E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statistikat e Juventusit pa Conten

Antonio Conte do të rikthehet në pankinën e Juventusit në fundjavë, pas përfundimit të skualifikimit më 8 dhjetor. Por, si është paraqitur skuadra në mungesë të tij?

Conte nuk e kishte të lejuar të drejtonte skuadrën gjatë ndeshjeve pas suspendimit për mosraportimin e përpjekjeve për të kurdisur një ndeshje gjatë kohës sa ishte në krye të Sienës. Conte ishte në gjendje të drejtonte ekipin në stërvitje, por në pankinë u zëvendësua fillimisht nga Massimo Carrera e më pas asistenti i tij Angelo Alessio.

Juventus zhvilloi 21 ndeshje zyrtare pa Conten, duke filluar nga fitorja në Superkupën e Italisë më 11 gusht kundër Napolit. Bianconerët fituan 14 herë (66.67%), barazuan pesë (23.81%) dhe humbën dy (9.52%), nga Inter dhe Milan në Serie A.

Conte do ta drejtojë skuadrën nga pozita e njëjtë ku e la atë, në krye të renditjes në kampionatin italian. Juventus po ashtu ka siguruar kualifikimin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Gjiganti torinez është mysafir i Palermos të dielën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›