E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi “kundër” Nishanit, pezullon nga detyra komisarin Krenar Ahmeti

TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi firmosi dje, pezullimin nga detyra për shefin e Komisariatit të Policisë së Qarkullimit Rrugor Krenar Ahmeti. 

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, kryepolici Prençi zbatoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, kur firmosi ditën e djeshme urdhrin për pezullimin nga detyra të Krenar Ahmetit. Sipas zyrtare vendimi është marrë në konsultim me Ministrinë e Brendshme. Megjithatë, vetë Ministria e Brendshme, tri ditë më parë përmes një deklarate zyrtare kishte "shfajësuar" Krenar Ahmetin për të gjitha akuzat e bëra ndaj tij nga Prokuroria e gjykata, duke thënë se ai ishte sulmuar fizikisht e kundërshtuar me dhunë gjatë kryerjes së detyrës së tij. Përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë për median tri ditë më parë, Ministria e Brendshme deklaronte se shefi i komisariatit të Policisë së Qarkullimit Rrugor, kishte kryer detyrën, edhe pse ishte kundërshtuar me dhunë nga qytetarët, konkretisht nga një prokurore e Krimeve të Rënda dhe bashkëshorti i saj avokat. Më tej, Ministria e Brendshme sqaronte në letrën që kreu i dikasterit Bujar Nishani i kishte dërguar Gjykatës së Tiranës para shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë për pezullimin e Krenar Ahmetit nga detyra. Sipas Ministrisë, letra e Nishanit ishte hartuar e dërguar sipas ligjit, ajo përmbante vlerësimet për punën dhe rezultatet e kreut të komisariatit të policisë rrugore dhe nuk përbënte aspak, ndërhyrje në pavarësinë e Gjykatës në procesin e saj të vendimmarrjes. Më tej, Ministria e Brendshme sqaroi se Krenar Ahmeti por edhe Policia Gjyqësore e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, kishin përcjellë në Prokurori prova e dokumente që tregonin kundërshtimin e Krenar Ahmetit me dhunë gjatë kryerjes së detyrës së tij, mirëpo materiale të tilla nuk janë marrë në konsideratë nga Prokuroria. Pas kësaj "mbrojtje" që Ministria e Brendshme i ka bërë Krenar Ahmetit, në një linjë krejt tjetër, por në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, ka ardhur dje firma e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili ka pezulluar nga detyra Krenar Ahmetin. Ai është denoncuar për kryerje të veprimeve arbitrare më 17 maj 2008 pas një mosmarrëveshje që ka pasur me një prokurore të Krimeve të Rënda dhe bashkëshortin e saj, i cili u shoqërua në polici pas konfrontimit me efektivat e qarkullimit rrugor. Pas këtij kallëzimi Prokuroria ngriti akuzë dhe mori të pandehur Krenar Ahmetin për kryerje të veprimeve arbitrare dhe kërkoi vendosjen ndaj tij të masës ndaluese, pezullim nga detyra. Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës i kërkoi Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të zbatonin vendimin e gjykatës.         re.kr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›