E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Të hiqen doganat me Kosovën

Sipas AK-së, strategjia është përgatitur duke u bazuar në nacionalizmin ekonomik dhe pasuritë kombëtare.

"Shqiptarët janë populli më i varfër në Evropë. Ata janë më të varfrit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe trojet e tjera etnike. Aleanca KuqeZi do realizoj vendime të rëndësishme për të nxjerrë Shqiptarët nga mjerimi. Shqiptarët duhet të ndërtojnë urgjent një vizion të ri për zhvillimin ekonomik mbi pasuritë kombëtare. Shqiptarët jetojnë në tokën dhe nëntokën më të pasur në rajon por janë populli i mbytur në mjerim dhe varfëri", tha kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu.

Ai deklaroi se Shqipëria dhe Kosova duhet të unifikojnë urgjentisht programet e zhvillimit dhe reformat ekonomike. “I bëjmë thirrje shtetasit Sali Berisha dhe Kryeministrit Hashim Thaçi që 28 Nëntori të jetë afati i fundit që shqiptarët mbajnë pika doganore dhe pika kufitare kontrolli. Shqipëria duhet të jetë e para dhe më pas Kosova që të heqin urgjentisht brenda 2 muajsh barrierat doganore dhe ato kufitare pasi Aleanca KuqeZi ka përgatitur strategjinë e modelit BENELUXIT shqiptar. Aleanca KuqeZi kërkon që hapësira shqiptare të mos ketë të njëjtat mure dhe barriera siç ka Shqipëria me Greqinë apo me Italinë”, vijoi ai.

Gjithashtu, ai tha se heqja e pikave doganore duhet të shoqërohet me plane për zhvillimin ekonomik të vendit. “Unifikimi i menjëhershëm e prefiksit të Kosovë-Shqipëri 355 nuk duhet mënguar nga administrata e korruptuar ndërkombëtare në Prishtinë për të pasuruar buxhetin e shteteve të tjera. Ngritja e një banke të re nacionale për të mbështetur dhe mbledhur mbarë kapitalin shqiptar dhe përmirësimi i sistemit bankar dhe atij të kredive. Administrimi publik i pasurive kombëtare dhe mos lejimi i privatizimit të tyre. Shtetasi Sali Berisha ende vazhdon të shesë ç’të mund dhe duhet frenuar me çdo mjet sepse pronar i pasurive kombëtare është shteti shqiptar dhe JO qeveria shqiptare", janë disa nga pikat e paraqitura nga Spahiu.

Më pas Departamenti i Ekonomisë së Aleancës KuqeZi prezantoi një program dhe strategji të detajuar dhe një analizë shumë të hollësishme për forcimin e masave dhe investimeve në sektorin e bujqësisë, rritjes së prodhimit të ushqimeve bio, heqjen e akcizës së naftës dhe uljes së çmimit për fermerët dhe peshkatarët, orientimin dhe zgjerimin e sektorit të peshkimit përgjatë gjithë bregdetit shqiptarë. /Start/

                                                                                             2012-09-08 13:54
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›