Starova i pakënaqur nga fati, Lika me lojën

ASA (Albania Sport Agency)- Teuta vendase nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola, kundër një Partizani mik që luajti nga minuta 67 me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit të meshfushorit sulmues Elis Bakaj nga gjyqtari Bardhyl Pashaj.
Edhe pse goditi dy herë shtyllën horizontale me anë të sulmuesit Xhafa, Teuta e Starovës, në një ditë shumë më të mirë se të kuqtë e Likës (në ditë të errët), nuk arriti të finalizojë në portën e Partizanit të mbrojtur nga durrsaku, Orges Shehi. "Humbëm tre raste të pastra, të cilat nuk janë pak por shumë me një skuadër si Partizani, që është një nga skuadrat më të mira të momentit", - tha trajneri Starova në deklaratën e tij për shtyp, duke vënë theksin te loja e mirë skuadrës së tij. "Kualifikimi do të zgjidhet tani me ndeshjen e dytë. Nuk mund të parashikoj rezultatin pasi ka dhe 90 minuta të tjera lojë. Tani na duhet të mendojmë për ndeshjen e së shtunës, dhe më pas do të mendojmë edhe për ndeshjen e kthimit".
"E ndjemë presionin e një ndeshje kupe dhe jam më shumë i kënaqur me rezultatin se sa me lojën, nga mënyra sesi rrodhi loja. Tani na duhet të mendojmë për ndeshjet e kampionatit", u shpreh trajneri i Partizanit, Hasan Lika.
Në 7 përballje të dyfishta nga viti 1957, Partizani është kualifikuar 6 herë kundrejt vetëm një herë të Teutës, por për ta bërë këtë në edicionin e 55-të Kupës duhet të fitojë patjetër në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet pas dy javësh në Tiranë.
GJYSMEFINALET
Grupi 2: 11 prill 2007
Teuta – Partizani 0-0
Bakaj (Partizani), me karton të verdhë dhe të kuq në minutën 67'
Stadiumi "Niko Dovana", Durrës, ora 15:00
Gjyqtarë: Bardhyl Pashaj, D.Salaj-D.Koreshi
25 prill 2007, ora 14:30: Partizani - Teuta