Starton projekti i rrugëve rurale – gati gara e qarqeve për të përfituar projektet e Bankës Botërore
Shefi i ekzekutivit lançoi, gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë me 12 Kryetarët e qarqeve të vendit, zbatimin e projekteve për ndërtimin e rrugëve rajonale të mbështetur nga Banka Botërore, sipas të cilit çdo qark do të përfitojë ndërtimin e rrugëve, nëpërmjet konkurrencës të prioriteteve rajonale. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij, theksoi që nëpërmjet këtij projekti, i cili për këtë vit shënon vetëm fillimin e një pune të gjatë, do të mundësohet përmirësimi i infrastrukturës rrugore për t’i ardhur në ndihmë në këtë mënyrë banorëve të këtyre zonave, si dhe qendrave të zhvillimit turistik dhe arkeologjik të vendit. Kreu i qeverisë kërkoi nga kryetarët e pranishëm dhe përfaqësuesit e dikastereve përkatëse që të bashkërendojnë punën mes tyre për standardizimin teknik të rrugëve, të rivlerësimit të kërkesave të përpunimit, si dhe të evidentimit dhe seleksionimit të kapaciteteve të firmave shqiptare të ndërtimit. Më tej, Kryeministri evidentoi si një problem madhor përpunimin e mbetjeve urbane. Në këtë kuadër, ai kërkoi që të bëhen studimet e hollësishme për trajtimin e mbeturinave të ngurta, duke u bazuar në modelet europiane, si dhe të merren të gjitha masat sensibilizuese për krijimin e një kulture mjedisore në të gjitha shtresat e komunitetit. Për sa i përket vazhdimit të thellimit të procesit të legalizimeve, Kryeministri kërkoi prej autoritetit përkatës përshpejtimin e veprimeve në harmoni me ligjin, në mënyrë që të kalohet në fazën e fundit të legalizimit. Në këtë takim ishin të pranishëm, edhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekominikacionit Sokol Olldashi, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe Drejtori i ALUIZN-it.