E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shijoi golin e parë

Xherdan Shaqiri e shijoi golin e parë zyrtar në fanellën e Bayern Munichut të martën, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve në fitoren 4:1 ndaj BATE Borisov. Mesfushori kosovar e realizoi golin e tretë të gjigantit bavarez, ndërsa kontribuoi me asistim në golin e Mario Gomezit. Me këtë rast, Bayerni e mbylli eksperiencën në Grupin F në pozitën e parë, duke e lënë prapa Valencian.

“I tërë ekipi e shijoi lojën e sotme. Ne donim të nxirrnim rezultat të mirë dhe ta mbyllim fazën e fitoreve me fitore. E dinim se BATE ishte ekip i mirë, i cili preferon të luajë me kundërsulme, por pas rezultatit 1:0 na u hapën dyert dhe shënuam më shumë gola”, deklaroi 21 vjeçari pas ndeshjes.

Shaqiri shpreson në një short të mirë në të tetën e finales. “Ta shohim se me kë do të na përballë shorti. Të jem i sinqertë, nuk ka rëndësi shumë sepse çdo ekip që është kualifikuar në të tetën e finales është i mirë, kështu që ky do të jetë një hap tjetër për ne”, përfundoi ish futbollisti i Baselit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›