E Shtunë, 31 Tetor 2026

Celularët-bombë, parandalohet tragjedia

Policia ka parandaluar një tragjedi të vërtetë në rast se dy mina me celular do të ishin instaluar në një banesë 4-katëshe në qytetin e Elbasanit. 

ELBASAN / ALDO KOZARJA

Arrestimi i dy personave në flagrancë ka lënë në tentativë planin tragjik të hakmarrjes për vrasjen e vëllait të njërit prej tyre në Itali.
Atentati ishte parashikuar të kryhej mbrëmjen e djeshme në lagjen "Vullnetari", në një zonë të mbipopulluar, ku viktima nuk do të mbeteshin vetëm anëtarët e një familjeje në shënjestër, por rrezikoheshin dhjetëra të tjerë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në bazë të të dhënave të siguruara është arritur që rreth orës 10:30, operacioni i koduar "C 4" të ndalojë makinën ku ndodheshin dy personat. "Arben Binjaku, 38 vjeç, me banim në Elbasan, i dënuar disa herë më parë si dhe Nevil Hysenaj, 36 vjeç, me banim në qytetin e Vlorës, i dënuar disa herë më parë në shtetin fqinj të Greqisë për vepra të ndryshme penale, janë ndaluar në tentativë për të kryer shpërthimin në banesën e një shtetasi në Elbasan", pohohet në deklaratën zyrtare të policisë së Elbasanit. Bazuar në të dhënat hetimore dhe në rrëfimin e të ndaluarve, atentati do të kryhej në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të Binjakut, në 5 shtator 2007 në qytetin e Breshias në Itali. Për vëllanë e viktimës, Spiro Binjaku, autori ishte pikërisht ai, familjen e të cilit do të sulmonte dje me tritol. Paraditen e djeshme, bashkë me shokun e tij nga Vlora, Binjaku do të instalonte 2 mina që do të komandoheshin nëpërmjet celularit, për të realizuar hakmarrjen. Arrestimi i tyre u krye në periferi të qytetit, në lagjen "Çlirim". Në makinën "BMË" me targë EL 2966 B, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, si dhe 1 kilogram lëndë plasëse të llojit C4.
Ndihmë të madhe për realizimin e këtij operacioni ka dhënë edhe Prokuroria e Elbasanit si dhe Shërbimi Informativ, të cilët në bashkëpunim me policinë kanë parandaluar ngjarjen e rëndë. Burime të policisë së Elbasanit thonë se prej kohësh mbaheshin nën vëzhgim të afërmit e viktimës, Spiro Binjaku, deri në momentin kur ka arritur të zbulojë nëpërmjet informacioneve nga SHISH, por dhe informatorët e policisë, se ndaj familjes së autorit të dyshuar të vrasjes së vëllait të Arben Haxhihysenit, (Binjaku), po përgatitej një atentat. Polica dje në mëngjes ka marrë të gjitha masat për të mbajtur nën vëzhgim dy të arrestuarit, deri sa ka mundur t'i ndalojë në orët e paradites, në afërsi të xhamisë së Nazareshës. Dy personat kanë lënë makinën dhe kanë nisur të ecin në këmbë nëpër rrugicat e lagjes "Çlirimi", por janë arrestuar brenda pak sekondash nga forca të shumta policie, të drejtuar dhe nga krerët e policisë së qarkut. Dy shtetasit nuk kanë bërë asnjë rezistencë ndaj policisë, e cila më pas i ka transferuar për në ambientet e drejtorisë së policisë. Ekspertët janë marrë me këqyrjen e materialeve që ndodheshin në qeset e bllokuara, duke gjetur brenda tyre 2 telefonat celularë të markës "Siemens", minat, 1 kg eksploziv të llojit C 4, fitil e pajisjet që do të krijonin shpërthimin. Shpërthimi, sipas policisë, do të ishte me pasoja të rënda, jo vetëm për anëtarët e familjes, por dhe për banorët e zonës përreth. Lagjja "Vullnetari", ku do të kryhej atentati, kufizohet me lagjet "Partizani" dhe "Visarion Xhuvani", të populluara nga rreth 10 mijë banorë. Ndërkohë që nuk përjashtohet dhe fakti se kalimtarë të rastit mund të ishin bërë pjesë e tragjedisë, për shkak të rrugës që lidh zonat mjaft të rrahura nga qytetarët elbasanas.

Vrasja në Itali

Spiro Binjaku, emigrant në Breshia të Italisë, është qëlluar disa herë me thika në 5 shtator të vitit të shkuar. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë F.N., bashkëqytetar i Binjakut nga Elbasani, me të cilin kishin njohje prej vitesh. Mësohet se Binjaku, si pasojë e plagëve është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit, ku për 1 javë rresht ka luftuar me vdekjen, por më në fund ka ndërruar jetë në moshë fare të re. Pas atentatit, policia italiane ka shpallur në kërkim bashkatdhetarin e tij, i cili ende nuk është arrestuar. Një debat i çastit mendohet të ketë provokuar sherrin e më pas qëllimin me thikë të 21-vjeçarit Binjaku. Prej asaj kohe, policia e Elbasanit ka mbajtur në mbikëqyrje familjen e F.N.-së, pasi kishte
dyshime të forta se do të merrej hak ndaj saj.

Hysenaj, atentator me pagesë

Nga burime të konfirmuara të policisë bëhet e ditur se shtetasi Nevil Hysenaj dyshohet se po bashkëpunonte në realizimin e atentatit kundrejt një pagese të majme dhe do të largohej mbasi të kishte realizuar me sukses këtë akt. Policia deklaron se ka të bëjë me një person që mund të zbardhë dhe implikimin në ngjarje ende të pazbardhura. Hysenaj, 36-vjeçari nga Vlora ka udhëtuar enkas për këtë ngjarje, pas kërkesës së bërë nga Binjaku. Pas shoqërimit në polici të dy personave, ata janë marrë në pyetje me detaje mbi ngjarjen. Policia e Elbasanit nuk ka dhënë detaje mbi dëshminë dhe pozicionin që do të kishte secili prej tyre në atentat, deri në zbardhjen e plotë të tij. Ndërkohë, të dhëna i janë kërkuar për Hysenajn dhe policisë së Vlorës, ku ka shënuar disa ngjarje për të cilat ka marrë dënimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›