Statistikat nuk duhet të kenë "ngjyrosje politike"!
Këto dy vjetët e fundit, diku në mënyrë të njëpasnjëshme, diku në mënyrë frontale, është realizuar gradualisht "ngjyrosja" politike, tërësisht partiake, e institucioneve të pretenduara të pavarura nga ana ligjore e kushtetuese. Kjo, ose me zëvendësim emrash, ose me nënshtrim të plotë individësh! Natyrisht, u fillua me ato më kryesoret, ku nuk kishte "barrierë" të mëparshme presidenciale, dhe, tashmë, pas marrjes së KQZ-së, KKRT-së, KLD-së, Komisionit të Shërbimit Civil, etj., ky proces përmbyllet në këtë pranverë edhe me Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Pa harruar këtu deklaratat e fundit për punësim militantësh, trysnitë e drejtpërdrejta ose të tërthorta mbi median, mbi botuesit, deri mbi ndonjë federatë të sportit apo ndërhyrjet "akumuluese" në institucione akademike si p.sh., Akademia e Shkencave, Universitetet, etj.! Por që të ndërhyhet dhe deri tek statistikat, është sa "diabolike" e "epshore", po aq dhe e gabuar në një projeksion të drejtë politiko-ekonomik afatgjatë! Aq më tepër që kritikat e mosbesimi i shfaqur mbi statistikat janë bërë një refren i zakonshëm në raportet e institucioneve ndërkombëtare...
***
Në gazetën "Shekulli" të datës 9 janar lexova dhe një shkrim me titull, "INSTAT kënaq qeverinë dhe BSH-në". Në këtë shkrim, krahas të tjerave, theksohej se inflacioni në muajin dhjetor rezultonte sipas INSTAT-it 3.1%, ndërkohë që muaj më parë ai e kishte kaluar vlerën 4%. Kjo edhe pse në një periudhë të tillë, çdo vit, ky tregues ka rezultuar përgjithësisht më i lartë. Jo vetëm nga rritja spekulative e çmimeve, por dhe nga shtrenjtësimi normal dimëror i mjaft zërave të shportës, përfshirë dhe atë të zarzavateve dhe të frutave, ku rritja më e madhe ka qenë ajo e nëngrupit "Zarzavate, përfshirë patatet" prej 11.1% apo indeksi i nëngrupit "Fruta" me një rritje prej 10.8%. Aq më shumë që këtë radhë, një rritje në ngritje ka pasur dhe zëri i drithërave apo ai i naftës, në pasqyrim dhe të shtrenjtësimit global! Po ashtu, një shpenzim shtesë është krijuar në të gjithë këtë periudhë prag dimri dhe nga kriza energjetike, përdorimi i gjeneratorëve apo blerja e tyre. Prandaj, ta marrësh në ansambël, ky titull duket plotësisht i justifikuar...
***
Por INSTAT-i ka ndryshuar dhe metodikën e llogaritjes së inflacionit, që tashmë ka një shportë të re mallrash dhe pesha të tjera llogaritjeje, ku shihet një ulje e konsiderueshme e kësaj peshe për mallrat ushqimore, në grupin "Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji" apo atë të titulluar "Hotele, kafene, restorante". Sipas kësaj shporte të re, shqiptarët në vitin 2008 do të shpenzojnë më pak për ushqim dhe më shumë për veshje, argëtim, komunikim, shërbim mjekësor, etj. Kështu p.sh., për grupin "Ushqime, pije dhe duhan" pesha specifike ulet me afro 4%, pra kalon nga 42.6% në 39%, ndërkohë që kjo peshë për grupin "Qira, ujë, karburante dhe energji elektrike" zbret me 8%, pra kalon në 16.4%. Nga ana tjetër, në mungesë të një transparence publike të institutit të statistikave, flitet se në shportën e re ka ndryshuar dhe përfshirja e popullatës në grupin e mallrave ushqimore. Nëse një gjë e tillë është e vërtetë, ajo nënkupton që ndërsa e dhëna e mëparshme prej 42.6% ishte një tip CPI-U (Consumer Price Index - Urban), pra përfshinte normalisht vetëm popullsinë urbane, kjo e fundit prej 39% përfshin të gjithë popullsinë, gjë që bëhet më e pabesueshme, duke pasur parasysh varfërinë e madhe në zonat rurale.
