E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi, Bregu: Imuniteti pjesa peng e detyrimeve, ta heqim brenda tetorit

BRUKSEL- Ministrja e Jashtme, Majlinda Bregu vlerëson se heqja e imunitetit, është titulli i pjesës së mbetur që Shqipëria duhet të përmbushë brenda tetorit, për marrjen e statusit kandidat për në BE.

Në një prononcim për mediat pas takimit në “European Policy Center” (EPC) në Bruksel, ministrja Bregu theksoi se referendumi mund të jetë zgjidhje në pamundësi për konsensus sa i takon cështjes së imunitetit.

“E kemi diskutuar në takim me vendet anëtare: çështja është se cilat nga kjo masë kritike e prioriteteve duhet të plotësonim, pra nëse ka kohë deri në fund të shtatorit apo deri në mes të shtatorit kur Komisioni do të mblidhet për të dhënë vendimin pastaj në tetor, apo është shumë vonë. E rëndësishme është që ka mundësi për të bërë një ndryshim. Ne i kemi qëndruar një propozimi, i cili për mua është propozimi madhor i referendumit në pamundësi të një konsensusi. Këtë kam thënë në takim edhe sot, në pamundësi të një konsensusi mes atij kampioni që përfaqëson popullatën dhe që janë politikanët, nuk mund të ketë dhe nuk ka asnjë vendim më të mirë se ai i popullatës në tërësi”,- deklaroi Bregu.

Duke iu referuar edhe deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino, i cili ka apeluar që ligjvënësit shqiptarë të heqin dorë nga imuniteti brenda tetorit, Bregu nënvizon se është me rëndësi shprehja e një vullneti madhor nga politikanët në një çështje për të cilën janë të gjithë dakord, për të cilën nuk ka arsye për të kundërshtuar.

“Dua të them që ky është titulli i pjesës së mbetur të detyrimeve deri në fundshtator. Kjo nuk do të thotë se masat që ne i prezantuam sot para Komisionit dhe që janë vlerësuar në luftën kundër korrupsionit, nuk merren parasysh. Por gjithësesi, është e rëndësishme shprehja e një vullneti madhor nga politikanët në një çështje për të cilën janë të gjithë dakord, për të cilën nuk ka arsye për të kundërshtuar. E rëndësishme për ne sot është të kemi një vendim pozitiv në tetor. Jo një vendim pozitiv i cili është i rëndësishëm për qeverinë, as për mazhorancën sot, por një vendim pozitiv për Shqipërinë. Nëse ende Shqipëria është interesi madhor i të gjithëve, edhe i atyre politikanëve që sot janë në opozitë, ka mundësi të mos kërkojnë shtesë apo detyrime të cilat nuk kanë qenë pjesë e paketës së nëntorit, por të votojnë ate që kanë premtuar, heqjen e imunitetit.”,- theksoi  Bregu.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›