, u konsiderua si martesa e vitit në Itali.
Guardiola, “reformë” te Barcelona
Bepe Guardiola, trajneri i ri i Barcelonës, bëri të ditur se ai nuk llogarit më në ekipin e tij tre lojtarë: Ronaldinjo, Deko dhe Eto’, të cilët fituan në vitin 2006 Ligën Spanjolle dhe Ligën e Kampioneve. “Ne e shohim efektivin e ri pa ata”, - tha Guardiola në prezantimin e tij zyrtar si trajner i Barçës.
Tajgër Uds fiton US Open
Superylli i golfit, Tajgër Uds ia doli të fitojë për herë të tretë turneun US Open. Ky ishte edhe triumfi i tij i 14-të në turnetë e mëdha. 32-vjeçari, sportisti më i pasur në planet, arkëtoi 1.3 milionë dollarë nga fitimi i turneut.
18 Qershor 2008