E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi, Fyle e Ashton: Topi në Tiranë!

Sipas tij, nëse ky bashkëpunim vazhdon me ritmet e duhura, viti i ardhshëm mund të jetë vit i mundësive për Shqipërinë.

“Jam i inkurajuar nga hapat vendimtare të Shqipërisë për ngritjen e konsensusit mbi një sërë reformash. Inkurajoj fuqimisht shumicën në pushtet dhe opozitën për qëndrueshmërinë e këtij dialogu konstruktiv politik dhe të krijojnë një moment të ri drejt integrimit në Bashkimin Evropian. 2012 mund të bëhet më në fund viti i mundësive", ka thënë Fyle gjatë një konference shtypi në Bruksel, ku ishte edhe ministrja shqiptare e Integrimit, Majlinda Bregu.

Për sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat, Fyle tha se deri më tani nuk është parashikuar ndonjë vendim para rendit, që zakonisht raporti publikohet më datë 12 tetor të çdo viti. "Topi është atje ku i takon, tek krahu shqiptar. Është e rëndësishme që të jepen rezultate mbi 12 prioritetet kyçe, e meqë ra fjala, gjyqësori, reforma e drejtësisë është një prej tyre. Ne mbetemi të gatshëm për të ndihmuar autoritetet shqiptare dhe të tjerë të interesuar për të bërë hapat e nevojshëm në dhënien e rezultateve mbi 12 prioritetet kyçe. Pasi ata t'i japin rezultatet, ne do të kemi mundësinë për të rekomanduar qoftë hapjen e negociatave për anëtarësim, qofte nëse besojmë se progresi i bërë nuk e meriton atë ende, të paktën një status kandidat. Në këtë periudhë, unë nuk po planifikoj të synoj ndonjë Këshill tjetër (të BE-së), përves atij të dhjetorit 2012, si dhe të përdor raportin e progresit të tetorit të vitit të ardhshëm. Ka dhe nga ata që thonë: asnjëherë mos thuaj kurrë", ka shtuar Fyle.

Ashton: Të punohet në mënyrë konstruktive

Për dialogun e nisur në Shqipërisë midis partive politike, reagoi edhe shefja për Politikën e Jashtme të Komisionit Evropian, baronesha, Catherine Ashton, e cila ka inkurajuar palët që të vazhdojnë punën e nisur në mënyrë konstruktive.

"Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton mirëpret takimin e parë të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Përfaqësuesja e Lartë Ashton inkurajon të gjitha forcat politike të vazhdojnë punën e tyre në një mënyrë konstruktive në komision, për të gjetur konsensus mbi reformën zgjedhore në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme”, ka thënë zëdhënësja.

 Në emër të Ashton, zëdhënësja shtoi se “reformimi i kuadrit legjislativ për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, është një nga prioritet kyçe të cilat duhen plotësuar që Shqipëria të shkojë përpara drejt objektivit të saj kombëtar për integrim në Bashkimin Evropian".

 /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-01 12:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›