E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statistikave shqiptare u ka ngelur ora

Ilir Beqja 

Në datën 10 qershor 2008, misioni i Bankës Botërore në Shqipëri organizoi një Konferencë me titull “Krijimi i një fuqie punëtore konkurruese në Shqipëri”. Temë shumë e rëndësishme për të ndihmuar Shqipërinë të gjejë busullën që do ta çojë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.
Një nga sesionet e ditës së parë të konferencës e moderoi zonja Suzana Guxholli, këshilltare e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Në atë sesion pati 4 prezantime. Dy nga të huaj dhe dy nga shqiptarë. Pavarësisht profileve të ndryshme të prezantimeve, ra në sy një e “metë” e përbashkët. Të gjithë referuesit ilustronin gjetjet apo mendimet e tyre me të dhëna të viteve deri në vitin 2005. Asnjë e dhënë për vitin 2006 e më pas. Prezantimin e fundit në atë sesion e bëri zonja Milva Ekonomi. Pa i marrë leje Milvës, po them që ajo ka qenë për shumë vite drejtore e Përgjithshme e Institutit të Statistikave. Edhe Milva ilustroi me të dhëna të vitit 2005. Në fund të sesionit, moderatorja konstatoi me të drejtë që referuesit duhet të kishin përdorur të dhëna më të freskëta. Por moderatorja, si këshilltare e Kryeministrit të vendit, duhet të dijë më mirë se referuesit, kërkuesit apo specialistët e huaj se çfarë të dhënash zyrtare janë të disponueshme për Shqipërinë.
Prej disa muajsh kam konstatuar që ka mungesë të theksuar të të dhënave statistikore zyrtare në Shqipëri. Kam lundruar nëpër faqet e internetit të institucioneve më të rëndësishme shqiptare dhe nuk gjen të dhëna të viteve të fundit. Duket sikur statistikave shqiptare u ka ngelur ora në vitin 2005. Këtë shqetësim vendosa ta paraqes edhe në konferencë. Duke shfrytëzuar një farë konfidence personale prej 20 vjetësh (të paktën kështu më gënjente mendja mua) vendosa të mos ndërhyj publikisht në konferencë, por t’ia paraqes shqetësimin tim zysh Zanës (Prof. Suzana Guxholli më ka mësuar kontabilitet në vitin shkollor 1988 - 1989) veçmas, por akoma pa lënë sallën e konferencës. Madje, në bisedën tonë u afrua edhe Milva, që u gjend aty pranë. Nuk e shoh me vend të paraqes sjelljen e zonjës Guxholli, por ju siguroj që përmbajtjen e përgjigjes së saj do ta kishte zili çdo anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Gjithsesi zgjedhja ishte e saj. Duke qenë se ajo pa tek unë një kundërshtar politik, po i përgjigjem politikisht zonjës Guxholli.
Zonjës Guxholli dhe të gjithë shpurës së Kryeministrit të Shqipërisë, ndiej detyrimin t’i tregoj në dritën e diellit se çfarë të dhënash zyrtare prezanton sot qeveria e Republikës së Shqipërisë.
INSTITUTI I STATISTIKAVE
Në faqen zyrtare të internetit të Institutit të Statistikave (www.instat.gov.al), në qershor të vitit 2008 disponohen këto të dhëna:
-Paradoksalisht nën titullin “Shqipëria në shifra 2007”, skedari bashkëlidhur në format PDF ka të dhëna vetëm për vitin 2005.
-Nën rubrikën e treguesve socialë, punësimi, ka të dhëna vetëm për vitin 2006.
-Nën rubrikën e treguesve socialë, papunësia, ka të dhëna vetëm për vitin 2006.
-Që prej vitit 2005 nuk ka LSMS (Vëzhgimi i Matjes së Standardit të Jetesës). Vetëm para dy javësh u deklarua që do të ketë një LSMS të re, por të dhënat e saj nuk do të jenë gati para dhjetorit 2008. 
-Nën rubrikën e treguesve socialë, shëndetësia, ka të dhëna vetëm për vitin 2006.
-Nën rubrikën e treguesve ekonomikë, bujqësia, ka të dhëna vetëm për vitin 2006.
PO TË TJERËT
Po kështu në faqet zyrtare të dy institucioneve të rëndësishme, të dhënat e të cilave nuk janë në faqen e INSTAT, nuk ka asnjë të dhënë pas vitit 2005. Është fjala për Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Institutin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.
Unë vetë nuk besoj se nuk ka më njerëz të aftë në institucionet shqiptare që të jenë në gjendje të prodhojnë statistikat zyrtare. Sado që është bërë batërdia në administratën publike, statistika që kanë nevojë vetëm për mbledhje, shumëzim apo pjesëtim mund t’i bëjë edhe një gjimnazist. Atëherë pse nuk ka statistika zyrtare të freskëta. Arsyeja është e thjeshtë. Statistikat zyrtare janë autogol i pastër në portën e Kryeministrit. Ai nuk mund të vijojë turin e tij, nëse të dhënat për realitetin shqiptar bëhen publike. Më lejoni të citoj INSTAT: “Në vitin 2006 rritja e pagës mesatare mujore është 7.5%, ndërsa çmimet e konsumit rriten me 2.4%, duke sjellë rritje në pagën reale me 4.9%”. Këtu nuk është përfshirë pakësimi i të ardhurave nga rritja e tatimit mbi të ardhurat personale. Imagjinoni ç’do të ndodhë për vitin 2008, kur inflacioni është mbi 4%. Kryeministri flet për rritje të paparë të pagave, për pasurim të punëtorëve apo për dyfishim të pagave. Pra, ja prova më e mirë e gënjeshtrave të Kryeministrit Berisha. Kjo është arsyeja pse nuk ka dhe nuk do të ketë statistika të freskëta zyrtare sa të jetë në qeverisje kjo çetë gënjeshtarësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›