Ndërkohë, dalin dhe disa pikëpyetje serioze. Në radhë të parë, ne kemi një numër shumë të madh, sa afro 1/6 e popullsisë, të pensionuarish në qytet dhe fshat. Dihet si e përballojnë ato problemin e ushqimit dhe të pagesave për energji elektrike! Po kështu, një numër i madh familjesh jetojnë në nivelin e varfërisë, me 1-2 euro në ditë. Janë të shumtë qytetarët shqiptarë që blejnë ushqime me listë. Gjë që e bën të dyshimtë peshën specifike për mallrat ushqimore, edhe pse në një proces normal rritjeje ekonomike kjo peshë duhet të vijë duke u zvogëluar. Aq më tepër që këto muajt e fundit ka pasur deri dyfishim çmimesh për shumë mallra ushqimore, dhe ndërkohë për drithërat (pra dhe për bukën, ende si ushqim bazë) vihet re një rritje galopante e çmimeve në nivel global. Justifikimi mund të gjendet vetëm në ndonjë emision televiziv me ushqim total dite: një gotë qumështi, një mini-vezë dhe një mollë të vogël vendi!
***
Përpara kësaj "surprize" të INSTAT-it, m'u desh të studioja mjaft materiale të tjera, që më krijuan përshtypjen se ky institucion ose ka bërë matje të gabuara, duke e zgjedhur kampionin në mënyrë jo përfaqësuese, ose ka rregulluar numrat nën një trysni të fortë politike. Dhe ja një kundërshti tjetër:
Në një botim të Bankës Qendrore Evropiane të vitit 2007 ("Understanding price developments and consumer prices indices in South-Eastern Europe", European Central Bank, Paper Series, Nr.57, March 2007) ende figuron me "indulgjencë" pesha specifike prej 42.6% për grupin ushqime. Po në atë material, kjo peshë, për këtë grup figuron p.sh., për Bullgarinë, 42.9%; për Kroacinë, 33.8%; për Maqedoninë, 44.4%; për Malin e Zi, 57.5%; për Rumaninë, 43.6%; për Serbinë, 46.2%, etj. Si rrjedhim, kjo peshë, pa pasur të dhëna për Kosovën, lëviz midis afro 60% në Mal të Zi dhe afro 29% në Turqi (e njohur për çmime mjaft të ulëta të prodhimeve të veta bujqësore), ndërkohë që vlera mesatare e saj në këtë rajon të Evropës Juglindore rezultonte afro 43%. Pra, shumë më e lartë se vlera 17% në zonën Euro.
Ndërkohë, sipas Raportit të fundit të FMN-së, të ardhurat për frymë në këto vende, në lidhje me Shqipërinë, kanë këtë nivel krahasimi: Bullgaria dhe Rumania kanë të ardhura të tilla, gati sa dyfishi i Shqipërisë; Kroacia më shumë, 2.5-3 herë ato të Shqipërisë, dhe Maqedonia e Serbia gati 1.5 herë. Krahasimi i këtyre shifrave paralele e bën mjaft të vështirë për ta besuar vlerën e sugjeruar prej INSTAT-it, prej 39%.
Për t'u bindur më mirë, bëra dhe një "shëtitje" nëpër botë. Kështu p.sh., në SHBA, me të ardhura për frymë prej gati 9-10 herë ato të Shqipërisë, pesha specifike e grupit të mallrave ushqimore, sipas matjeve urbane (CPI-U) apo atyre të individëve hipotetikë (hypothetical individuals) varion midis 15.7% dhe 20.5%, ndërsa në Irlandë me të ardhura për frymë mbi 9 herë ato të Shqipërisë kjo peshë rezulton 17.79%, ndërsa në Spanjë me të ardhura për frymë mbi 5 herë ato të Shqipërisë, gjeta një peshë specifike për ushqimet (pa pijet dhe duhanin) prej 21.9%.
Duke u hedhur në Azi, për Singaporin me të ardhura për frymë afro 7 herë ato të Shqipërisë, kjo peshë specifike rezulton afro 23%. Për të qenë sa më "korrekt" në gjykim analizova dhe Filipinet (me të ardhura për frymë sa të Shqipërisë) dhe më rezultoi, brenda pritshmërisë, që kjo peshë specifike e mallrave ushqimore ishte afro 55.12%.
U hodha dhe në vende të Afrikës dhe Amerikës Latine, dhe, për fat të keq, jo vetëm që nuk shtova besimin e dëshiruar ndaj kësaj shporte "alla-shqiptare", por m'u thellua më shumë përshtypja, pse jo bindja, se dhe ajo e shkreta, kaq e domosdoshme për orientime të drejta ekonomike, jo vetëm duket e retushuar, por ka shumë mundësi që të jetë "ngjyrosur" rëndë edhe politikisht!