E Diel, 1 Nëntor 2026

Starti i ngadalshëm nuk brengos kampionët

Prishtinë, 24 gusht - Starti i ngadalshëm në edicionin 2010-2011 nuk shqetëson trajnerin e Trepçës, Gani Sejdiu. Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Trepça, në dy xhirot e para ka tubuar vetëm një pikë. Në javën e parë barazoi në shtëpi me Drenicën, ndërsa në javën e dytë humbi 1:0 nga rivalja lokale, Trepça '89. Sejdiu ka mohuar zërat për paraqitjen e një krize në skuadrën kampione.

"Trepça nuk ka kurrfarëë krize. Para fillimit të kampionatit kishim disa telashe, por ato i tejkaluam dhe tani çdo gjë është në rregull. Rezultatet e dy xhirove të para nuk më brengosin aspak. Në fakt këtë edicion nuk kemi synime që të shpallemi kampion. Do të mundohemi të krijojmë një skuadër të fortë, të përbërë kryesisht nga futbollistë të rinj", ka thënë Sejdiu.

"Në ndeshjen e parë kishim raste të mira për të shënuar, por nuk ditëm t'i realizojmë. Për këtë arsye u detyruam të kënaqemi me vetëm një pikë. Ndeshjen e dytë nuk kemi mundur ta fitojmë për shkak të disa gjërave tjera, jo pse nuk kishim kualitet. Lojtarët nuk janë aspak përgjegjës për rezultatin e ndeshjes së dytë", ka shtuar Sejdiu.  

Ndërkohë, mbrojtësi i Trepçës, Arben Zhjeçi vlerëson se skuadrës i duhet edhe pak kohë për të arritur formën më të lartë.

"Lojtarët që kanë ardhur gjatë verës në skuadër nuk e kanë gjetur ende formën e duhur. Besoj që së shpejti edhe ata do të përshtaten në lojën tonë. Nuk do të thotë asgjë që kemi vetëm një pikë. Ne jemi pretedent për titull të kampionit dhe nuk do të heqim dorë deri në fund. Kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve, por duhet të luajmë më mirë në ndeshjet tjera. Besoj se nga ndeshja e ardhshme do t'i kthehemi rezultateve pozitive", ka thënë Zhjeçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›