E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA raport për korrupsionin, reagon Rama e AK-ja

Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet e fundit në Evropë, duke lënë pas vetëm Kosovën.

Nga të dhënat e kësaj organizate, bëhet me dije se Shqipëria zë vendin e 95-të në botë, nga 183 vende të marra, duke u radhitur 8 shkallë më poshtë se vitin e shkuar. Sipas TIA-së, Shqipëria ka marrë një vlerësim prej 3.1 pikësh, nga 3.3 pikë që ishte në vitin 2010.

"Beteja antikorrupsion duhet të vijojë të jetë në qendër të axhendës së qeverisjes si kusht themelor për proceset integruese në BE", shprehet TIA. Sipas kësaj organizate, "heqja e imuniteteve për zyrtarët e lartë, deputetë, ministra, prokurorë e gjyqtarë do t’i vendoste realisht të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet luftuar me çdo mjet".

Raporti vë re se në vendet e Evropës Juglindore ka pasur një përkeqësim të shkallës së korrupsionit. “Në rajonin e Evropës Jug-Lindore, vërehet një përkeqësim i dukshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor; me përjashtim të Malit të Zi që ka patur rritje në pikë (nga 3.7 në 4) me 3 shkallë klasifikimi; duke arritur rezultat të njëjtë me Kroacinë e cila ka pësuar rënie të lehtë në klasifikim. Ndërkohë që vendi i parë në rajon vazhdon t`i përkasë Turqisë me notën 4.2 duke u renditur e 61-ta në klasifikim", sqarohet nga TIA.

Rama: Shqipëria në pikiatë

Pas publikimit të këtij raporti, reagoi edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, me anë të rrjetit socialist Twitter. “Shqipëria pikiatë në renditjen e Transparency International. Vendi me i korruptuar i Evropës. Emergjencë për një Rilindje Shqiptare!”, shkruan ai.

AK: Moment i errët politik

Edhe lëvizja Aleanca Kuqezi reagoi për publikimin e këtij raporti, duke nënvizuar se kjo është një situatë skandaloze ku ndodhet Shqipëria dhe Kosova. “Situata e Shqipërisë është përkeqësuar duke u renditur 8 vende më poshtë në krahasim me vitin 2010 në renditjen botërore të klasifikuar nga Transparency International. Aleanca KuqeZi deklaron se sot është një nga momentet më të errëta të historisë politike të shtetit Shqiptar I cili pas 99 vjet pavarësi ka mbetur i 99-ti në nivelin e korrupsionit. Aleanca KuqeZi deklaron se është e papranueshme që pas 99 vjet pavarësi klasa politike të na lërë të 99-tët duke na barazuar dhe renditur përkrah shteteve si India, Kiribati, Tonga dhe Swaziland”, thekson kjo Aleancë e drejtuar nga Kreshnik Spahiu, ish-drejtues i Transparency International Albania. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-01 13:27
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›