E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biasi e lut Bashën të mos e pranojë Zvicrën

Interesimi i përfaqësueses se Zvicrës për Migjen Bashën ka filluar ta tremb selektorin e Shqipërisë, Gianni De Biasi.

Pas lajmit të publikuar nga Gazeta Express, trajneri italian dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) kanë kërkuar me ngulm që Migjen Basha të luajë për Shqipërinë.

Ish trajneri i disa ekipeve italiane ka theksuar rëndësinë që Basha do ketë në ekipin kuqezi, gjë që zor se mund ta ndiejë te Zvicra, ku me gjasë mund të mbetet dhe në stol.

“Unë dhe bashkëpunëtorët e mi, të mbështetur edhe nga FSHF-ja, kemi muaj që po punojmë për ta bërë të mundur që Migjen Basha të luajë për Shqipërinë. Për mua si trajner ai është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe që do të na bënte punë në mesfushë. Tani të jemi të ndërgjegjshëm, ka disa probleme që Basha nuk luan ende për Kombëtaren shqiptare, por unë i them se nëse dëshiron që t’i mbrojë ngjyrat e kombit të tij, atëherë duhet të ketë edhe pak durim, derisa çështja të zgjidhet plotësisht. I them se durimi i tij do të shpërblehet, pasi unë e shikoj si një lojtar kyç në mesfushë. Dhe, nuk besoj, pa dashur të paragjykoj, se te Zvicra do shihet me këtë sy ose do ketë hapësirat e nevojshme sikundër te Shqipëria”, ka theksuar De Biasi për “Panorama Sport”.

Për lojtarin në fjalë ka reaguar dje edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila nëpërmjet zyrës së shtypit ka theksuar se ka bërë të pamundurën për t’i siguruar shërbimet e Bashës.

“Ne si Federatë kemi bërë të gjitha përpjekjet që lojtari të mund të luante për Shqipërinë. I bëmë dokumentacionin gati dhe në kohë rekord ai u pajis me pasaportë shqiptare. I vumë në dispozicion asistencë juridike. Ishte një periudhë kohe kur ne mbanin kontakte të përditshme me Ministrinë e Brendshme, pasi kërkonim që të gjenim një lidhje sadopak të vogël të tij ose familjes së tij me Shqipërinë, pasi siç e dini ai është kosovar. U munduam edhe t’i gjenim ndonjë certifikatë. Me pak fjalë, bëmë atë që realisht mendojmë se ishte e mundur për këtë lojtar, por përfundimi nuk ishte ai që prisnim. I kërkuam FIFA-s ndihmë për rastin në fjalë, por përderisa nuk ka kthyer përgjigje, do të thotë që është e pamundur”, ka theksuar Zalla.

Menjëherë sapo mori drejtimin e kuqezinjve, De Biasi kërkoi ndihmën e FSHF-së për ta pajisur Bashën me pasaportë shqiptare dhe, një gjë e tillë u bë në kohë rekord nga institucioni i futbollit shqiptar.

Madje, trajneri italian i ekipit kuqezi vuri në dispozicion edhe avokatin e tij personal që të mbronte interesat e lojtarit në FIFA, me qëllim që institucioni i futbollit botëror ta lejonte të vishte fanellën kuqezi.

Mesfushori i Torinos, Migjen Basha, është vëzhguar në derbin Juventus– Torino nga asistenti i trajnerit të Zvicrës, Otmar Hitzfeld.

Ky i fundit i ka hapur derën e Kombëtares helvete lojtarit, çka ka bërë që Basha të tundohet nga kjo ofertë.

“Pas ndeshjes Juventus– Torino, takova asistentin e trajnerit të Zvicrës, i cili kishte qenë në ndeshje për të më vëzhguar. Gjatë bisedës ai më tha se janë të interesuar për mua. Jam lodhur duke pritur një përgjigje nga FIFA, nëse do të më lejojë të luaj me Shqipërinë apo jo. Nëse ftohem nga Hitzfeld, duhet ta pranoj ftesën, edhe pse dëshira ime është që ta vesh fanellën kuqezi”, ka deklaruar Basha për Express.

Migjen Basha është me prejardhje nga Suhareka, Kosovë, por ka lindur në Zvicër dhe ka pasaportë të këtij vendi. Por, ajo që nuk e lejon të luajë për Shqipërinë është fakti se ai ka luajtur një ndeshje të vetme për ekipin Shpresa të Zvicrës në 2008-n, duke mos pasur në atë moment pasaportë shqiptare.

Në këtë këndvështrim duhet një aprovim nga FIFA që ai të luajë për Shqipërinë, pasi është pajisur me pasaportë të shtetit tonë, gjithnjë nëse lojtari dëshiron dhe për më tepër, nëse FIFA do ta lejojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›