E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, biznesi: Të legalizohen asetet

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka propozuar qeverisë që të kryejë legalizimin e aseteve të kompanive, sesa thjesht faljen e gjobave. 

Fabiola Çela

Ky është propozimi i bërë nga ana e biznesit shqiptar në lidhje me draftin e qeverisë për amnistinë fiskale për borxhet e këqija të biznesit. Në një prononcim për gazetën, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Gjok Uldedaj ka shpjeguar në detaje të gjithë propozimin e tyre në lidhje me këtë draft të qeverisë.
Propozimi
Qeveria demokrate deklaroi se do të mblidhte të gjitha detyrimet e prapambetura që biznesi ka ndaj administratës tatimore dhe doganore. Këto borxhe janë shkaktuar si pasojë e mospagimit të detyrimeve tatimore, por sidomos të atyre doganore. Por duke qenë se këto borxhe i përkasin disa viteve më parë, qeveria ka hasur vështirësi në mbledhjen e tyre, pasi një pjesë e mirë e tyre rezultojnë të kenë falimentuar. Përballë një situate të tillë, Ministria e Financave ka nisur të hartojë një draft të ri për amnistinë fiskale për borxhet e këqija të biznesit. Por komuniteti i biznesit ka gati një tjetër variant për zgjidhjen e këtij problemi. “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka ngritur një grup pune me ekspertë të ekonomisë dhe të botës së biznesit për të hartuar atë që nuk do ta cilësoja si një amnisti fiskale, por legalizim asetesh”, ka thënë Uldedaj. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të kryhet legalizimi i aseteve të kompanive që operojnë në treg. “Këtyre kompanive për vite të tëra nuk i është bërë sistemimi i duhur i aseteve në bilanc. Fakti që një pjesë e kompanive kanë investuar tej mundësive të tyre dhe fakti tjetër që këto investimeve nuk janë të pasqyruara plotësisht në bilance, na çon në konkluzionin se duhet të ketë një rakordim të këtyre aseteve, pasurive, të cilat kanë ardhur si mosdeklarim, për faj të të dy palëve”, ka deklaruar ai. Në këto kushte do të ishte një situatë shumë pozitive, në qoftë se do të merrej në konsideratë një nismë e tillë. Sipas tij, kjo do të bënte që komuniteti i biznesit të kishte një informacion më të saktë mbi pasuritë e kompanive. “Kjo, pasi në këto kushte nuk jemi në gjendje për t’i klasifikuar se cila është e para, e dyta ose e fundit, sepse vlerësimi bëhet mbi bazën e xhiros dhe kapitalit. E gjitha kjo për mendimin tim është një reformë rregulluese dhe legalizuese, e cila do t’i japë frymëmarrje të plotë biznesit dhe jo një amnisti fiskale, term që e dëmton biznesin”, ka theksuar kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Uldedaj.
Borxhi
Ende nuk është e saktë shifra se sa është vlera e borxhit që biznesi i ka administratës tatimore dhe asaj doganore. “Ne nuk mund të flasim për shifrat dhe nuk mund të jap një shifër të borxheve të mundshme. Jemi ende në fazën e punës dhe po tregohemi të kujdesshëm në këtë pikë, në mënyrë që vendimi i qeverisë dhe Parlamentit të jetë sa më i drejtë dhe i arsyeshëm. Ajo që kërkojmë ne në fund të fundit, është vënia në lëvizje e pasurive të biznesit dhe jo matja e borxhit, pasi legalizimi i aseteve do i vinte në raport të drejtë marrëdhëniet e biznesit në vetvete dhe gjithashtu në raport me qeverinë”, ka thënë Uldedaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›